Disa mrekulli nga haxhi i Muhamedit alejhis-selam
Pa dyshim se mrekullitë e Muhamedit a.s. janë të shumëta, por këtu do të veçojmë disa prej tyre që i kanë ndodhur Muhamedit a.s., apo që mund të kuptohen, gjatë kryerjes së haxhit të lamtumirës. Nga ato mrekulli është se Muhamedi a.s. në ditën e Arefatit mbajti hutben (këshillat) e lamtumirës edhe ate në prezencën e më tepër se njëqind e tridhjetë mijë apo njëqind e dyzet mijë besimtarëve, pa mos përdorur zmadhues të zërit, pasi që edhe nuk ekzistonin në atë kohë, por Allahu xh.sh. bëri që zëri i tij të arrijë në çdo vesh të çdo haxhiu dhe të dëgjojë ato këshilla të arta nga Muhamedi a.s. sikur atë ta kishin pranë tyre dhe u fliste nga së afërmi.
Nga mrekullitë e haxhit të Muhamedit a.s. ishte, kur ai deshi që të therë kurbanat, pasi që kishin me vete njëqind deve, e kapi thikën dhe filloi të therë devet, ato filluan të garojnë cila e para do të afrohet që Pejgamberi a.s. ta therë, subhanallah (i madhëruar qoftë Allahu), edhe kafshët e dëshirojnë therjen kur është në pyetje dora e Muhamedit a.s., ato shtyhen cila do të afrohet përpara, dhe Pejgamberi a.s. fillon me emrin e Allahut dhe tekbir dhe vazhdonë të therë derisa arriti të therë 63 deve, pastaj u ndal, dhe ia dorëzoi thikën Ali ibn Ebi Talibit r.a. që të plotësojë të tjerat. Për çfarë arsye nuk i plotësojë njëqind kurbana? Dikush mund të thotë se ndoshta është lodhur! Jo, por këtu qëndron urtësia, ai i theri 63 deve, që jep të kuptojmë se jeta e tij do të zgjasë 63 vite dhe pastaj do të vdesë siç vdesin të gjithë njerëzit! Ashtu siç e kuptuan edhe shokët e Muhamedit a.s. dhe thanë: “Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi” (Bekare, 156).
Gjithashtu Muhamedi a.s.gjatë fjalimit të tij tha: “Mësojini nga unë detyrat tuaja,sepse ndoshta unë nuk do të vij më në Haxh pas këtij viti.” Sahabet e kuptuan se këto fjalë janë fjalë lamtumirëse dhe filluan të qajnë pasi që e kuptuan se Muhamedit a.s. i afrohet vdekja. Në lidhje me këtë, transmetohet gjithashtu se Pejgamberi a.s. përderisa ishte hipur në deven e tij, me duar të ngritura nga qielli duke e lutur Zotin e Madhëruar, për një moment u ndal nga lutja e tij dhe filloi të qajë, kur ja Xhibrili a.s. vjen nga qielli me fjalët e Allahut xh.sh. “Sot e përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush të mirën time dhe zgjodha Islamin fe për ju” (Maide, 3). Sahabet e kuptuan se afrohet ndarja e tyre me Resulullahun, andaj dhe filluan të qajnë.
Nga mrekullitë e haxhit të Pejgamberit a.s. gjithashtu është: pasi që i gjuajti guralecët në Mine, thirri Me’amer ibn Abdilahun, i ktheu anën e djathtë të kokës dhe ai ia rruajti flokët, kurse Pejgamberi a.s. buzëqeshej. Me’ameri i tha: Pse po buzëqeshesh o i dërguari i Zotit? Ai i tha duke buzëqeshur: ”A nuk e sheh se si i dërguari i Zotit të ka dorëzuar kokën e tij dhe gërshërët në dorën tënde”! Por Me’ameri i tha: O i dërguari i Zotit, pasha Allahun, vërtetë kjo është nga dhunëtitë e Allahut që më ka dhënë mua. E pasi ia rruajti anën e djathtë, ua ndau njerëzve nga një apo dy qime. Pastaj e rruajti edhe anën e majtë dhe Pejgamberi a.s. e kërkoi Ebu Talha El-Ensariun, dhe tërë flokun e mbetur ia dha Ebu Talhasë, e ai nga gëzimi filloi të qajë, pasi që e llogariti atë nder dhe privilegj për të. Njëherit kjo dëshmon për dashurinë e sahabeve që kanë patur ndaj Muhamedit a.s.
Pastaj vazhdoi Pejgamberi a.s. për në Qabe për të kryer tavafin dhe gjatë tavafit e preku apo përshëndeti haxherul esvedin (gurin e zi), siç ishte traditë e Muhamedit a.s., dhe lotët filluan t’i rrjedhin nga sytë e tij të pastër. Kur e pa Omeri r.a. u drejtua kah ai dhe i tha: Çfarë është kjo, o i dërguari i Zotit? Ai i Tha: ” Këtu përkujtohen nostalgjitë, o Omer”.
E lusim Allahun xh.sh. që të kemi dobi nga këto mrekulli të Muhamedit a.s. dhe haxhinjve Allahu haxhin t’ua pranon.
Mr. Ferit Zeqiri