Bota para ardhjes së Muhamedit alejhis-selam
Mr. Ferit Zeqiri – Regensdorf ZH
Para ardhjes së Muhamedit alejhis-selam bota sundohej nga dy superfuqi të mëdha të asaj kohe, Persia dhe Romakët (Bizantinët). Në tokë ishte përhapur padrejtësia, injoranca, ndarja racore e fetare. E Gadishulli Arabik nuk ishte në gjendje më të mirë. Fiset ishin të përçarë ndërmjet vete, i forti e sundonte të dobëtin, kalimtarët i plaçëkitnin, fëmijët i shitnin në treg, njeriun e lirë e shëndrronin në rob (skllavë), kështu pra, i mirrej e drejta e lirisë. As gjendja fetare nuk ishte më e mirë, arabët adhuronin idhuj të ndryshëm, si Hubelin, Latin e Uzan, zotërat e tyre ishin gurët, pejgamberët e tyre ishin djajtë dhe epshet e tyre, feja e tyre ishte materializmi kurse dëshira e tyre ishte derdhja e gjakut, mbytja dhe çrregullimi në tokë. Rreth Qabes së Shenjtë ishin të vendosur treqind e gjashtëdhjetë idhuj. Kur dëshironin të udhëtonin dhe nuk kishin mundësi që ata t’i bartnin me vete, atëherë merrnin tre gurë të vegjël dhe i llogaritnin si zot, dhe pasiqë ktheheshin nga udhëtimi i hidhnin se nuk kishin më nevojë për ta. Njëherë Omeri r.a. gjatë një udhëtimi të tij, para se ta pranojë islamin, bëri një zot prej brumi hurmash dhe e morri në udhëtimin e tij, e kur e kapi uria e hëngri ate. Sa qesharake kjo bindje!
Po si mbeti ky besim tek arabët?
– Së pari nga besimet e vjetëra politeiste, si populli i Nuhit a.s. të cilët ishin politeistë, për të cilët Allahu xh.sh. na rrëfen në Kuran:“Dhe u thanë: Mos braktisni zotat tuaj kurrsesi, mos braktisni Vedda-në, as Suvva-në, e Jeguth-in, Jeukë-n e Nesre-n”(Nuh-23). -Kontaktet e shpeshta që kishin me bizantinët, të cilët kishin principe politeiste në besimin e tyre, dhe kjo përshkak të kontakteve të shpeshta tregtare që kanë patur me ta. Kurse përherë të parë depërtimi i idhujve në mesin e arabëve është bërë nëpërmjet Amër ibn Luhaj El-Huzai, i cili ka qenë mbikëqyrës i Qabes dhe njeri autoritativë në Meke, i cili gjatë një udhëtimi të tij për një Sham për disa punë të tij, pa se si ata i adhuronin idhujtë e tyre dhe kjo i përqeu, pastaj kërkoi prej tyre që t’i japin një idhull që ta dërgojë në arabi dhe ata ta adhurojnë. Dhe e morri një idhull që quhej Hubel. Pasiqë e dërgoi në Meke filluan njerëzit ta adhuronin, dhe pastaj filluan të gjithë fiset të marrin nga një idhull, dhe kështu u përhapën idhujtë nëpër disa qytete arabe si: Lati në Taif, Menati në Medine, Uzai në Vadi Nehle (vend ndërmjet Mekes dhe Taifit) etj. Vlenë të ceket se edhe guri i zi i vendosur në qoshin e Qabes, gjithashtu ka ekzistuar edhe në atë kohë, por asnjëherë nuk është adhuruar nga njerëzit si zot. Adhurimin e idhujve e llogaritnin afrim dhe ndërmjetësim te Zoti, Allahu xh.sh. thotë: “Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut”(Zumer-3). “Ata pos Allahut adhurojnë çdo gjë që nuk bën as dëm e as dobi, e thonë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë te Allahu!” (Junus-18). Kjo ishte vetëm një pasqyrë e shkurtër për aspektin fetare, kurse aspekti shoqërore nuk ka qenë në gjendje më të mirë. Shoqëria arabe përbëhej nga tri shtresa: fisnikët që zakonisht ishin nga të pasurit, pastaj qytetarët e thjeshtë por që ishin të lirë, dhe robërit që nuk kishin asnjë vlerë në shoqëri dhe shiteshin në treg si çdo mall tjetër. Këtë Muhamedi a.s. e ndaloi dhe urdhëroi që të sillen mirë me ata. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Me robërit dhe shërbëtorët silluni mirë në mënyrë njerëzore. Ushqeni ata sikur që ushqeheni vetë, dhe vishni ata sikur që visheni vetë. Nuk guxoni t’u bëni keq, as t’i keqpërdorni. Edhe ata janë njerëz, edhe ata janë shërbetorë të Zotit”. Përderisa Muhamedi a.s. e ndalon skllavërin që para 14 shekujsh, bota e civilizuar nuk e ndalon ate përveçse në shek. e XX, me Konventën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, edhe ate në nenin 4 ku thuhet: Ndalimi i skllavërisë dhe i punës së detyruar. 1. Askush nuk mund të mbahet në skllavëri as në robëri.
Kurse sa i përket çështjes së gruas ajo ishte komplet e diskriminuar, nuk gëzonte të drejtën e pasurisë, as të trashëgimisë, as që kishte të drejtën e kurorëzimit apo shkurorëzimit. Amoraliteti ishte në kulminacion, kurse morali ishte në nivelin më të ulët, sa që edhe kur silleshin rreth Qabes për tavaf, silleshin lakuriq. Burri kishte të drejtë që ta shkurorëzojë gruan sa herë që të dëshirojë, poligamia ishte e pakufizuar, sa që njëri prej tyre ndodhte që të posedojë dhjetë gra, dhe nëse ndodhte që një grua nuk lindte mashkull, burri nuk banonte tek ajo, dhe shumë padrejtësi të tjera. Feja islame e trajtoi ndryshe gruan nga kjo gjendje, i dha të drejtën e trashëgimisë, i caktoi detyra dhe obligime ashtu siq i caktoi edhe burrit, e mbrojti nderin e saj dhe e bëri ate më të shtrenjtë se ari dhe margaritari i çmuar, e përkufizoi poligaminë dhe shkurorëzimin në dy herë dhe urdhëroi që të respektohet e drejta e saj. Pejgamberi a.s. në këtë kontekst ka thënë: “Me përgjegjësi të thellë përmbushni detyrat dhe obligimet që ekzistojnë ndërmjet burrit dhe gruas, ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Fëmija e fiton xhenetin te këmbët e nënës së tij”. Dhe jo me një lule për 8 mars, por me respektin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë ndaj saj. Gjithashtu Muhamedi a.s. ka thënë:“O bashkëshortë ! Silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi dhe dashuri”. Do të thotë gjatë tërë jetës suaj bashkëshortore dhe jo vetëm në ditën e “shën Valentinit”!?. Kurse gjendja e vajzave ka qenë edhe më e mjerueshme, ajo për prindërit paraqiste turp dhe nënçmin, bëhej plotë mllef dhe lindjen e saj e konsideronte si diçka shumë të keqe, sa që shpesh herë ndodhte që edhe ti mbytnin apo edhe ti varrosin të gjalla dhe ndonjëherë edhe të moshës shtatë-tetë vjeçare. Dhe tash paramendo se si do të kishte vazhduar jeta sikur kjo gjendje të vazhdonte edhe sot e kësaj dite, si do të kishte mundësi që ti përballohet kësaj mizorie, sikur Allahu xh.sh. mos ta kishte dërguar pejgamberin e mëshirës Muhamedin a.s. Dhe përderisa bota jetonte në këtë llojë mizorie, padyshim se ishte më se e nevojshme për një njeri i cili do ta përmirësojë këtë gjendje dhe ai ishte Muhamedi a.s. Ibn Tejmije ka thënë: “Pejgamberi a.s. është shpirti, drita dhe jeta e botës. Vallë, e do të ekzistonte mirëqenie në botë po qe se nuk do të ishte shpirti, jeta dhe drita”. Gjithashtu Ibn Kajimi ka thënë: “Njerëzimi janë më se të nevojshëm për pejgamberët dhe njohjen e tyre, nevoja për ta është më e madhe se nevoja e trupit për shpirtin e tij, syri për dritën dhe shpirti për jetën”.
Mr. Ferit Zeqiri – Regensdorf ZH