Të nxehtët e Kajros dhe të ftohtët e Kievit
Vera e vitit 2013 dhe dimri i vitit 2014, karakterizohen me dy ngjarje që patënjehonë të madhe në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, normalisht duke mos e anashkaluar holokaustin e pushtetit tiran alevit të Asadit mbi muslimanët e Sirisë, gjegjësisht fjala është për grushtshtetin e Qershorit të vitit 2014 në Kajron e nxehtë, nga ana e klanit ushtarak të ushtrisë egjiptiane mbi kryetarin legjitim Muhamed Mursi, të zgjedhur në zgjedhje të lira dhe fer, dhe revolucionin e popullit kundër kryetarit Janukoviç në Kievin e ftohtë, në dimrin e vitit 2014, i cili erdhi në krye të shtetit të Ukrainës falë përçarjes së opozitës dhe manipulimit të zgjedhjeve.
Këto dy ngjarje mund të analizohen nga aspekte të ndryshme, sidhe të nxirren përfundime të rëndësishme për pozitën gjeostrategjike të dy vendeve dhe për planet që, qarqe të ndryshme, i bëjnë për rajonet përkatëse, pastaj konfrom këtyre planeve, mbajnë edhe qëndrime karshi këtyre ndodhive, si dhe marrin hapa në drejtim të imponimit të zgjedhjes që do të ishte në favor të opcionit të cilin ata e mbështesin. Megjithatë, në të dy këto ngjarje, me theks të veçantë, mund të analizohet roli i ushtrisë, si dhe qëndrimi i UE-së, SH.B.A-ve, NATOS dhe palëve tjera, përkitazi me këtë rol dhe emërimin e këtyre ndodhive.
Në Kajron e nxehtë, komandës së ushtrisë Egjiptiane i vlonte koka, por nuk mund të them se kjo ishte rezultat i kushteve atmosferike, gjegjësisht temperaturave të larta që mbretërojnë në atë kohë në Kajro. Por, duket se ky vlim, ishte rezultat i shtypjes së madhe për realizimin e skenarit të rrënimit të pushtetit të zgjedhur me vota të lira, ngase orientimi i këtij pushteti nuk përkonte me planet sioniste dhe amerikane për rajonin e botës arabe dhe për formësimin e një rendi të ri në lindjen islame. Së këtejmi, posa u nxorrën njerëzit në rrugë, fjala është për njërën palë, gjegjësisht opozitën e bashkuar laike të mbështetur nga ushtria, komanda ushtarake e Egjiptit i dha ultimatum kryetarit të zgjedhur me vota të lira që t’i bindet opozitës e cila pesë herë rresht humbi nga vota e popullit. Çdo gjë ishte e qartë, shihej haptazi se po realizohej një plan i vënë që më herët, dhe se nuk ishte fjala për revolucion popullor, ngase turmat e mëdha të njerëzve të dala në mbështetje të legjitimitetit dhe në mbrojtje të votës së lirë, jo vetëm që nuk u merreshin para syshë, por, bile edhe kërcënoheshin dhe rrezikoheshin. Me nji fjalë, mbi ta ushtrohej dhunë fizike, psikologjike dhe mediatike.
Me të ndodhur grushtshteti në Korrik të 2013 mbi presidentin legjitim të Egjiptit Muhamed Mursi, priteshin reagimet e faktorit ndërkombëtar dhe aktorëve tjerë arabë, të cilat reagime demonstruan një hipokrizi të paparë dhe një mllef të stërzmadhuar e të shtresuar dekada me radhë kundër lëvizjeve islame. Ata që priteshin ta dënojnë grushtshtetin, ngase kultura e tyre demokratike nuk lejon një gjë të tillë, jo vetëm që nuk ishin të drejtpërdrejtë në dënimin e grushtshtetit, por bile as që e emëruan me këtë emër. U mjaftuan vetëm me disa deklarata jo të drejpërdrejta për problemin në fjalë, që lenin hapësirë të interpretohen në forma të ndryshme nga analistët, ngase ishin të formuluara me bisht. E drejta e garantuar për shprehjen e mendimit të lirë u ngulfat, bile u terrorizua rëndë në sheshet e qyteteve të Egjiptit, e ata që aq tepër i këndojnë lirisë së shprehjes dhe të drejtës së shprehjes së mendimit, nuk u trazuan fare se “shenjtëritë” e tyre laike po nëpërkëmben nga ushtarakët. Në çdo vend tjetër dënohej ashpër ndërhyrja e ushtrisë në jetën politike të vendit, por jo edhe në Egjipt, ku ushtria e riktheu edhe më keq se në kohën e Mubarakut, diktaturën dhe ngulfatjen e lirisë së mendimit dhe të zgjedhjes politike.
Në rastin e Ukrainës, në dimrin e 2014, kur të ftohtit u dasht ta pengojë në një masë të madhe lëvizjen, bile edhe reagimet e faktorit ndërkombëtar do të duhej të ishin më të vonshme për shkak të ftohtit në Kiev, ndodhi e kundërta. Reagimet ishin shumë të shpejta dhe të vendosura në favor të procesit politik dhe kundër çdo ndërhyrje të ushtrisë. Të ftohtit e Kievit nuk i pengoi lëvizjet e faktorit ndërkombëtar për të parandaluar ndërhyrjen e ushtrisë në kontestin politik të vendit. Trysnia e faktorit ndërkombëtar bëri që komanda e ushtrisë së Ukrainës të deklarohet se nuk do të dal në krahun e asnjërës palë të involvuar në krizën politike të shkaktuar në vend, por ushtria do t’u përmbahet detyrimeve të veta të përcaktuara me kushtetutë që t’i mbrojë kufijtë, ndërkaq kriza politike, duhet të zgjidhet me mjete politike dhe me përfshirjen e të gjitha palëve në dialog. Me këtë, ushtria ndihmoi në afrimin e palëve në dialog, e jo në largimin e tyre, ngase veç dialogut dhe marrëveshjes politike, nuk kishte rrugë tjetër për dalje nga kriza. Kjo gjë nuk ndodhi në Egjipt, ku ndërhyrja e ushtrisë, i largoi edhe më tepër palët e kundërta, si dhe e bëri të pamundëshëm dialogun dhe arritjen e marrëveshjes. Normalisht, ky ishte edhe qëllimi i ushtrisë në bazë të planit të vënë më herët për grushtshtet ndaj presidentit legjitim dhe rikthimin e rolit të ushtrisë në jetën politike në Egjipt, gjë që është kërkesë strategjike e Izraelit.
Poashtu, në rastin e Ukrainës, u mbrojtën institucionet politike të dala nga zgjedhjet, gjegjësisht nuk u shkarkua parlamenti i zgjedhur nga populli, por u shndërrua në arenë të vërtetë debati dhe përplasjesh mes pushtetit dhe opozitës, dhe në fund, pikërisht parlamenti i zgjedhur nga populli, e shkarkoi edhe ministrin e brendshëm, edhe prokurorin publik, edhe kryetarin e shtetit. Ndërkaq, në rastin e Egjiptit, pushteti ushtarak i pezulloi të gjitha organet e zgjedhura nga vota e popullit. Dhe paramendo, ata që e quajnë veten rojtarë të vlerave demokratike, nuk mundën ta gjejnë fjalën grushtshtet në fjalorin e tyre politik, për ta cilësuar puçin ushtarak të klanit famëkeq dhe servil të ushtrisë egjiptiane.
Të dy këto ndodhi, mund të analizohen edhe nga një aspekt tjetër, gjegjësisht nga numri i viktimave. Në rastin e Ukrainës, pati diku mbi tetëdhjetë viktima, dhe kjo qe e mjaftueshme, bile e tepërt, që faktori ndërkombëtar të deklarojë se Janukoviç e ka humbur legjitimitetin. Ndërkaq, në rastin e puçit ushtarak në Egjipt, pati me mijëra viktima nga mesi i protestuesve antipuçist, por faktori ndërkombëtar jo vetëm që nuk pati guxim të kërkojë ndëshkimin e krerëve ushtarakë dhe policorë që e bënë këtë masakër mbi popullin e egjiptit, por bile as që i quajtën puçistë dhe kriminelë.
Tash, gjykoni vetë si u nxehën në kokë rojtarët e vlerave demokratike në dimrin e ftohtë të Kievit, dhe si u freskuan dhe relaksuan në verën e nxehtë të Kajros.