Transparenca dhe deklarimi i pasurisë së zyrtarëve në Spanje kur udhëhiqej nga muslimanët
Publikuar me: 28 Janar, 2016
Dr.Bashkim Aliu
Jursiti i njohur i shkollës juridike Malikite nga Endelusi (Spanja), Muhamed ibn Jebki ibn Zerb, kur e pranoi detyrën e gjykatësit, gjë që iu imponua e jo se e deshi vetë, e dkelaroi pasurinë e tij. Me fjalë tjera, kur u mblodhën shokët dhe miqtë e tij që ta urojnë për detyrën e re, Muhamed ibn Jebki ibn Zerb e nxorri para tyre një arkë me pasuri, ari e argjend, dhe kërkoi prej tyre që të dëshmojnë se ai e posedon këtë pasuri para se të bëhet gjykatës, e jo pasi është bërë gjykatës, me qëllim që mos bëhet objekt bisedash dhe shpifjesh se këtë pasuri e ka arritur pasi është bërë gjykatës.
Sot, në botën bashkëkohore, ka ligje që e detyrojnë çdo zyrtar ta deklarojë pasurinë, me qëllim që të ketë transparencë dhe përgjegjësi për mënyrën se si zyrtarët e fitojnë pasurinë, me qëllim që mos ketë keqpërdorime të detyrës zyrtare. Ndërkaq, zyrtarët muslimanë këtë e kanë bërë shumë shekuj para se bota bashkëkohore ta miratojë këtë ligj për zyrtarët. Kjo, ngase zyrtarët muslimanë e kanë ditur se ata duhet të jenë transparent dhe të pastër, dhe se për detyrën që e kryejnë kanë përgjegjësi para Allahut të Madhërishëm, dhe në të njejtën kohë, kanë qenë përgjegjës që mos shkaktojnë dyshime tek njerëzit dhe mos bëhen shkak që njerëzit të flasin pastaj për ta se si zunë pozita, u pasuruan. Me këtë, ata deshën që mos të bëhen shkak i futjes së njerëzve në mëkate për shkak dyshimeve, e me këtë, nuk do të humbnin vetëm ata që do të dyshonin dhe do të flisnin e do t’i përgojonin, por e gjithë shoqëria dhe sistemi, ngase do të humbej besimi në shtetin e së drejtës dhe nën sistemin juridik të shtetit islam. Pra, pasojat do të ishin të shumta.
Kjo ka ndodhur edhe para rastit të këtij gjykatësi të njohur musliman i cili ka vepruar në Endelus, gjegjësisht në Spanjë, kur atje ishin muslimanët. Burimet e ndryshme historike shënojnë se Omeri r.a., e bënte të njejtën gjë me zyrtarët e shtetit islam në kohën e haxhit. Në fakt, kur tuboheshin zyrtarët dhe administratorët e ndryshëm të shtetit islam në haxh, në kohën e kalifit të dytë, Omerit r.a., Omeri r.a., kërkonte raport prej tyre për punën e bërë. Por jo vetëm kaq, ai i pyeste edhe banorët e vendeve ku vepronin këta administratorë për sjelljen dhe punën e administratorëve, i pyeste për besnikërinë dhe ndershmërinë e transparencën e tyre, për pasuritë që i kishin fituar. Bile, Omeri r.a., bënte regjistrim të pasurisë së guvernatorëve para se t’i marrin detyrat, ashtu që nëse pasuria e tyre rritej në mënyrë enorme, dhe ishte e dyshimtë, pasi të emëroheshin për guvernatorë, e konfisnkonte atë pasuri të dyshimtë dhe e derdhte në buxhetin e shtetit. Transmetohet se ai u ka thënë adminstratorëve të vet:”Ju kam dërguar guvernatorë të administroni, e jo të bëni tregti”.
Kështu kanë qenë burrat e përgjegjshëm të cilët kanë punuar për hirë të Allahut në shërbim të popullit, dhe kështu i kanë pastruar punët. E sot, edhe përkundër ligjeve të shumta dhe organizatave të shumta për vlerësimin e transparencës në punë, bota po vuan nga krimi i organizuar financiar, keqpërdorimi i pozitave dhe fondeve shtetërore, jo transparenca, pasurimi enorm i politikanëve, larja e parave, abuzimi me pushtetin dhe pozitën, etj. Këto gjëra, shteti i mirëfilltë islam i ka pastruar shumë shekuj më herët.