“Ne në Zvicërr përcjellim mesazhin islam”-Nehat ef. Ismaili, Interviste per revisten Paqja
Publikuar me: 22 Tetor, 2015
“Puna që bëhet në xhami është mësim-besimi, edukimi, përqëndrimi në kultivimin e gjuhës së pastër shqipe nëpër mektebe, aktivitete kulturore, aktivitete sportive, grupe dramaturgjike, aktivitete humanitare, siç janë dhurimi i organizuar i gjakut nga xhemati, ekskurzione nga më të ndryshme brenda dhe jashtë Zvicrrës, kampingje, përcjellja e ndeshjeve sportive në mënyrë të organizuar, organizimi i seminareve, tribunave, koncerteve islame, manifestimet e ndryshme me karakter kulturor dhe kombëtar”, – u shpreh në mes tjerash në intervistën dhënë revistës sonë kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvizër Nehat ef. Ismaili.
~ Paqja: Kur është themeluar dhe në ç’formë është i organizuar Unioni i Imamëve Shqiptar në Zvizër?
- Nehat Ismaili: Ideja për themelimin e Unionit të Imamëve Shqiptar në Zvizër ka filluar qysh në qershor të vitit 2010. Pra lindi nevoja që imamët shqiptarë të ulen e të bisedojnë në mes veti për të marrë përgjegjësinë fetare e kombëtare. Në Zvicërr ka edhe komunitete tjera islame: të turqëve, arabëve e boshnjakëve dhe secili prej tyre ka organizimin e vet. Pra shqiptarët mbetën disi si anësh dhe sikur prisnim që të tjerët t’i kryenin punët për ne. Themelimit të tij i kanë paraprirë paraprakisht disa takime të imamëve shqiptarë. Ishim të vetëdijshëm se mërgata shqiptare në Zvicërr sytë i kishte drejtuar drejt nesh dhe priste punë më të organizuar. Deri atëherë funksiononte Keshilli Koordinativ i Qendrave Shqiptare, Këshill ky që i tubonte anëtarët një herë në vit në vigjile të Muajit të Ramazanit për të diskutuar ecurinë e organizimit të Muajit të Ramazanit, përgatitjen e imsjakijave dhe kalendarëve dhe njoftim mbi rrjedhat e Haxhit. Pa dyshim që kjo nuk mjaftonte për zhvillimin normal të jetës fetare, kishte kërkesa të shumta që paraqiteshin dhe sfida të reja. Në Zvicër mungonte organizimi i mirëfilltë dhe kishte nevojë që ne të kishim një strukturë organizative, e cila rreth vetes do të tubonte imamët, të cilët krahas potencialit dhe kreativitetit për punë kanë edhe dëshirë për ta dëshmuar veten e tyre. Kësisoj ne duke pasur parasysh këto rrethana, zhvilluam disa takime radhazi prej qershorit të vitit 2010 e deri në janar të vitit 2012. Pas afërsisht dhjetë takimeve të suksesshme, me ndihmën e Allahut të Madhëruar arritëm t’i harmonizojmë qëndrimet dhe vendosëm të themelojmë Unionin e Imamëve Shqiptar në Zvicërr. Kështu pra më 22 janar në Bern erdhi deri te themelimi i Unionit, zgjedhja e organeve drejtuese dhe përpilimi i statusit. Kështu qe tre vite që nga ekzistimi i tij, Unioni veçmë ka filluar të etablohet në shoqëri, duke zhvilluar aktivitet të gjerë si brenda ashtu edhe jashtë Zvicrrës. Duke u vendosur në shërbim të popullatës, duam të përcjellim një mesazh të qartë për të gjithë shqiptarët. Bazuar në metodologjinë e shëndoshë islame kemi kanalizuar të gjitha aktivitetet tona, për të marrë përsipër që në Zvicërr të vendoset rendi. Zaten është pikërisht ky vend që respekton ligjin e rregullat dhe gjithçka synon ta bëjë në përputhje me to. Pra ata duan që çdo punë e aktivitet të dihet paraprakisht që më parë. Shqiptarët në Zvicërr më herët nuk kanë festuar me një datë as festat e Bajramit, kurse tani Unioni në marrëveshje me bashkësitë islame të vendlindjes dhe në koordinim me qendrat e mëdha botërore islame ka harmonizuar datat e kremtimit të këtyre festave, duke shmangur kështu hutinë që ishte më parë. Unioni ka strukturën e vet, kryesinë prej pesë anëtarëve, këshillin mbikëqyrës prej tre anëtarëve, kryetarin dhe nënkryetarin e kuvendit. Imamët shqiptarë në Zvicërr bashkëpunojnë dhe kanë raporte të shkëlqyera mes veti dhe së bashku i bashkërendojnë aktivitetet e tyre.
~ Paqja: Cili është qëllimi i themelimit të Unionit dhe çfarë e dallon atë prej organizimeve tjera?
- Nehat Ismaili: Duke e pasur parasysh se komuniteti shqiptar në Zvicërr është komuniteti më i madh karshi komuniteteve tjera, ne kemi dashur që për shqiptarët të flasin shqiptarët, pra hoxhallarët e vendeve nga vijnë shqiptarët këtu, ashtu që ata të mbrojnë vlerat e Islamit, por edhe të mbajnë gjallë edhe frymën kombëtare. Ideja ka qenë që në Zvicërr të përcjellim mesazhin islam dhe vijën mesatare të Islamit. Në mbështetjen e kësaj ideje jemi shumë të sinqertë e transparent, sepse kjo është fundamentuar edhe në Kuran dhe Sunet. Kjo ka peshën e rëndësisë së vet në organizimin e jetës fetare, sepse në mungesë të një mekanizmi menaxhues, atëherë në skenë dalin njerëzit e papërgjegjshëm, prej të cilëve dalin qëndrime nga më të ndryshme. Dalin individ të gjithfarëllojshëm që prezentojnë Islamin, kurse nga ana tjetër mbrojnë interesa të caktuara ideologjike dhe politike. Hoxhallarët që janë nën ‘kupolën’ e Unionit janë të shkolluar nga shkolla të ndryshme, gjë që është një pasuri e madhe. Çdoherë kur paraqitet nevoja e nxjerrjes së fetvave në përputhje me vendin ku ndodhemi, kjo laramani e shkollimit të hoxhallarëve në vende të ndryshme dhe me dije e përvoja të llojllojshme, ndihmon dhe kontribuon zgjidhjen e problemeve mbi baza të shëndosha islame. Po ashtu përmes Unionit dëshirojmë të kontribuojmë sadopak në zgjidhjen e problemeve të shumta të popullit shqiptar dhe musliman në përgjithësi në Zvicërr, si në aspektin social, psikologjik, kulturor e fetar, duke ofruar këshilla e sugjerime, duke intervenuar në raste të veçanta për zgjidhjen e problemeve familjare, në raste shkurorëzimesh e kështu me radhë. Gjithashtu përmes debateve, tribunave e diskutimeve duam të depërtojmë në shoqëri për të artikuluar sa më mirë e në mënyrë dinjitoze qëndrimet tona, të cilat kuptohet bazën e kanë në Kuran e Sunet, ngaqë deri më tani kemi qenë një shumicë e heshtur dhe nuk na është dëgjuar zëri sa duhet dhe nuk kemi qenë zë i fuqishëm në përballje me realitetin aktual. Unioni njëherësh angazhohet për integrimin e shoqërisë shqiptare muslimane në shoqërinë zvicerrane, në një integrim do ta quaja të kontrolluar që ka parasysh mbajtjen e barazpeshës në interpretimin mesatar të Islamit, sepse izolimi i popullatës shqiptare muslimane nga shoqëria e këtushme në përgjithësi nuk është në interesin tonë, po as edhe asimilimi nuk është në interesin tonë, kështu që ne kemi vendosur vija të qarta se cila rrugë duhet ndjekur për këtë integrim.
~ Paqja: Krahas karakterit fetar, Unionin e dallon edhe aktiviteti në planin kombëtar. Cilët janë angazhimet tuaja në këtë kontekst?
- Nehat Ismaili: Në agjendën tonë të Unionit, kemi paraparë që ndikimin tonë ta shtrijmë në sfera të ndryshme e të shumta, ashtu që Unioni të bëhet tamam një bashkësi e shëndoshë islame, me plotë kuptim në të gjitha fushat. Nuk mund të thuash se ndihmon popullin nëse jep vetëm këshilla e sugjerime. Përpos angazhimit për ngritjen e vetëdijes intelektuale të shqiptarëve muslimanë në Zvicërr, ne duhet që në momente të caktuara të jemi edhe më pragmatik, pra që t’u dilet në ndihmë njerëzve konkretisht. Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër ka qenë organizator i një manifestimi të madh kulturor me rastin e 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, ku kishim të ftuar politikanë të shquar, ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme. Me rastin e 28 nëntorit çdo vit xhamitë organizojnë turnire të futbollit të vogël në salla sportive. Xhamitë përpos kultivimit të ndjenjave fetare kanë edhe rolin e kultivimit të ndjenjave kombëtare. Kemi mbështetur dhe mbështesim aktivetetet kulturore të shoqërive artistike, ndërsa shpesh pjesëmarrësit kanë ardhur dhe i kanë vizituar xhamitë, kurse ne u kemi dhënë broshura e materiale islame. Unioni ka grumbulluar ndihmë të konsiderueshme edhe për popullatën shqiptare të goditur më 9 maj të këtij viti në Lagjën e Trimave në Kumanovë, me rastin e aksionit policor me ç’rast u dogjën dhe u dëmtuan mbi 60 shtëpi. Në aktivitet morën pjesë rreth 50 xhami dhe qendra shqiptare. Mirëpo pati edhe donacione simbolike nga komunitete të ndryshme. Për tri ditë u grumbulluan afro 200 mijë franga zvicërrane, ndërsa për shkak të transparencës ndaj donatorëve dhe popullatës kemi shkuar në vendin e ngjarjes dhe kemi bërë shpërndarjen e tyre. Ndihmat në të hollat janë ndarë në bazë të vlerësimit të dëmeve që e ka bërë komisioni i formuar nga ky Unioni i Imamëve Shqiptar në Zvicër. Po ashtu edhe me rastin e vëshimeve në Tetovë, në ditën e dytë dolëm në terren, nga pamë se realisht ajo popullatë kishte nevojë të ndihmohej. Brenda dy javësh grumbulluam dhe shpërndam afro 60 mijë frangash. Ne vitin e kaluar shpërndam afro 60 mijë franga edhe për Bosnjën me rastin e vërshimeve dhe dëmeve që shkaktuan ato atje. Në bashkëpunim me Islamik Reliev kemi grumbulluar nga donatorët diku afro 200 mijë franga, të cilat i kemi dedikuar për Afrikë dhe nevojat e popullatës muslimane atje. Po ashtu kemi pasur një projekt në vlerë prej 78 mijë frangash për pajisjen e shkollave shqipe në Maqedoni me karrige, banka dhe nevoja tjera imediate. Gjithashtu kemi realizuar edhe një projekt në Kosovë për sjelljen e sistemit të ujit të pijshëm në një prej fshatrave të Kosovës, projekt prej dhjetëra mijëra frangash zvicerane. Disa vite me rradhë nga disa xhami në Zvicër organizohet edhe aksionin humanitar tradicional “Dhuro një pikë gjak për të shpëtuar jetën e një njeriu”. Kjo traditë e dhurimit vullnetar të gjakut bëhet në shenjë solidarizimi me qytetarët, të cilët kanë nevojë për gjak. Aksioni organizohet edhe nga Xhamia e Bardhë e Arburgut ku shërbej si imam, ndërsa fakti që ky aksion zhvillohet në vigjilje të Kurban Bajramit nënkupton simbolikën e sakrificës. Para aksionit mbahen edhe seminare për të senzibilizuar qytetarët që të japin gjak për të mirën e shëndetit të tyre, por edhe për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë. Qëllimi i ekzistimit të Unionit nuk është organizimi i aktiviteteve humanitare, por përmes këtyre rasteve dëshmuam se dimë të organizohemi dhe të marrim përgjegjësi të mëdha në kohë dhe rrethana të caktuara. Unioni çdo vit organizon seminare trajnuese për imamët shqiptarë. Në seminare ligjërojnë edhe dijetarë të shquar të botës islame. Gjithashtu mbajmë seminare edhe për zhvillimin e dialogut dhe marrëdhënieve ndërfetare. Seminaret vërtet kushtojnë diku 10-15 mijë franga, por ia vlen, sepse janë shumë të dobishme për muslimanët në përgjithësi. Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër ka organizuar edhe ekspozitë të hapur për të gjithë vizitorët me temën: “Biografia e Muhamedit a.s. nga lindja deri në vdekjen e Tij”. Një ekspozitë e tillë është ekspozuar në 27 shtete të botës. Kuadri i Unionit i përbërë nga imamët, deri tani kanë të publikur mbi 150 vepra, kryesisht përkthime nga gjuhë të ndryshme të literatures islame, rezenzione, mes tjerash edhe mbi 30 vepra autoriale, ndërsa po ashtu janë edhe aktiv në konferenca të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë Zvicërs.
~ Paqja: Ju ndodheni në një vend kryesisht të krishterë, sa jeni të vëmendshëm ju dhe predikuesit e tjerë, duke pasur parasysh islamofobinë në rritje e sipër?
- Nehat Ismaili: Ne jemi kundër çdo ekstremizmi e fanatizmi të secilit lloj. Ne përpiqemi edhe për zhvillimin e dialogut ndërfetar; jetojmë në Zvicërr dhe kemi kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e kishave dhe bashkësive të ndryshme fetare, sepse vetëm duke e njohur njëri-tjetrin mund të mësohemi që të bashkëjetojmë. Pas liberalizimit të vizave është bërë gati e pamundshme të dihet cili hoxhë vjen këtu, çfarë përgatitjesh e qëllimesh ka. Më parë ardhjen e tyre e kontrollonin bashkësitë përkatëse islame nga vendlindja. UISHZ viteve të fundit ka organizuar disa seminare për imamët shqiptarë në Zvicër me profesorë eminentë të fushave në fjalë. Janë botuar broshura, janë organizuar tribuna dhe është punuar për unifikimin e planprogramit mësimor në të gjitha shkollat fetare që funksionojnë në kuadër të xhamive shqiptare në Zvicër dhe së fundmi përpilimin e një rregulloreje të unifikuar për të gjitha qendrat islame shqiptare etj. Gjuha e imamëve është e njëjtë në të gjitha rrafshet, por ngandonjëherë mundet gabimisht të interpretohet, ose të kuptohet ose të barten në kontekst të gabuar fjalët dhe kjo të shkaktojë huti. Për atë duhet të konsultohet imami personalisht e jo të jepen vlerësime për fjalët e i imamit në bazë të përcjelljeve anonime të deklaratave. Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër distancohet publikisht nga veprimet individuale të personave të caktuar që shkelin rendin kushtetues zviceran, veçanërisht nëse bëhet fjalë për rekrutimin e të rinjve dhe dërgimin e tyre në frontet e luftës nëpër vende të ndryshme. Ne mbajmë llogari vetëm për qendrat islame që janë pjesë e këtij Unioni dhe për imamët që janë anëtarë të rregullt të këtij Unioni, duke apeluar te të gjithë protagonistët e jetës fetare në Zvicër që të angazhohen në edukimin e mirëfilltë të brezave të rinj, luftimin e dukurive devijante dhe të dëmshme për të rinjtë, avancimin e vlerave universale dhe integrimin e tyre në shoqërinë zvicerane. Unioni tërheq vërejtjen edhe ndaj keqkuptimeve të mundshme që mund të çojnë në etiketime të panevojshme.
~ Paqja: Ju siç theksuat nuk jeni shoqatë humanitare, por a nuk do të ishte më e arsyeshme që brenda Unionit të kishit një dikaster dedikuar për këso qëllimesh. Meqë diaspora është më e pasur, kurse në vendlindje ka raste të varfërisë tejet ekstreme, a nuk do të ishte e udhës të riaktualizohej ai 3% i famshëm i Qeverisë së Kosovës, por tani me moto tjetër. Kur ka mundur diaspora të organizohej atëherë, pse s’mundet tani?
Nehat Ismaili: Unioni në përcaktimet e veta programore e ka nënvizuar se kohë pas kohe bën organizimin dhe grumbullimin e mjeteve finansiare për qëllime humanitare, ndërsa imamët janë udhëheqës të këtyre proceseve në bashkpunim të ngushtë me kryesitë e xhamive, si rrjedhojë e kësaj menjëherë formohet komisioni prej vetë imamëve, të cilët këtë veprim e kanë punë permante në xhamitë e tyre gati çdo muaj. Çdo xhami shqiptare në Zvicërr krahas aktiviteteve të lartëpërmenduara ka aktivitete permanente mujore humanitare.
~ Paqja: Po theksoni se ndiqni Islamin mesatar e të moderuar dhe kjo në mënyrë implicite dhe eksplicite domethënë vijën tradicionale të medh-hebit hanefi. Si në vendlindje ashtu edhe në diasporë kanë depërtuar rryma alternative të predikimit, më ndryshe. Çfarë do të bënte Unioni nëse fluksi i këtyre predikuesve shtohet?
Nehat Ismaili: Unioni ka qëndrim korrekt ndaj të gjithëve, përgjegjës për hoxhollarët janë vetë xhematet shqiptare. Ata finansojnë angazhimin e tyre për detyrën që bëjnë. Ne nuk jemi në rolin e policit dhe nuk kemi fuqi ekzekutuese. Ne jemi organizatë e cila angazhohet për bashkimin e imameve, teologeve dhe studijuesve të Islamit e organizuar mbi baza vullnetare. Fuqi ekzekutuese kanë vetë xhamitë brenda xhamisë, por ne mund t’u ndihmojmë me këshilla dhe sygjerime, ose duke hapur debate nga më të ndryshmet që janë në interes të xhematit, xhamisë, dhe komunitetit shqiptarë muslimanë në përgjithësi. Ne si Union respektojmë mendimin e secilit edhe nëse nuk pajtohemi, e tërë kjo si kulturë dhe metologji e Unionit dhe imamëve që janë brenda Unionit.
~ Paqja: Mërgimtarët ngaqë jetojnë në një vend të huaj ku më shumë predominon mënyra krishtere e të jetuarit, shpesh hasin në dilema të natyrave të ndryshme. Më e shpeshta që dëgjojmë është droja e marrjes së kredive. Konsultohen edhe te ju për këtë çështje dhe çfarë u thoni?
Nehat Ismaili: Ne i porosisim të gjithe besimtaret që t’i shmangen kredisë dhe kurrsesi të mos i afrohen, sepse realisht ata nuk kanë nevojë për çështje thelbërsore jetësore të marrin kredi, ata janë të punësuar, dhe secili që ka nevojë për një çështje të tillë, personalisht duhet të kontaktojë imamin, ose t’i shkruajë departamentit për fetva të Unionit dhe të diskutohet çdo rast në vete. Ne si Union i këshillojmë besimtarët që të largohen nga blerja me kredi, kamatë, kur dihet mëkati që tërheq pas vetes një akt i tillë. Krahas kësaj, lehtësi më vete është edhe fakti se tani në Zvicër ka filluar edhe shitja e produkteve me këste e pa kamatë.
~ Paqja: Unioni juaj ka dënuar ngjarjet e të ashtuquajturit terrorizëm ndaj stafit të revistës ‘Charlie Hebdo’. Shumë prova të mëvonshme dëshmuan se rasti ishte i inskenuar. Ngjarja ka ndodhur në Paris, atëherë pse reaguat ju në Zvicërr aq shpejt ende pa u ndriçuar rasti në tërësi? Me këtë dua të them, se a nuk e keni parasysh faktin se jetojmë në kohën e islamofobisë kur po demonizohen më së shumti muslimanët dhe ata po janë kryesisht viktimë?
Nehat Ismaili: Ne nuk jemi nisur nga supozimi se rasti është i inskenuar, por nga e dhëna e proklamuar si lajm e që pasqyrohej si fakt. Nga parimet bazë të fesë islame dhuna dhe terrori është i papranueshëm dhe kjo ka rëndësi të thuhet sa më shpesh që është e mundshme kurdo që jepet rasti, ashtu që steriotipet dhe paragjykimet ndaj Islamit të zhduken. Kjo ka më shumë rëndësi sesa çdo gjë tjetër, pra që të jepet pasqyra reale e Islamit dhe të luftohet propaganda ndaj muslimanëve. Inskenimet, improvizimet, dredhitë dhe kurthet perfide e dinake të kujdo qoftë nuk janë lëmi e hetimit ose investigimit tonë; ne pra gjykojmë veprën e shëmtuar dhe pikërisht në këtë gjykim hynë edhe prapaskenat e mundshme, përgjegjësia e të cilave bie mbi organet kompetente të hetuesisë së vendit ku ndodhin ato ngjarje. Ne dënojmë veprat e shmëtuara, dhunën, vrasjen, terrorrin dhe në këtë mes edhe provokimet që u paraprijnë këtyre akteve. Në këtë kontekst ne si Union nuk kemi heshtur dot as me rastin kur kjo revistë ka satirizuar përmes karikaturave personalitetin madhor të Muhamedit alejhiselam. Ne me kohë kemi dënuar atë vepër të fëlliqur që bëhet në emër të lirisë së shprehjes e medias dhe në emër të vlerave të demokracisë liberale. As njëra as tjetra nuk qëndrojnë dhe e kemi bërë të qartë këtë, ngaqë nuk mund të lëndohen, të fyhen e të përdhosen vlerat sublime shpirtërore të një komuniteti në emër të një humori të papresedan. Mirëpo shfrytëzoj rastin t’ia bëjë me dije opinionit, se kemi ngelur të zgjënjyer nga disa portale shqiptare dhe revista elektronike në Zvicër, të cilet hezituan të botojnë reagimin e Unionit me rastin e satirizimit të figurës së Muhamedit a.s., për arsye që nuk na janë thënë në mënyrë të shkruar nga redaktorët në fjalë. Ne gjithashtu kemi reaguar me rastin e vandalizimit të Xhamisë së Flumsit, duke kërkuar nga populla shqiptare muslimane të jenë të kujdesshëm e të mos nguten me kualifikime dhe paragjykime, që rastin në fjalë të mos e klasifikojnë atë si akt islamofobie, për faktin se ne nuk jemi ekspert të rendit dhe sigurisë, por jemi imamë që duhet të gjykojmë drejt dhe realisht dhe çdo rast ta analizojmë veç e veç. Po ashtu kemi reaguar edhe për shumë raste tjera në nivel të Unionit për rastin e hixhabit , në nivele kantonale, si dhe në nivele më të larta të instancave shtetërore.
~ Paqja: Kam përshtypje se hoxhallarët si në vendlindje, ashtu edhe në diasporë kanë mbetur peng të shablloneve të vjetëruara të daëetit: ligjërata në xhami, tribuna, internet – rrjete sociale dhe nuk vërehen madje as përpjekje në gjetjen e modaliteteve tjera që do të ishin ndoshta edhe më efikase. Me fjalë të tjera po burokratizohet pasiviteti i hoxhallarëve dhe ata sikur po ndjejnë satisfaksion në vazhdimin e asaj që kanë gjetur më herët; përse?
Nehat Ismaili:
Kjo absolutisht nuk është e vërtetë, edhe pyetjet që parashtrohet në këtë mënyrë janë të vjetëruara të shablloneve të vjetra. Hoxhollarët në Zvicër janë në hap me kohën dhe zhvillojnë aktivitete nga më të ndryshmet në Zvicër. Përdorimi i internetit dhe rrjeteve sociale të komunikimit masiv për perhapjen e davetit dhe vlerave, nuk janë mjete të vjetërura por janë mjete moderne dhe të kohës. Pastaj, çdo imam në xhami organizon aktivitete që ai i vlerëson se janë të arsyeshme dhe të nevojshme për xhematin e vet. Këtu duhet të kihet parasysh edhe niveli i xhematit, dhe kurssesi nuk pajtohem se hoxhollaret janë mbyllur në shabllonet e veta të vjetëruara, por daveti zhvillohet konform kushteve, nivelit të vetëdijes dhe planifikimit paraprak nga vetë imami dhe kryesia e xhamisë. Puna që bëhet në xhami është mësim-besimi, edukimi, përqëndrimi në kultivimin e gjuhës së pastër shqipe nëpër mektebe, aktivitete kulturore, aktivitete sportive, grupe dramaturgjike, aktivitete humanitare, siç janë dhurimi i organizuar i gjakut nga xhemati, ekskurzione nga më të ndryshme brenda dhe jashtë Zvicrrës, kampingje, përcjellja e ndeshjeve sportive në mënyrë të organizuar, organizimi i seminareve, tribunave, koncerteve islame, manifestimet e ndryshme me karakter kulturor dhe kombëtar. Unioni ishte aktiv edhe në mobilizimin dhe vetëdijësimin e mërgatës shqiptare përkitazi me rëndësinë e të votuarit për deputetin e diasporës duke aktivizuar tërë potencialin kadrovik dhe infrastrukturor për këtë qëllim kombëtar. Por kemi shprehur pakënaqësinë tonë në lidhje me ecurinë dhe dinamikën e procesit votues dhe parregullsitë e ndryshme. Ne nuk mund të ndërtojmë anije kozmike për të shkuar në Hënë, e as që i posedojmë mjetet e NASA-s, por tentojmë dhe bëjmë përpjekje në kontinuitet për të ndërtuar individ, familje dhe shoqëri të shëndoshë, për t’i shërbyer fesë, vatanit, kombit dhe një vendi të bukur ku jetojmë dhe veprojmë siç është Zvicra.
Biografia – CV: Nehat Ismaili ka lindur në Kumanovë. Ka diplomuar në Universitetin Islamik në Medine, në Fakultetin e Dawes – Institutin e Gjuhës Arabe për të Huaj. Ka ndjekur studimet master në Francë, Institutin Europian të Shkencave Humane në Paris. Është përkthyes dhe recenzent i dhjetëra veprave nga gjuha arabe. Ka qenë anëtar i Forumit Rinor Islam (FRI) në Maqedoni, viti 2003-2007, anëtar i Këshillit Koordinativ për Qendrat Islame Shqiptare në Zvicërr nga viti 2008, anëtar i Lidhjes së Muslimanëve të Kantonit Aarau që nga viti 2009, njëri prej iniciatorëve dhe themeluesve të Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ), nënkryetar i UISHZ- së nga viti 2012-2014 dhe nga viti 2014 kryetar i UISHZ-së. .