Në rubrikën “Opinion” të portalit “Lajm”, autori Gani Mehmetaj nën titullin “Pse ua lamë vehabistëve diasporën shqiptare?”, deri diku me të drejtë ankohet për mosinteresimin e mjaftueshëm të politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe të Shqipërisë ndaj mërgatës shqiptare e në veçanti kur është në pyetje ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqipe. Me këtë rast, pa të drejtë dhe në mënyrë tendencioze, ai ankohet se ky mosinteresim e paska lënë diasporën shqiptare në një hapësirë boshe, të cilën e paskan uzurpuar vehabistët. Këtë “konstatim” ai e ka mbështetur në reportazhet e publikuara në “Lajm”, të transmetuara nga një portal shqiptar në Zvicër.
Portalit në Zvicër miqësisht ia kemi shprehur reagimin tonë ndaj një segmenti që lë hapësirë për keqkuptime dhe keqinterpretime. Fjala është për disa artikuj me titujt “Fëmijët shqiptarë në Zvicër, më shumë në xhami, se në shkolla shqipe!”, “Zbrazen shkollat shqipe dhe mbushen xhamitë”, ku në mënyrë të panevojshme hiqet paralelja midis nxënësve që e ndjekin mësimin fetar nëpër xhamitë shqiptare dhe nxënësve që e ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe në kuadër të LAPSH-it (Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër) dhe në mënyrë të padrejtë e jo të saktë pretendohet që numri i fëmijëve të mejtepeve të jetë shumë më i madh se i atyre në gjuhën shqipe.
Opinionisti i Lajm-it, z. Mehmetaj, duke u mbështetur vetëm në këta tituj dhe duke mos e njohur realitetin e kësaj situate, jep gjykime të prera e krejt të gabuara, kur konstaton se zbrazëtirën që e lënka mosndjekja e mësimit të gjuhës shqipe do të krijuaka “fshirjen e kujtesës kombëtare nga ana e hoxhallarëve mercenarë”… Kjo do të çoka që ne të bëhemi “gaz i botës”… Sipas tij: “Ta sfidosh kombin tënd, duke e braktisur shkollën shqipe e të shkosh në mejtepe për të mësuar gjuhën arabe në zemër të Evropës, është më shumë se sfidë, është provokim i hapur ndaj mikë pritjes perëndimore, është tradhti ndaj kombi tënd, është shkas i mjaftueshëm që të na shlyejnë nga familja evropiane. Ta shkelmosh gjuhën tënde dhe të përqafosh një gjuhë shkretinore që nuk e ka mësuar as babai as babagjyshi, është më shumë se t’ua bësh gjëmën kujtesës së atyre fëmijëve që i detyrojnë të shkojnë në mejtepe vehabiste, është përpjekje e hapur për shkombëtarizim dhe për armiqësim me ata që u afruan mikë pritje. Ata fëmijë shkojnë në mejtepe sepse prindërit e tyre i detyrojnë, apo sepse hoxhallarët i mashtrojnë me joshje e premtime”.
Si duket ky opinionist brengoset më shumë për Evropën dhe Zvicrën sesa vetë Evropa dhe Zvicra për vetveten. Ky tenton të zërë peshq nga Maqedonia a Kosova në detin Adriatik. Harron se duhet të shkojë afër detit për të peshkuar. Harron se duhet të vijë në Perëndim a Zvicër, për ta parë nëse ne jemi bërë gaz i botës apo jo, nëse ne shihemi nga zviceranët si përmbysës të kupës apo jo, nëse ne trajtohemi aq të rrezikshëm dhe armiqësor për vendet që na kanë pranuar ose jo, nëse mejtepet e këtushme bëkan shkombëtarizimin, arabizimin dhe turqizimin e shqiptarëve ose jo.
Mehmetajve të vockël ua kujtojmë se hoxhallarët shqiptarë në Perëndim nuk janë mercenarë, porse bij të popullit shqiptar dhe i shërbejnë një pjese të madhe të muslimanëve shqiptarë të diasporës, të cilët i kanë hapur xhamitë e tyre, kur ka qenë nevoja, edhe për programe politike të vendlindjes si dhe për tubim të mjeteve të ndryshme për të cilat ka pasur nevojë vendlindja në rastet e krizave që ka përjetuar. Atë diasporë shqiptare që tanimë, edhe sipas opinionistit, e kanë lënë pas dore politikanët shqiptarë të vendlindjes, asokohe po edhe tani e gjen më së shumti të përqendruar dhe të organizuar nëpër xhamitë shqiptare.
Ardhja dhe punësimi i një imami shqiptar në diasporë autorizohet paraprakisht nga Bashkësitë Islame të vendlindjes, pastaj edhe nga autoritetet komunale, kantonale e federale të vendeve të këtushme dhe paguhen po nga ai xhep që e ka mbështetur vendlindjen në rastet më kritike dhe që vazhdon ta mbështesë ekonominë e saj me injeksionet financiare sa herë kur vijnë me pushime në vendlindje.
Ia rikujtojmë këtij dhe opinionistëve të tjerë që “thurin” opinione nga zyrat apo tavolinat e tyre para kompjuterit, duke mos dalë fare në terren, ose duke u bërë idare me muhabete kafenesh, këtu në Perëndim tanimë është jashtë mode të flasësh kundër Islamit dhe muslimanëve në stilin millosheviqian, i cili luftën e tij shfarosëse kundër kroatëve dhe boshnjakëve të Bosnjës dhe kundër shqiptarëve të Kosovës, dëshironte t’ia shiste Perëndimit si mbrojtje të Perëndimit nga Islami dhe muslimanët e egër mesjetarë.
Andaj, mehmetajt e këtillë truvockël, le ta lënë këtë lojë shkau dhe le të mos i luftojnë muslimanët shqiptarë nën emrin e vehabizmit, term ky të cilin këta ose nuk e dinë çfarë kuptimi ka ose e përdorin qëllimisht për të bërë me leqe të gjithë shqiptarët muslimanë. Këta me këtë janë duke e nënçmuar pjesën më të madhe të indit shqiptar, janë duke e treguar shpirtin e tyre shovinist.
Termin vehabist në Zvicër e më gjerë në Perëndim, më shumë se vendasit e përdornin “muslimanët” të cilët dëshironin t’u mikloheshin perëndimorëve dhe të cilët dëshironin të profiloheshin si “më katolikë se papa”. Për njerëzit e këndueshëm të Perëndimit termi vehabist është përdorur vetëm në mënyrë të diferencuar, kur janë nënkuptuar vërtet vehabistët, dhe kurrë nuk i kanë ngatërruar me muslimanët paqedashës, shumicën e të cilëve p.sh. në Zvicër e përbëjnë muslimanët shqiptarë.
Perëndimi, veçanërisht Zvicra, nuk e ka problem që në gjirin e vet të ketë muslimanë të kombësive të ndryshme. Zvicra nuk ka problem me qenien muslimane, me muslimanët si qenie njerëzore, siç kishte Millosheviqi dhe siç kanë shumë shqiptarë “pro-perëndimorë”. Dijeni mirë, këto dëngla nuk pinë ujë këtu në Zvicër.
T’i kthehemi sërish çështjes së mësimit të gjuhës shqipe dhe mësimit fetar nëpër mejtepet tona këtu në Zvicër.
Vetë krahasimi dhe paralelja që hiqet midis shkollës shqipe dhe mejtepeve të xhamive është tendencioze, sepse nuk e shpjegon realitetin e plotë dhe nuk e reflekton situatën në terren. Kjo është vetëm njëra prej paraleleve që mund të trajtohet. Pse nuk bëhet krahasimi edhe midis shkollës shqipe dhe klubeve sportive në të cilat janë të angazhuar fëmijët shqiptarë? Pse nuk bëhet krahasimi edhe me shkollën e muzikës klasike dhe të grupeve kulturore-artistike shqiptare? Pse nuk bëhet krahasimi midis shkollës shqipe dhe misionit katolik shqiptar në Zvicër? Tjetër, pse nuk parashtrohet pyetja se ku janë fëmijët tjerë shqiptarë muslimanë, ndoshta edhe dyfish më shumë se kaq, që nuk e ndjekin as mësimin fetar në xhami? Tekefundit, a duhet patjetër të bëhet krahasimi me ndonjë institucion tjetër për ta matur suksesin ose mossuksesin e një institucioni?
Mirë, le ta bëjmë edhe këtë krahasim…
Kryetari i LAPSH-it, z. Nexhat Maloku jep të dhënat se në vitin shkollor 2015/16 numri i fëmijëve që e ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe sillet te 2’000 nxënës në mbarë Zvicrën, ndërkohë që të dhënat më të freskëta që na ofron UISHZ (Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër) tregojnë se numri i fëmijëve të mejtepeve është më i vogël ose edhe i barabartë me atë të shkollave shqipe, diku rreth 1’800-1’900 nxënës.
Neve na pengon një krahasim i këtillë. Sepse kjo domosdo krijon përshtypjen se këto dy institucione: shkollat e gjuhës shqipe dhe mejtepet e xhamive janë rivale të njëra-tjetrës, që në fakt nuk janë dhe kurrë nuk duhet të jenë. Shkolla shqipe nuk i ka penguar kurrë xhamisë, përkundrazi i ka ndihmuar. Fëmijët që flasin mirë shqip e kuptojnë më mirë hoxhën shqiptar në xhami dhe priftin shqiptar në kishë. Edhe e kundërta është e vërtetë, as xhamia kurrë nuk i ka penguar shkollës së gjuhës shqipe apo LAPSH-it, përkundrazi e ka mbështetur dhe vazhdon ta bëjë akoma sot e kësaj dite jo vetëm moralisht dhe shpirtërisht, por raste-raste edhe financiarisht.
Akoma nuk mund ta kuptojmë, pse kërkohet në xhami arsyeja e “zbrazjes” së shkollave shqipe? Pse nuk bëhet një vlerësim i gjithanshëm dhe një analizë a kërkim multidisiplinor i kësaj ngecjeje që na prek të gjithëve? Pse pikërisht xhamia vihet përballë shkollës shqipe? Duke qenë se nëpër xhamitë shqiptare në Zvicër, mbi 60 sosh, duke nisur nga muhabeti që e zhvillojnë vizitorët e xhamisë në kafenenë, nëpër korridore, te vendi i marrjes së abdesit, duke vazhduar me ligjëratat e imamit, me mësimin fetar për fëmijë, të rinj e të rritur, me tribunat fetare, me shërbimet fetare që imami i kryen nëpër familjet shqiptare muslimane, me aktivitetet e ndryshme sportive e kulturore të xhamisë, me shënimin e datave të rëndësishme fetare e kombëtare, me faqet zyrtare të internetit, me tekstet mësimore, me librat e përkthyer ose autorialë të imamëve që më së paku kanë kryer një fakultet teologjik e deri në magjistra e doktorë shkencash, gjithçka zhvillohet në gjuhën shqipe, pse të shikohet xhamia si pengesë a si rival i shkollës shqipe?
Çka kuptoni kur t’ju themi se xhamitë e para shqiptare p.sh. në Zvicër janë hapur në vitet e 1990’ta duke u shkëputur nga xhamitë turke e arabe, jo pse i dallonte teologjia a doktrina dhe praktika fetare, por pikërisht gjuha dhe kultura shqipe? Këta muslimanë shqiptarë, përskaj lodhjes për të garantuar jetesën e tyre këtu dhe të familjeve të tyre në vendlindje, donin me ngulm që edhe këtu ta ruanin edhe fenë edhe gjuhën edhe kulturën shqiptare-islame.
A ju thotë juve diçka nëse dëgjoni se disa xhami janë nismëtare dhe promotore të rihapjes së shkollave shqipe në qytete të caktuara pas një pauze të gjatë të tyre? Se imamlerët dhe kryetarët e xhamive shqiptare janë ata që marrin pjesë në kuvendet vendore të LAPSH-it dhe i motivojnë prindërit dhe të tjerët të angazhohen në strukturat e LAPSH-it dhe të kontribuojnë për shkollat shqipe? Se xhamitë diku i kanë siguruar LAPSH-it përnjëherë një klasë me 25 nxënës që e ndjekin mësimin fetar në xhami? A ju thotë diçka nëse dëgjoni se xhamitë në shumë raste ia kanë ofruar LAPSH-it hapësirat e xhamisë për të mbajtur takimet e tyre interne? A ju thotë diçka kur të dëgjoni se nëpër disa xhami imami ia ka lënë të lirë foltoren kryetarit kantonal ose vendor të LAPSH-it për t’iu drejtuar masës në ditë të premte ose të diele, kur ka më shumë xhematlinj në xhami, dhe për t’u folur atyre për rëndësinë e mësimit të gjuhës dhe kulturës në shkollat shqipe dhe për dërgimin e fëmijëve të tyre në këto shkolla? A nuk ju thonë gjë rastet kur imamët në ditë të premte, në ditë festash e manifestimesh të ndryshme i ftojnë prindërit shqiptarë muslimanë që krahas mësimit fetar në xhami, t’i dërgojnë fëmijët e tyre edhe në shkollat shqipe, edhe në aktivitetet tjera sportive dhe kulturore, se këto e plotësojnë njëra-tjetrën dhe nuk janë ngarkesë shtesë për fëmijën, porse lehtësim në procesin e mësimit të qenies dhe identitetit kombëtar dhe fetar të fëmijës? A nuk ju thotë gjë që disa xhami organizojnë piknikë e shëtitje të përbashkëta me shkollat shqipe, për të siguruar afrimin dhe integrimin më të mirë të fëmijëve shqipfolës? A nuk ju thotë gjë nëse dëgjoni se disa xhami e mbështesin shkollën shqipe edhe financiarisht nga buxheti i tyre i cekët, që e mbledhin po ashtu drejtpërdrejtë nga anëtarët shqiptarë muslimanë, e jo nga siç pretendohet, nga shtetet arabo-turke? A ju thotë gjë kur të dëgjoni se imami i dërgon fëmijët e vet në shkollën shqipe, për t’u bërë kështu model edhe për prindërit tjerë?
Loja me shifra duke bërë krahasime të këtilla midis mejtepit dhe shkollës shqipe është lojë fëmijësh të papjekur. Studiuesi i mirëfilltë i një problemi i qaset atij nga këndvështrime të ndryshme njëkohësisht. Rënia apo ngritja e numrit të ndjekësve të një kursi a shkolle ka faktorët e vet të shumtë që ndërveprojnë në mënyrë të përnjëhershme. Aty vjen në pyetje përgatitja pedagogjike dhe profesionale e mësimdhënëses/it, angazhimi i organizatorëve, disponimi politik, kushtet socio-ekonomike, gatishmëria e prindërve për të sakrifikuar dhe interesimi i fëmijëve. Në asnjë shkollë a kurs nuk ndodhin mrekulli dhe sikur me shkop magjik të rritet numri i ndjekësve. Krejt këto nisin me pak dhe punojnë në mënyrë të bashkërenditur dhe profesionale për suksesin…
Mos vallë duhet të harrojmë që, në rastin konkret, fëmijët tanë të lindur në Zvicër, vendlindje e kanë Zvicrën dhe jo Kosovën e Maqedoninë? Se për shpirti e kanë vendin ku janë lindur dhe rritur sesa atë që mëtojmë ne prindërit t’ua imponojmë si vendlindje dhe atdhe? Se më mirë e flasin dhe më mirë mendojnë në gjuhën e vendit se në gjuhën e prindërve? A duhet t’i mbyllim sytë ndaj realitetit të politikave të dështuara në vendlindje për të krijuar një “atdhe” a “mëmëdhe” joshës për këta fëmijë të gurbetqarëve, që si pasojë këta fëmijë i ftohin nga ajo që ne si prindër mëtojmë t’ua paraqesim atyre si të ngrohtë e të ëmbël? Cila komunë shqiptare në Shqipëri, Kosovë a Maqedoni ka hartuar plane e programe edukative, sportive e kulturore për fëmijët e gurbetqarëve përgjatë muajve të verës? Nga ana tjetër, duhet t’i mbyllim sytë ndaj së vërtetës se shumë prindër të këtushëm jo që i dërgojnë fëmijët e tyre në xhami a shkollë shqipe, por edhe në shtëpi dhe në kohë të lirë nuk u flasin fëmijëve të tyre në gjuhën amtare, nuk e ndiejnë nevojën t’ia tregojnë fëmijës së vet prejardhjen dhe identitetin? A thua nuk duhet ta marrim në konsideratë edhe faktin se numrin më të madh të nxënësve LAPSH-i e ka pasur në kohët e krizave në vendlindje, dhe tani numrin më të madh të nxënësve xhamitë e shënojnë në kohën kur Islami dhe muslimanët barazohen me ekstremizmin dhe terrorizmin/”vehabizmin”? Të themi se edhe këto koniunktura nuk ndikojnë në rritjen dhe rënien e interesimit te prindërit, fëmijët dhe shoqëria më e gjerë?
Siç e shihni, ata që kontribuuakan dhe që ndoshta edhe penguakan, qenkan faktorët realë e të shumëfishtë të ndërthurur drejtpërdrejtë dhe përnjëherësh në këtë proces që po e trajtojmë. Rastet dhe problemet sociale nuk mund të shpjegohen me vetëm një faktor. Në çdo dukuri shoqërore ndikojnë më shumë faktorë, disa më shumë së të tjerët, por gjithsesi se jo një faktor i vetëm.
Prandaj, të nderuar shqiptarë muslimanë, krishterë, ateistë, agnostikë apo çfarëdo qofshi, le t’i kemi parasysh përnjëherësh të gjithë faktorët që e nxisin, e mbështesin dhe e zhvillojnë procesin e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqipe në Zvicër dhe në mbarë diasporën, po edhe ata që e pengojnë dhe ngadalësojnë atë. Të mos e kërkojmë “fajtorin” për dështim në përplasjen e institucioneve shqiptare, në veçanti jo në xhamitë shqiptare në diasporë, të cilat shquhen për botëkuptimin paqësor e tolerant të Islamit të bartur me vete nga vendlindja, porse le të fokusohemi në angazhimin e gjithmbarshëm të të gjithë faktorëve, secili me aftësitë dhe zotësitë e tij personale dhe kolektive.
Sigurisht që opinionistët e këtillë mediokër nuk i bëjnë nder shqiptarisë duke e sharë pjesën dërmuese të kësaj shqiptarie, e aq më pak u bëjnë nder fëmijëve tanë, për të cilët aq shumë na qenkan të brengosur. – See more at: http://www.el-hikmeh.net/14/islami-ne-perendim/43-islami-ne-zvicer/262-diaspora-shqiptare-ne-duar-te-vehabisteve#sthash.86bHyCv4.dpuf