Si një trup… fitore shprese
I Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. në një thënie të tij i i ka përshkruar muslimanët në lidhjet e tyre të ndërsjella, dhe në bashkëpunimin e ndjenjat e tyre të ndërsjella, si një trup, ashtu që kur një pjesë e trupit lëngon nga një sëmundje, i tërë trupi përshkohet nga lodhja, plogështia, zjarmia dhe vuajtja nga sëmndja që e ka goditur një gjymtyrë të tij.
Muslimanët gjatë gjithë historisë, normalisht me intenzitet të ndryshëm, e kanë vërtetuar këtë përshkrim pejgamberik të marrëdhënieve në mes të muslimanëve. Kështu, muslimanët i kanë ndarë me vëllezërit e tyre të besimit të mirat e të këqijat, gjegjësisht janë indinjuar dhe brengosur kur vëllezërit e tyre kanë patur telashe, probleme apo u ka ndodhur ndonji fatkeqësi, por, poashtu, edhe janë gëzuar, kur vëllezërit e tyre kanë patur ndonji gëzim apo kanë arritur ndonji sukses.
Në kohën tonë, gjegjësisht në fillim të dekadës së dytë të këtij shekulli, kjo gjë u dëshmua qartë nga muslimanët. Kështu, tronditjet të cilat ndodhën dhe të cilat ende janë duke e trandur një pjesë të umetit islam në tokat arabe, i indinjuan muslimanët në të gjitha anët e botës, pa marrë parasyshë se personalisht nuk i njihnin, bile edhe ndoshta për herë të parë kishin dëgjuar për ta, por, marrë parasyshë se i lidh besimi i njejtë, atëherë është krejt e kuptueshme, bile edhe e domosdoshme, që muslimanët t’i ndajnë të mirat dhe të këqijat me vëllezërit e tyre në besim. Bile, në rastin e masakrave të klanit ushtarak në Egjipt, mbi popullatën e pafajshme të tubuar në sheshin Rabia el-Adevije në Kajro, ku kërkohej të mbrohej vullneti i popullit i shprehur në zgjedhje të lira që të udhëhiqet nga Muhamed Mursi, muslimant në të gjitha anët e botës lëvizën, në forma të ndryshme, në drejtim të dënimit të këtij akti barbar dhe shtazarak mbi qenien njerëzore. Katër gishtat e ngritur, për të shprehur mbështetjen e protestuesve në sheshin Rabia el-Adevije, si dhe dënimin e vrasësve ordinerë, e kapluan gjithë botën dhe u bënë një nga simbolet më të përdorura për momentin. E gjithë kjo, nga shkaku se muslimanët janë të shpërndarë në katër anët e botës, dhe ata kudo që të jenë, i ndajnë dhimbjet me vëllezërit e tyre.
Por, muslimanët janë si një trup edhe në drejtim të ndarjes së gëzimeve dhe brohoritjes për sukseset të cilat i arrijnë vëllezërit e tyre, edhe pse nuk janë në të njejtin vend. Kështu ndodhi me zgjedhjet e fundit lokale në Turqi, në Mars të 2014, të cilat u fituan nga partia e kryeministrit aktual të Turqisë Rexhep Tajip Erdoan. Fitores së Erdoanit, nuk iu gëzuan vetëm simpatizantët dhe anëtarët e partisë së tij n Turqi, por muslimanë në katër anët e botës, u gëzuan për fitoren e Erdoanit. Kjo, ngase muslimanët janë një trup, dhe ajo që duhet të theksohet në veçanti, është se kjo fitore plebishitare, vjen pas goditjeve dhe zullumit të paparë që u ushtrua mbi lëvizjet islame rezistuese ndaj zullumit, jo atyre të cilat u gunjëzuan para zullumqarëve, gjë që bëri që dashamirët e fesë dhe veprimtarët e lëvizjes islame të frymojnë më lirë dhe të rikthehet buzëqeshja te ata që e duan opcionin islam për të ardhmen e vendeve islame. Jo, nuk mbaruan lëvizjet rezistuese islame, dhe as zullumqarët e antiislamistët, nuk kanë pse të relaksohen, ngase populli është me opcionin e lëvizjeve islame, dhe ajo që po ndodh në mediumet e kontrolluara nga pushtetet zullumqare arabe, nuk është tregues real i vullnetit të popullit, populli e shprehu në Turqi përcaktimin e tij me vullnet të lirë dhe pa imponim. Por jo vetëm kaq, populli u shpreh edhe në vendet tjera në botën islame dhe më gjërë, në veçanti në botën arabe, ngase në rrugët e qendrave të mëdha të botës arabe, dhe më gjërë, populli festoi për fitoren e Erdoanit. Në fakt, populli festoi me këtë gjest për Mursin, Ganushin dhe të gjitha lëvizjet tjera islame rezistuese. Gëzimi dhe festa e shprehur në vende të ndryshme të botës për fitoren e Erdoanit, janë dëshmi e mbështetjes së popullit për lëvizjet islame, edhe pse në disa shtete arabe po ushtrohet zullum i paparë mbi lëvizjet rezistuese islame. Allahu i Madhërishëm në Kur’an ka thënë:<<E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi (5) Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi (6)>>[el-Inshirah: 5-6]. Këtë fitore të madhe të Erdoanit, në mes tjerash, mund ta kuptojmë edhe në kontekst të lehtësimit dhe puhive të shpresës që vijnë si freskim serioz për umetin islam dhe mbështetje për lëvizjet islame. Po edhe e kundërta është e saktë:Pas lehtësimit, që ata ia mundësuan vetes mbi gjkun e mijëra njerëzve të pafajshëm, do të pasojë vështirësia për zullumqarët, të cilët asnjiherë nuk kanë mundur të ballafaqohen me lëvizjet islame në mejdan, në mënyrë të ndershme, por çdo herë janë munduar përmes zullumit të ngriten mbi lëvizjet islame. Vërtet, kjo fitore, erdhi si një lehtësim i madh për muslimanët e sinqertë, pas këtyre ngjarjeve tragjike që ndodhën në Egjipt dhe në vendet tjera në botën islame, e që realisht, muslimanët e sinqertë, asnjiherë nuk guxojnë t’i humbin shpresat, ngase humbja e shpresave është cilësi e jobesimtarëve dhe besimtarëve të dobët.
Rruga e besimtarëve të vendosur është e mbushur plot sfida dhe vështirësi, siç ka qenë rast me të gjithë pejgamberët dhe pasuesit e tyre gjatë historisë, por këto ngjarje tragjike, edhe pse të dhimbshme, janë kalitje për besimtarin dhe karakterin e tij islam, janë dëshpruese dhe bumerang për zullumqarin, ngase nuk arrinë dot t’i gjunjëzojnë besimtarët e sinqertë, edhe përskaj zullumit që ushtrojnë ata mbi besimtarët e sinqertë, si dhe janë kandila drite për besimtarët, të cilët praktikisht e shohin reflektimin e besimit në jetën e njeriut.
Gëzimi i muslimanëve anekënd botës për fitoren e Erdoanit në këto zgjedhje, duhet lexuar si përkushtim për opcionin islam dhe rreshtim në krahun e lëvizjeve islame. Ky duhet të jetë një mesazh i qartë për ata që sillen se janë liderë të popujve të botës arabe, pa dalur asnjiherë në votime ta shohin a thua vërtetë i don populli apo jo, se muslimanët, u gëzuan për fitoren e atij-Erdoanit, të cilin ata e kanë konsideruar të papërshtatshëm për klubin e tyre të “sundimit të popullit në emër të popullit, pa vullnetin e popullit”. Populli, në çdo vend, u rreshtua në anën e lëvizjeve islame duke festuar në rrugë, por edhe në shtëpi, normalisht nga frika e zullumqarëve në disa vende, për fitoren e Erdoanit. Poashtu, ata duhet ta shohin qartë se për kend duartroket populli në çdo vend ku jetojnë muslimanët. Pra, le ta dinë të gjithë se muslimanët janë nji trup.
Pasi edhe në Maqedoni së shpejti do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, më duhet të them se fitorja e Erdoanit duhet të lexohet drejtë edhe nga aktorët e skenës politike në Maqedoni, të cilët nga populli quhen politikanë. Populli në vendin tonë u gëzua dhe festoi për fitoren e Erdoanit, ndërkaq i urren këta të trollit të vet që qarkullojnë në skenën politike të Maqedonisë. Kjo, ngase simpatia e vërtetë fitohet me punë të drejtë, të sinqertë dhe të ndershme për popullin, e jo me korrupsion dhe blerje njerëzish. Keni shembull se si duhet të jenë liderët e vërtetë, për atë, arsyetim nuk keni se nuk keni patur shembull. Merrnie shembull nipin e Mehmed Fatihut dhe nxënësin e Erbakanit, Allahu i mëshiroftë.
Në fund, më duhet të përmendi një përgjigje që ia dhashë njkë dashamiri të fesë,deri sa ishim duke pirë një kafe në kafeterinë e xhamisë së Wetzikonit në Kantonin e Cyrihut. Më pyeti i brengosur:”Pse të kapen mes veti Erdoani dhe Gileni, a nuk është kjo humbje për muslimanët? A nuk ishte më mirë të ishin bashkë?” I thashë:E di se ke dëgjuar komente të ndryshme për këtë rast. Por, unë do të mundohem të të përgjigjem në atë mënyrë që të të qetësoj ty, pasi të njoh se e ke dert gjendjen e umetit. Shiko, laikët nuk kanë qenë asnjiherë, më keq se tash. Më herët, kanë qenë dy kampe:islamistët, të përfaqësuar nga simboli i lëvizjes islame dhe rezistencës islame në Europë, Nexhmedin Erbakan, Allahu e mëshiroftë, dhe laikët tjerë të Turqisë, të gjithë së bashku. Ndërkaq, tash, në kohën e Erdoanit, laikët nuk janë as opozitë, janë margjinalizuar të tërë. Tash, opozitarë janë dy figura që njihen se janë të kampit të lëvizjeve islame. Pa mos hy më tutje kush sa është, por kështu njihen. Pra, laikët, aq keq kanë pësuar, sa që nuk janë as opozitë. Vëlla, kuptoje edhe kështu këtë rast, edhe pse ndoshta nuk është ashtu si të them….
Megjithatë, muslimanët janë një trup….feston Tetova, Ulqini, Prizreni, Presheva, Shkoda e gjetiu, për fitoren e Stambollit, fitore kjo, fitore shpresash dhe optimizmi….