BEDRI, BETEJA E MBROJTJES SË SOVRANITETIT
Dr.Bashkim Aliu
Publikuar me: 5 Korrik 2015
Beteja e Bedrit, e cila ndodhi në vitin e dytë të hixhretit, me 17 Ramazan nuk është thjeshtë një konforntim ushtarak dhe konflikt i armatosur, por, në brendinë e vet ngërthen më shumë kuptime, të cilat, nuk shtrihen vetëm në rrafshin fetar dhe shpirtëror, por edhe në atë juridik, diplomatik dhe politik. Dhe, që është posaçërisht e veçantë në këtë kontekst, eskplorimi i kuptimeve dhe dimenzioneve, si dhe urtësive të kësaj beteje, nxjerr në pah karakterin jo kontrabandues dhe jo të rrezikut të mbijetesës së komunitetit musliman, siç pretendojnë disa, por në të kundërtën, fakton faktorizimin e muslimanëve, jo vetëm si bashkësi religjioze, por edhe si entitet politik dhe formacion i fuqishëm ushtarak, i cili nuk guxon të shihet tash e tutje më si absorbues i rregullave dhe zbatues i direktivave të imponuara, por hartues i rregullave të lojës në rajon dhe më gjërë në skenën botërore, i cili meriton respekt dhe i cili është ngritur në nivelin e të qenit palë vendimmarrëse në arenën botërore.
Duke i ekzaminuar fillet e betejës, dhe shkasin e saj, e jo shkaqet dhe përmbajtjen e tyre, e që lidhet me aksionin për ndalimin e karavanit tregtar të idhujtarve mekas, fitohet përshtypja se bëhet fjalë për një formë haraçi që duhej të merret, apo plaçkitje të një karavani, për shkak të nevojave personale, e që realisht, është shumë larg të qenit shkak dhe qëllim i vërtetë i betejës dhe motiv i vërtetë i ndaljes së rrugës së karavanit tregtar. Në fakt, përsiatjet, analizat dhe ekzaminimet e duhura të ndodhive, rrethanave dhe pozitës gjeopolitike të Medines, të çojnë përtej vlerësimeve të tilla miope, të cilat nuk konvergojnë me momentet nëpër të clat kalonte shteti islam dhe me ambicjet e tij për të zënë vend në hartën politike dhe ushtarake të botës, që ai synonte t’i jepte ngjyrë të re.
Dalja në rrugë për ta ndalur karavanin e palës me të cilën muslimanët ishin në luftë, gjë që u morr si shkas, por jo edhe shkak i vërtetë i përballjes, nuk simbolizon lajtmotivin e ekzistimit të shtetit islam, gjegjësisht tendecat për të përvetësuar pronë të huaj, por shënon vetëdijen e lartë dhe përkushtimin e muslimanëve për t’i mbrojtur vlerat dhe vetveten, e që sot, në të drejtën ndërkombëtare, njihet si „mbrojtje e sovranitetit“. Pra, thënë me gjuhën e sotme politike dhe me normat e të drejtës ndërkombëtare, muslimanët me këtë veprim e mbrojtën sovranitetin e shtetit të tyre, i cili shkilej pa precedan nga ana e idhujtarëve. Në të drejtën ndërkombëtare, sovraniteti është e drejta e çdo populli dhe shteti për të vendosur të lirë dhe të pavarur për të gjitha çështjet e veta dhe pa ndërhyrje nga askush. Sovraniteti është e drejta ekskluzive për të ushtruar autoritet mbi popullin dhe rajonin gjeografik, që do të thotë se shteti ka kontroll ndaj kufijve të vendit të vet, dhe sovraniteti aludon në ushtrimin legal të pushtetit nga ana e një shteti. Në vitin 1648, në Paqën e Vestfalisë, u miratua parimi i sovranitetit teritorijal si doktrinë e mospërzierjes në punët e shteteve tjera. Pikërisht, këto pariem bazë të të drejtës ndërkombëtare, ishin shkelur nga ana e palës idhujtare, gjë që kërkonte reagim të vendosur dhe të fuqishëm të palës muslimane, në mbrojtje të kufijve dhe sovranitetit të shtetit, si dhe dinjitetit të kombit musliman në shtetin e posaformuar në Medine. Krahas kësaj, shkelja e sovranitetit të shtetit islam, bëhej në mënyrë tejet provokative, duke shkelur rregullat e qarkullimit në territorin e një vendi me leje të organeve përkatëse, dhe edhe më keq se kaq, duke qarkulluar jo vetëm pa leje, por edhe me pasuri të muslimanëve të cilët kishin emigruar në Medine, të ozurpuar pa të drejtë dhe me forcë.
Të gjitha këto veprime abuzive dhe provokative, nuk mund të lejoheshin të kalojnë pa ndëshkim meritor nga ana e muslimanëve, ngase kjo sjellje e pa përgjegjshme e palës idhujtare, mëtonte të bëhej mekanizëm i poshtrimit të shtetit të ri të formuar në Medine nga ana e muslimanëve në krye me Muhamedin s.a.v.s., para syve të botës, dhe të bëjë defaktorizimin e tyre në arenën botërore.
Nisur nga kjo, nuk mund të jetë objektiv vlerësimi se shkaku i luftës së Bedrit ka qenë i një natyre abuzive dhe plaçkitëse, ose, të thuhet se më për së afërmi, mund të kualifikohet si luftë për mbijetesë. Realisht, analiza e mirëfilltë e kësaj beteje dhe e rrethanave në atë kohë, na konfirmon jo saktësinë e këtij vlerësimi dhe na dërgon në fushën e duhur nga e cila duhet vështruar betejën e Bedrit, gjegjësisht fushën e normave të së drejtës ndërkombëtare për mbrojtjen e sovranitetit të shtetit, dinjitetit dhe krenarisë së kombit, dhe ushtrimin e pushtetit mbi gjithë territorin e shtetit.
Në dioptrinë doktrinare dhe spirituale islame, beteja e Bedrit shkon përtej normave juridike dhe termave politik, duke u zbarkuar në oqeanin e qetë të ndjenjave dhe vetëdijes së lartë fetare, përkushtimit ndaj kauzës së besimit, dhe gatishmërisë për të sakrifikuar për idealet islame. Ky rrugëtim i dinjitetshëm, shkon edhe përtej kësaj bote, duke treguar synimin final të besimtarit: dinjitetin dhe kënaqësinë e Krijuesit në të dy botërat.