Eksportimi i mendjeve të skaduara
Bashkim Aliu
Populli ka thënë fjalë të mëdha për të përshkruar procese të tëra, për të cilat, qarqet akademike do të duhej të bënin gjurmime të shumta, të cilat do të zgjatnin me vite. Kjo pasuri e madhe, duhet të ruhet dhe të analizohet, e jo të neglizhohet e të lehet në harresë. Është e vërtetë se populli thotë:”Budallai, nuk ka brirë”, e që nënkupton se për të kuptuar se dikush sa i marrë është, nuk duhet të presish që të shohish brirë në kokën e tij, por nga ajo që e flet dhe që e plason në publik, e kupton se koka e tillë është demode dhe e helmuar me ide të shablloneve komuniste, edhe pse e njejta, mund t’i ketë të lyera flokët me ngjyra demokratike. Por, çka duhet lyerja e flokëve me ngjyra fallce, kur edhe shiu më i vogël e bën ngjyrën të kullojë në fytyrën e personit, dhe në këtë mënyrë ia demaskon edhe ngjyrën jo të natyrshme të flokëve, edhe ia përlyen fytyrën me ngjyra fallce. Kështu është edhe halli i atyre të cilët thirren në demokraci, por në realitet, tharmi i ndërtimit të tyre ideologjik, është komunist, gjë që ka derivuar një armiqësi të përhershme me fenë, besimin dhe ndjenjat fetare.
Mirëpo, ndoshta brumi i këtillë i ideve dhe koncepteve, nuk do të ishte aq i kobshëm, nëse personat e këtillë nuk do ta përdornin këtë brum për konsum ditor. Me këtë rast, idetë e këtilla nuk kanë vetëm përmasën e bindjes personale, por kalojnë në nxitjen e armiqësisë mes shtresave të ndryshme në shoqëri duke inicuar probleme të paqena dhe duke dhënë vlerësime paushalle të cilat nuk janë aspak rend dite, por, nëse flasin për diçka, flasin për axhamillëkun e vetë njerëzve të cilët aktualizojnë gjëra të cilat, në fakt, janë jashtë kontekstit. Nëse do të shpreheshim ndryshe, do të thonim se të gdhendurit ideologjikisht me mësime marksise atesite dhe agnostike, e kanë moment të preferuar të profilit dhe veprimtarisë së vet, gjetjen e fajtorit kujdestar, që në rastin shqiptar, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri dhe në Maqedoni, ka qenë Islami, i kamufluar me pretekstin e preferimit të Islamit tradicional dhe luftimit të elementeve, sipas disave, ekstreme dhe radikale në hapësirat shqiptare.
Besoj se lexuesi nuk e ka harruar faktin se, shpesh herë, eksponentë të lartë të partive politike në Shqipëri, bile edhe zyrtarë qeveritarë, e aktualizonin çështjen e “elementeve radikale islame” në shtetin shqiptar, dhe të gjoja rreziqeve që i kanoseshin demokracisë nga elementet e këtilla. Por, kjo, si zakonisht, ndodhte kur qeveria ndodhej para kritikave të ashpra të raporteve evropiane dhe ndëkombëtare për korrupsion, afera të ndryshme dhe joefikasitet në punë. Dhe për t’u iku këtyre kritikave, aktualizoheshin çështje fiktive të karakterit religjioz dhe sajoheshin ngjarje dhe aksione policore, me pretekst se u është rënë në gjurmë grupacioneve të cilat qenkan duke vepruar kundër shtetit dhe vlerave demokratike dhe evropiane të vendit, që sipas tyre, është edhe përcaktim parësor i klasës politike në vend. Në këtë kontekst, edhe në Kosovë dhe në Maqedoni kemi patur, dhe akoma kemi, tendenca të këtilla. Si duket, pas shuplakave të cilat i morrën nga populli partitë më të mëdha politike të Kosovës, në zgjedhjet komunale të Dhjetorit të vitit 2013, nuk u ngelet tjetër gjë, pos të akualizojnë çështje të cilat në ose janë të imagjinuara, ose të sajuara, ose të keqinterpretuara, me qëllim që vëmendja e opinionit të përqëndrohet në çështje periferike, dhe të zhvendoset nga çështjet kruciale të një rëndësie jetike për popullin e Kosovës. Dhe me këtë rast, kërkohet fajtori kujdestar, i cili dihet, gjegjësisht ngritet çështja e elementeve radikale dhe talibanizimit të hapësirave shqiptare. Për ta kuptuar këtë, nuk don shumë mund, ngase orientimi i këtillë i klasës politike në Kosovë dhe në hapësirat tjera shqiptare, nuk kërkon të ketë brirë për t’u identifikuar, por nga vetë deklaratat dhe avanturat në të cilat futen politikanët tanë, kuptohet nji disponim i këtillë islamofob.
Prej margaritarëve të fundit të marrëzive të klasës politike shqiptare në Kosovë, qenë deklaratat e mospasjes nevojë për eksport dhe import të Islamit, të lëshuara nga ministri i jashtëm kosovar, i cili thirret se i takon edhe botës akademike. Po qe se analizohet konteksti dhe tajmingu i këtyre deklaratave, do të shihet se kemi të bëjmë me motive të njejta si ato që lansoheshin nga klasa politike në Shqipëri, gjegjësisht sikletin e humbjes në zgjedhje, frikës nga ndjekja penale për korrupsion, akuzave të opozitës dhe popullit për paaftësi menaxhimi në dikasteret përkatëse dhe notave negative nga institucionet ndërkombëtare në raportet e tyre vjetore, politikanët e nxjerrin me aktualizimin e çështjes së rrymave ekstreme fetare dhe rrezikut të shoqërisë shqiptare nga këto rryma, e mos të flasim më për nocionet eksportim dhe improtim i Islamit, nocione këto që janë krejt jashtë kontekstit.
Islamofobia nuk mund të jetë mbulesë për paaftësinë e klasës politike në Kosovë dhe gjetiu, dhe nuk mund të jetë as sebeb për përjashtimin e shqiptarëve nga çelja e bisedimeve për t’u integruar në UE. Në fakt, fajtorë kryesor për dështimin e hapësirave shqiptare në këtë drejtim, janë vetëm politikanët tanë të paaftë, të cilët e kanë dëmtuar aq rëndë imazhin e popullit shqiptar, sa që nuk mund të tregohet. Raportet e institucioneve relevante evropiane dhe ndërkombëtare, e theksojnë pikërisht korrupsionin e politikanëve, partizimin e administratës shtetërore, jo transparencën, shkallën e lartë të kriminalitetit, jo efikasitetin e gjyqësorit dhe eliminimin e meritokracisë, si shkaqe kryesore të stagnimit të proceseve euro-integruese në hapësirat shqiptare, e jo talibanizimin e shoqërisë shqiptare, siç preferojnë të shprehen politikanët e papërgjegjshëm shqiptar.
Nuk don të shkrishë shumë mend për ta kuptuar sa absurde janë thirrjet për mos eksportim dhe mos importim të Islamit. Islami nuk është mall tregtar për t’u eksportuar apo për t’u importuar. Ai ka të bëjë me mendjen, ndjenjat dhe bindjet, dhe në kohën e kibernetikës dhe shoqërive virtuale, këto vlerësime për konceptet, mësimet dhe idetë, janë absurd i llojit të vet. Po aq absurde janë edhe tezat për laicitetin e patriotizmit, nacionalizmit dhe veprimtarive tjera te shqiptarët. Shqiptari musliman, gjatë historisë, luftën e tij për vatan, e ka nisur me bismilah dhe ka thënë se inshallah fiton, ngase është në hak dhe nuk e don zullumin. Këto pak vlerësime, qartë mposhtin tezën e laicitetit të kontributit të veprimtarëve atdhetarë.
Islami nuk duhet as të importohet dhe as të eksportohet. Po, kjo është e vërtetë, ngase Islami nuk është i tepërt në hapësirat shqiptare që të eksportohet jashtë. Po nuk duhet as të importohet, ngase ky popull nuk është pa din dhe pa iman, por që para disa shekujsh e ka përqafuar Islamin. Por, ka diçka tjetër që duhet të eksportohet nga Kosova dhe nga hapësirat tjera shqiptare, nëse tjerët na pranojnë gjë që të tillë. Duhet të eksportohen jashtë hapësirave tona mendjet, ideologjia e të cilave është formësuar nga brum i zënë me tharm me afat të skaduar. Po qe se do të na pranonte dikush mendjet e këtilla, do të ishte e patjetërsueshme të eskportohen. Duhet të eksportohen të pa aftit, të cilët e lanë popullin në mjerim, dhe gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet, kanë arritur ta dëmtojnë rëndë imazhin e vendit he të popullit dhe të shndërrohen në simbol të korrupsionit, krimit dhe vjedhjes së shtetit. Këta janë rreziku i vërtetë i vendit dhe popullit, e jo rrymat të cilat ua ka pjellur mendja e tyre e mykur nga ideologjia komuniste.