Ummeti i vërtetë dhe shoqëria muslimane sot
Mehas Alija
Shumë shpesh na ndodh që të krenohemi me të kaluarën tonë të lavdishme, e fare pak të turpërohemi me aktualitetin që po jetojmë. Shumë herë marrim shembuj nga e kaluara dhe flasim për të mirat që sollën muslimanët në botë dhe për heroizmin dhe shpirtgjërësinë e prijësve të tyre. Përmendim me krenari organizimin e mrekullueshëm të shoqërisë nga ana e Muhammedit a.s. Githashtu, nuk harrojmë as maturinë dhe vizionin e Ebu Bekrit, strategjinë dhe drejtësinë e Omerit, humanizmin dhe kapacitetin e Osmanit, si dhe diapazonin e gjërë të njohurisë së Aliut, r.a. Po, vallë, ç’po ngjet me ne, pse nuk riorganizohemi? Pse nuk na kënaq gjendje e sodit e Ummetit?
Ku janë ebubekrat, omerët, alitë dhe osmanët e ditëve të sodit? Ku janë ata që, me sjelljet e tyre, u shkojnë prapa kolosëve të parë, respektivisht shokëve të Muhammedit a.s.
Për fatin e keq, është turp që sot e sheh Omerin në kafene, një Ali tjetër e sheh në një shtëpi publike, një tjetër Osman në burg, etj… Është për keqardhje fakti që sot, shumë muslimanë, i shohim nëpër vende ku mëkatohet dhe injorohet Allahu i Madhërishëm. Zot na ruaj!
Dhe me të drejtë dëshirojmë të pyesim se ku është Ummeti i Muhammedit a.s., ku janë sot ashabët e Kur’anit? Në ç’hall gjendet Ummeti sot? A nuk na ka kapluar pasioni për dynjanë, etja për famën, egoizmi dhe dashuria për paranë? A nuk vuajmë nga mungesa e moralit, e vlerave fetare e shpirtërore? Ku mbeti altruizmi, vyrtiti kapital i bontonit profetik; e diturisë si i humbi vlera midis nesh?
Le t’i shohim vetëm këto fakte. Në të gjithë botën islame, nga 57 shtete sa janë, ekzistojnë rreth 500 univerzitete, kurse vetëm në SHBA janë rreth 6000 univerzitete, e të mos flasim për Indinë, shtet i cili posedon mbi 8000 univerzitete. Asnjë fakultet islam nuk gjendet në toplistën e 500 univerzitevete më të mirë dhe më prestigjoz në botë.
Unë jam i bindur se ngecja jonë nuk është vetëm se një rezultat i disave faktorëve të jashtëm, porse ka ndikuar, po ashtu, edhe dobësia e brendshme, shpirtërore dhe lënia pas dore e disa segmenteve fetare tonat, të parapara si faktorë për ecjen e fuqishme përpara të tjerëve.
Përderisa Perëndimi lëviz nëpër gjithësi, hulumton thëllësitë e deteve, studion gjenet njerëzore, zbulon teknika moderne të sundimit, shpik mjetet më të sigurta të komunikacionit, si dhe ka zgjeruar ndjeshëm forcën e ndikimit me anë të mjeteve të komunikimit, ne si muslimanë akoma merremi me problemet e rrugëve dhe të urbanizmit. Halli ynë ka arritur deri aty sa që jemi bërë më shumë shfytëzues se zbulues, ndërkohë që konstatojmë dhe komentojmë atë që shumë herët Allahu ynë i Madh e ka potencuar në Kuranin fisnik, kështu që, presim vetëm të vijë ndokush tjetër të zbulojë atë që do të duhej ta bënim vetë ne.
Me këto rreshta, të dashur vëllezër e motra, nuk desha t’ju lëndoj e t’ju mbjell pesimizëm, porse vetëm doja të zgjoja dëshirën e përbashkët për të parë dhe kuptuar sa më drejtë se, vërtetë, në ç’gjendje ka rënë Ummeti ynë, i cili dikur shquhej për nga vlerat e mirëfillta të qytetërimit, sundimit, vizionit, shkollimit, moralit, familjes dhe të organizimit të shoqërisë.
Për të parë se akoma ka vend për shpresë dhe se energjitë për rilindje nuk janë sosur të gjitha, do t’ju sjellë një ajet të Kuranit, ku Allahu i Madhërishëm potencon:
“Thuaj: “O All-llah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë”!(Ali Imran, 26).
Fama, ndikimi dhe forca janë në duart e Allahut, kurse ajo që na takon neve është që t’i rekemi punës dhe të bëhemi si ashabët, tabiinët, dhe si të parët tanë të devotshëm dhe të mirë, e vetëm kështu do të mund ta ndërtojmë shoqërinë, xhematin, familjen dhe Ummetin.
Shpresa e re, e kohëve tona, është se te shumë popuj muslimanë, identiteti islam, ka filluar të mbulojë, pak nga pak, si një pranverë e bukur, çdo sferë të jetës sonë.
Ringjallja e Ummetit të vërtetë duhet të ndodh, kurse hapi i parë është që nga fjalët të fillojmë të bëjmë sa më shumë vepra!
Zoti na ndihmoftë në kthimin tonë tek rruga jonë!
27.05.2014, e martë, xhamia El-Hidaje