Hutbeja e Fitër Bajramit – 2016
Publikuar më: 6 Korrik 2016
Hfz. Mehas Alija
Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
“Më i miri prej jush është ai i cili më së shumti i ruhet Allahut xh.sh.” (Huxhurat, 13)
“Xhinët dhe njerëzit, nuk i kam krijuar për tjetër, përveçse të më adhurojnë Mua.” (Dharijat, 56)
Të dashur vëllezër,
Në islam ka dy festa që janë shumë të rëndësishme dhe ato janë: Festa e Fitër Bajramit dhe e Kurban Bajramit. Në fenë tonë të bukur, madje edhe kur festohet, aty ka edukatë dhe rend. Aty ka veprime që konsiderohen ibadet. Bajram, në gjuhën arabe donë të thotë ‘ID. Një prej kuptimeve të kësaj fjalë është edhe “kthim tek fillimi”. Kjo fjalë ka edhe kuptime të tjera, që unë do të veçoja edhe një, e që është të të qenët i rehabilituar. Kjo ndodh kështu pasi besimtarët janë njerëz, ndërsa si njerëz janë të dobët, jo të përkryer, i tillë është krijuar njeriu; besimtarët i pranojnë gabimet e tyre. Zoti ynë, Allahu fuqiplotë, ka caktuar metoda të ndryshme se si ne të pastrohemi, se si ta largojmë barrën e gjunaheve, andaj dhe e ka caktuar Ramazanin si një mundësi pastrimi gjeneral të trupit dhe të shpirtit. Mu për këtë mundësi pastrimi, besimtarët i gëzohen sot Bajramit të Ramazanit. Po ku kthehen besimtarët? Ata kthehen të fillimi i tyre, te gjendja fillestare e tyre, pa gjunahe e pa ngarkesa shpirtërore e psikologjike, ndërkohë që janë të vendosur për të vazhduar në punë të mira dhe në rrugën e Allahut xh.sh.
Zoti ynë na dha mundësi për t’u korrigjuar, në radhë të parë me vetë Allahun, pastaj me vetveten dhe me gjithçka tjetër që na rrethon. Na dha mundësinë për ta parë njëri tjetrin se ku jemi, ç’veprojmë, sa jemi, si mendojmë dhe për ku shkojmë. Prandaj dhe i gëzohemi Bajramit, pasi që ky është simboli ynë i gëzimit dhe kënaqësisë për të dy botët. Ja, pra, pse muslimanët agjërues sot ndihen të gëzuar, pasi ata sot, më së paku, ndjehen të rehabilituar dhe të relaksuar.
Vëllezër të shtrenjtë,
Sot, në këtë ditë feste, midis njerëzve ka të tillë që e ndjejnë veten fitues, dhe ashtu janë, dhe ka të tillë që e ndjejnë vetën si humbës, dhe ashtu janë. Ka fituar ai i cili, vërtetë, e shfrytëzoi Ramazanin, kurse humbës është ai i cili, pa ndonjë arsye, nuk e mori vesht nëse ishte apo jo ramazan. Ai nuk agjëroi asnjë ditë, nuk u falë asnjë ditë, nuk lexoi Kur’an asnjë ditë, nuk u pendua asnjë ditë, nuk dëgjoi asnjë ligjeratë, nuk ia zgjati dorën asnjë fukarai, e si pra të jetë ky fitues i Ramazanit? Unë kam shumë shpresë se, në këtë vend, të gjithë jemi fitues dhe krenarë me këtë Ramazan, të cilit akoma jemi duke ia dëgjuar shushurimën e këmbëve të tij, teksa po largohet prej nesh. Lamtumirë ramazani ynë, lamtumirë dhe faleminderit që na bëre të ndjehemi fitues, sidomos në këto kohë, kur fitoret moti kohë nuk i kemi ndjerë, nuk i kemi parë.
Ramazani ishte një muaj ku ne treguam kujdes maksimal për ta ruajtur atë, por jo vetëm atë. Ne treguam kujdes që, përmes agjërimit, të ruajmë fenë tonë, të ruajmë mendimin e mirë për Allahun, të ruajmë identitetin tonë, sidomos në këto kohë, kur harami i ka zgjatur duart nga të katër anët për të na e vjedhur më të mirën dhe me të shtrenjtën tonë.
Vëlla i nderuar, mu ashtu sikurse që u kujdese që asnjë pikë uji, pas abdesit, të mos depërtonte në fytin tënd, me qëllim që të ruash agjërimin tënd, të lutem, mu kështu, ruaje fytin dhe barkun tënd që mos të depërtojë asnjë haram.
Vëlla i nderuar, mu ashtu sikurse u kujdese që të ruash gjuhën dhe shikimin tënd, me qëllim që të ruash agjërimin tënd, të lutem, mu kështu, ruaje zemrën dhe ahlakun tënd nga fjalët e turpshme dhe sjelljet skandaloze.
Vëllai im i madh dhe i shtrenjtë, mu ashtu sikurse që u kujdese për kualitetin e Ramazanit tënd, të lutem, mu kështu, vazhdo të kujdesesh për kualitetin e jetës dhe të besimit tënd. Ruaje këtë kualitet në raport me fenë dhe shkollën, punën dhe angazhimin, shëtitjen dhe ecjen tënde për tokë.
Vëlla i nderuar, mu ashtu sikur që u kujdese maksimalisht për të mos e prishur agjërimin, të lutëm, mu kështu, kujdesu që të mos e prishësh Islamin tënd dhe çerdhen e familjes tënde.
Ja pra, vëllezër të mi, këto janë qëllimet e edukimit të Ramazanit. Ai erdhi për të na dhuruar forcën dhe energjinë, që të mund të ecim me lehtësi në shtigjet e mëtutjeshme të jetës. E falënderoj pafundësisht Allahun xh.sh. që na dha kaq shumë gjëra të bukura dhe të mira në jetën tonë, përmes kësaj feje kaq madhështore, siç është Islami.
Allahu i Lartësuar deshi që ne të shpëtojmë, ti dhe unë, në Xhennet të jetojmë, të lumtur përgjithmonë. Kështu Muhammedi a.s. një ditë tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, me iman dhe me shpresë, do t’i falen mëkatet e kaluara.” (Buhari dhe Muslimi)
Allahu i Lartësuar deshi që ne sot të gëzojmë, ti dhe unë, bajramin ta urojmë, zemrat t’i bashkojmë, krah për krahu, rrugën ta vazhdojmë, lumturinë e amshueshme dhe Xhennetin ta kërkojmë…
Kush sot, për Zotin, kështu nuk mendon, ai ka një hendikep të madh, ai nuk kupton asgjë nga jeta.
Të dashur vëllezër,
Bajrami është koha kur duhet të tregojmë dashuri të veçantë ndaj prindërve, fëmijëve, farefisit, fqinjëve dhe miqve. Bajrami është koha kur duhet të mendojmë për të sëmurët tanë dhe ta lusim Allahun që t’i shërojë ata; të mendojmë për punëtorët dhe të lusim Allahun që t’ju ndihmojë atyre; të mendojmë për të rinjtë dhe jetimët, për të robëruarit dhe për ata që vuajnë dënime, të mendojmë për të gjithë ata njerëz me zemra të mira që Allahu t’i ruaj prej çdo belaje dhe ngarkese. Bajrami është koha kur duhet të mendojmë për forcimin e lidhjeve tona vëllazërore, për shkak se ato janë të ndjeshme dhe prishen shpejt. Islami dhe kombi ynë ka nevojë për bashkimin e zemrave tona, ashtu siç kanë nevojë zemrat tona të afrohen me njëra tjetrën.
Nuk do të ishte e hijshme po ta përmbyllnim këtë hutbe pa i kujtuar me lutje edhe vëllezërit dhe motrat e mbarë botës islame, sidomos ata në Egjipt, Siri, Libi, Palestinë, Kinë, Burma, Turqi, etj. Allahu u ndihmoftë dhe i çliroftë prej çfarëdo lloj zullumi dhe padrejtësie.
Në fund, të dashur vëllezër, të gjithë juve nga zemra ju urojë festën e Fitër Bajramit, duke e lutur Allahun për shendetin dhe suksesin tuaj në jetë dhe në punë. Gjithashtu, në emër të kryesisë së xhamisë dëshiroj që t’ju përcjell mesazhin e urimit te të gjithë ju të pranishëm dhe te farefisi juaj, kudo qoftë ai: Në Zvicër, Kosovë, Preshevë, Maqedoni, Shqipëri, Bosnjë, Mal të Zi, apo në ndonjë vend tjetër.
Urime edhe njëherë Festa e Fitër Bajramit dhe u gëzofshin të gjithë muslimanët, kudo që janë anë e kënd botës.
(Hutbeja e Fitër Bajramit, 2016, Xhamia El-Hidaje, St. Gallen, Zvicër)
(Islampress)