Margjinalizimi i rolit të rinisë
Mr. Bashkim Aliu
MARGJINALIZIMI I ROLIT TË RINISË
Rinia islame sot është e përshkuar edhe nga ndjenja e gabuar e të qenit formacion rezervë, gjegjësisht shumë të rinj mendojnë se ata janë formacion rezervë për shoqërinë, dhe nuk mund të jenë faktor kyç në shoqëri, sepse këtë duhet ta bëjnë më të vjetrit.
Ata mendojnë se janë jashta hartës së vendit përkatës, për këtë edhe mendojnë se ata duhet të jetojnë jetë ëndrash, ndërkaq punët duhet ti kryej tjetërkush.
Është mjaft interesante se në shumë institucione bëhen përpjekje që me çdo kusht të anashkalohet rinia nga marrja e pozitave dhe përgjegjësive të rëndësishme për të ardhmen e popullatës, duke u thënë se punët janë shumë të komplikuara, ndërkaq garnitura e vjetër është e vetme e aftë që tu dalë zot, kurse për ju ka kohë, se përndryshe do të kompromitoheni.
Me të vërtetë kjo është një luftë psikologjike që zhvillohet ndaj të rinjve, me qëllim që ata ta humbin besimin në vete dhe të mendojnë se nuk ka kurrnji rol të rëndësishëm për ata në shoqëri, por ata duhet të punshojnë, e pas një kohe do të vijë radha edhe për ata.
Normalisht, kjo bëhet nga disa qarqe me qëllim të caktuar, gjegjësisht të vazhdojnë ta mbanë një institucion, bile edhe nji popull të tërë në gjum, sepse ardhja e gjeneratave të reja do të sjell freski, plane të reja, metodë të re pune, energji të re etj.
Nëse kthehemi në praktikën e të dërguarit të Allahut, do të shohim se kjo është e gabuar.Në fakt, i dërguari i Allahut ka angazhuar të rinjë në pozita me rëndësi dhe me përgjegjësi.Kështu, para vdekjes, ai e caktoi komandant të ushtrisë muslimane Usame ibën Zejdin, për të cilin thuhet se ka patur vetëm 18 vjet, edhe pse në mesin e kësaj ushtrie kishte edhe burra më në moshë. Në këtë ushtri, komandant i së cilës është caktuar Usame ibn Zejdi, kanë qenë edhe figura të njohura të sahabeve, si:Ebu Bekri r.a., Omeri r.a., etj. Do të thotë, nga goja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nuk u dëgjuan fjalët:”ka më të vjetër, më me përvojë, ju jeni ende të rij. Mos nguteni, ka kohë edhe për ju”. Me këtë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tregoi se roli i rinisë nuk bën të margjinalizohet, por në të kundërtën, rinia duhet të angazhohet me detyra, ngase ka potenciale të mëdha. Bile, që është edhe shumë e rëndësishme në këtë drejtim, me angazhimin e tyre në punë me përgjegjësi, fitojnë përvojë. Nëse vazhdimisht lehen anash dhe u thuhet se ka kohë, apo diçka tjetër e kësaj natyre, ata do të ngelin pa përvojë dhe të mvarur prej tjerëve.
Poashtu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka angazhuar me detyra të caktuara edhe një të rij tjetër, djalin e axhës së tij dhe njërin nga figurat më të spikatura të sahabeve dhe historisë islame në përgjithësi, Aliun, Allahu qoftë i kënaqur me të. Me rastin e hixhretit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e angazhoi Aliun r.a. që të flejë në shtratin e tij dhe t’ua kthen njerëzve gjërat të cilat ata ia kishin lënë në mbrojtje Muhamedit s.a.v.s. Pra, kjo detyrë ishte me një rrezikshmëri të madhe, ngase kishte mundësi edhe të ndodh vrasje. Por, krahas saj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk nguroi që këtë detyrë t’ia besojë një të riu, Aliut r.a. Nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka bërë këtë me të rinjtë, pra në rastin konkret me Aliun r.a., edhe muslimanët e sotëm duhet që këtë ta bëjnë me rininë e tyre. Duhet t’u japin rast dhe t’i angazhojnë me detyra, ashtu siç ka vepruar edhe Muhamedi s.a.v.s. Ky është kuptimi i vërtetë i ndjekjes së sunetit dhe metodologjisë së veprimit të Muhamedit s.a.v.s. dhe sahabeve, apo selefit, brezave të parë të artë të cilët i ka lavdëruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Pasimi i rrugës së tyre nuk duhet të kufizohet dhe reduktohet vetëm në praktimin e disa veprimeve dhe lëvizjeve që kanë të bëjnë me një pjesë të caktuar të adhurimeve. Është krejt normale që me këtë rast të provohen aftësitë e të rinjve, e jo të bëhet kjo gjë sipas ndjenjave apo dëshirave. Vlerësimi i aftësive është hap i duhur para kalimit në punë.
Njëkohësisht, një rol të këtillë, edhe atë shumë me përgjegjësi, e kanë patur edhe disa të reja, gjegjësisht vajzat e Ebu Bekrit r.a. Në këtë rast kemi aktivizimin e të rejave, apo të elementit femër në rrjedhat e shoqërisë. Familja e Ebu Bekrit në përgjithësi, dhe në veçanti vajzat e tij, kanë qenë të angazhuara në mbarëvajtjen e shpërnguljes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe Ebu Bekrit r.a. për në Medine. Ato kanë patur funksione të caktuara të cilët i kanë realizuar me sukses.
Më vonë, nipat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Hasani dhe Husejni, kanë qenë protagonist në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të bashkësisë muslimane, si dhe kanë qenë aktiv në rrjedhat e umetit islam.
Rinia nuk duhet ta shoh rolin e vet të margjinalizuar në shoqëri, por duhet të ketë besim në vetvete se mund të bëjë shumë me ndihmën e Allahut, normalisht duke mos e neglizhuar edhe përvojën e më të vjetrive.Rinia duhet ta shfrytëzojë potencialin e vetë të madh për të mirën e popullatës së vetë dhe të njerëzimit në përgjithësi.Rinia duhet ta investojë energjinë dhe vitalitetin e vet që të ndërtojë ardhmëri më të lumtur për popullin dhe vendin e vet, e jo të mendojë se nuk është e aftë të bëjë gjë dhe se roli i saj është margjinal.
Poashtu, rinia në veçanti duhet t’i tejkalojë disa njerëz demode me një mentalitet të pakonvertuar deri më tash, të cilët nga pozita udhëhqëse, cak sulmi e kanë patur rininë aktive dhe vizionare, e cila ka ditur të organizohet. Ata, në vend që të merren me përmirësimin e imaxhit të vetvetes, i cili ka qenë rëndë i dëmtuar, dhe të institucioneve të veta, në të cilat kanë dështuar në çdo rrafsh dhe janë shndërruar në simbol të turpit dhe dështimit e arrogancës, çdo herë e kanë sulmuar rininë e mbledhur në xhemate të ndryshme, duke i paraqitur si elemente destruktive dhe të dyshimta. Këtë, për kurgjë tjetër, vetëm për t’u orvatur ta mbulojnë dështimin e tyre në sferën e organizimit dhe senzibilizimit të rinisë. Së këtejmi, rinia duhet të jetë e vetëdijshme për këtë lloj krijesash të paskrupullta, dhe t’i tejkalojë me mençuri duke vazhduar në rrugën e ngritjes shpirtërore, intelektuale, morale dhe xhematore, për të qenë shembull i një rrëfimi të suksesshëm në shërbim ndaj popullit dhe shoqërisë në emër të Allahut të Madhërishëm.