Migrimi, integrimi dhe asimilimi
Mr. Rejhan Neziri
Nevoja për ta kuptuar dhe sqaruar qenien njerëzore, me të gjitha aspektet e saj, gjatë historisë së mendimit njerëzor ka nxitur zhvillimin e ideve filozofike dhe shkencore, duke shtuar këtu edhe tekstet e shpallura hyjnore si tekste që po ashtu i dedikohen njeriut, kësaj radhe nga aspekti hyjnor. Përskaj dimensionit fizik a anatomik, njeriu është hulumtuar edhe nga aspekti shpirtëror. Në këtë kontekst, sidomos kohëve të fundit është gjurmuar mjaft mirë, edhe pse akoma dhe ndoshta edhe kurrë përfundimisht, dimensioni individual dhe social i tij. Sjellja e njeriut si individ me dinamikat e brendshme shpirtërore është lëndë kryesisht e psikologjisë, sjellja e tij në grup, në bashkësi a shoqëri është lëndë kryesisht e sociologjisë dhe antropologjisë, ndërsa sjellja e tij si individ brenda një shoqërie të caktuar është bërë lëndë kryesisht e psikologjisë sociale.
Si qenie e vetëdijshme, njeriu zotëron ndër të tjera edhe dinamikën e lëvizjes brenda vetë shoqërisë po edhe midis dy a më shumë shoqërive. Përderisa lëvizja brenda vetë shoqërisë duke u ngjitur në pozitat dhe statuset e ndryshme të shoqërisë në sociologji quhet mobilitet (lëvizje) vertikal, lëvizja nga një shoqëri në tjetrën, nga një bashkësi në tjetrën, quhet mobilitet horizontal. Kur është në pyetje ky i fundit atëherë kemi të bëjmë me disa terme kyçe, siç janë: emigrimi, imigrimi, integrimi dhe asimilimi. Përderisa emigrimi shpreh largimin nga atdheu për shkaqe politike, ekonomike, fetare etj. për t‘u vendosur përkohësisht apo përgjithmonë në një vend të huaj, imigrimi shpreh ardhjen dhe vendosjen në një vend të huaj për të jetuar e punuar përgjithmonë aty, zënien vend në dhe apo tokë të huaj. E para pra nënkupton nisjen dhe largimin, kurse e dyta ardhjen, mbërritjen dhe vendosjen. Një shkallë e ndërmjetme ose edhe kategori në vete do të ishte jeta nomade e njerëzve që vazhdimisht lëvizin dhe nuk zënë vend të caktuar për të jetuar aty më gjatë. Sot mund të flitet ndoshta edhe për jetën “nomade” të njerëzve afaristë, të cilët vazhdimisht ose një pjesë të madhe të jetës së tyre janë duke e kaluar në vende a shoqëri të ndryshme, si rezultat i globalizimit. Migrimi/Mërgimi shpreh çdo shpërngulje a ndërrim vendbanimi për një kohë të gjatë, pa marrë parasysh arsyet: politike, ekonomike, arsimore, ushtarake, fetare etj.
Artikulli paraprakisht është botuar në revistën kuartale në Zvicër Fjala – www.fjala.ch
Lexoni artikullin e plotë në PDF.