Fetvaja nr.6
WAM (Lidhja e Muslimanëve të kantonit Aargau), deri te Departamenti për Fetva pranë UISHZ-së, ka parashtruar këtë çështje:
Abdulmalik Alahvalah, perfaqësues i WAM (Lidhja e Muslimaneve te Aargaus), pyet në lidhje me obduksionin për raste të ndryshme, vrasje, aksidente, etj.
Cili është qëndrimi islam në lidhje me këtë temë, a lejohet një gjë e tillë dhe nëse po, atëherë me cilat kushte? Një gjë e tillë na duhet, pasi vetë spitalet dhe klinikat private shpesh bien ndesh me familjet muslimane.
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut, përveç të Cilit nuk ka tjetër, bekimi dhe paqa qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, zotëriun dhe të dërguarin tonë, Muhamedin s.a.v.s.
Departamenti për Fetva pranë UISHZ e shqyrtoi çështjen e obduksionit në pyetjen në fjalë dhe doli me shpjegimin vijues:
Departamenti për Fetva pranë UISHZ-së, fillimisht e konfirmon domosdoshmërinë e mbrojtjes së dinjitetit të njeriut, qoftë i gjallë apo i vdekur, dhe ndalesën e prekjes së nderit të njeriut, qoftë i gjallë apo i vdekur, bazuar në shumë ajete Kur’anore dhe hadithe të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, të cilat në mënyrë të prerë dhe pa ekuivoke e theksojnë nderimin e njeriut si qenie. Me këtë rast, sa për ilustrim, do ta përmendim ajetin:<> , dhe thënien e të Dërguarit të Allahut:”Ta theshë ashtin e një të vdekuri, është njejtë si ta theshë ashtin e një të gjalli”. Së këtejmi, Departamenti për Fetva pranë UISHZ-së, mban qëndrimin, që njëherit është edhe qëndrimi i gjithë juristëve islamë, se, ndalohet në çdo mënyrë nëpërkëmbja e nderit të njeriut, qoftë me fyerje me fjalë, apo në ndonjë formë tjetër, përfshi këtu edhe nënshtrimin e trupit të njeriut, qoftë i gjallë apo i vdekur, abuzimit dhe veprimeve tjera jo legjitime që kanë për qëllim lëndimin e njeriut.
Në të njejtën kohë, Departamenti për Fetva pranë UISHZ-së, i merr parasysh seriozisht nevojat dhe kërkesat për kryerjen e veprimeve të caktuara në trupin e njeriut nga ana e mjekëve, me qëllim që të arrihet në rezultate të duhura për shkakun e vdekjes, nga këndvështrimi mjekësor, apo për qëllime tjera që i përcakton prokuroria për nevoja të gjyqësisë dhe medicinës ligjore, apo për nevoja tjera legjitime që diktohen nga faktorë të ndryshëm.
Nisur nga kjo, si dhe nga parimi juridik në të drejtën islame se “Gjërat e domosdoshme i lejojnë gjërat e ndaluara”, po ashtu edhe nga fakti se obduksioni i kufomës në institucionet mjekësore dhe me udhëzim valid nga organet kompetente, nuk ka për qëllim prekjen e nderit të njeriut të vdekur dhe as abuzimin me kufomën, por arritjen në rezultate të duhura për qëllime legjitime, Departamenti për Fetva pranë UISHZ-së, shiquar në përgjithësi, nuk sheh ndalesë autentike dhe të drejpërdrejtë në tekstet fetare të burimeve islame për sa i përket obduksionit legjitim.
Në vazhdim, do të japim një sqarim më të detajuar për llojet e obduksionit dhe qëndrimin tonë në dritë të argumenteve dhe parimeve juridike, për këto lloje.
Obduksioni, në përgjithësi, bëhet për shkaqet vijuese:
1. Obduksion i kufomës për t’u verifikuar një padi penale për vrasje. Departamenti për Fetva pranë UISHZ-së, duke i ndjekur qëndrimet e institucioneve relevante të fetvave në botën Islame dhe ato të dijetarëve të shquar islam të kësaj kohe, mendon se ky lloj obduksioni për kufomat është mjaft i rëndësishëm për institucionet gjyqësore dhe ato të sigurisë, si dhe për palë dhe qëllime tjera legjitime. Së këtejmi, Departamenti për Fetva pranë UISHZ-së, këtë lloj obduksioni e konsideron të lejuar. Këtu bëjnë pjesë edhe rastet e aksidenteve të komunikacionit, si dhe lloje tjera të aksidenteve.
2. Obduksioni i kufomës që të verifikohet lloji i sëmundjes nga e cila ka vuajtur personi në fjalë, derisa ka qenë i gjallë, rrezikshmëria e saj për njeriun, apo ndonjë epidemi ose lloj sëmundje, me qëllim që të merren masa mbrojtëse. Marrë parasysh dobinë e analizave të këtilla mjekësore për gjithë njerëzimin, Departamenti për Fetva pranë UISHZ-së, duke i ndjekur qëndrimet e institucioneve relevante të fetvave në botën Islame dhe të dijetarëve të shquar islam të kësaj kohe, mendon se, ky lloj obduksioni për kufomat, është mjaft i rëndësishëm për mjekësinë dhe për shkenca tjera që trajtojnë çështje të kësaj natyre apo të ngjashme, si dhe për vetë mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, dhe këtë lloj obduksioni e konsideron të lejuar.
3. Obduksioni i kufomave me qëllim të aftësimit të mjekëve të rinj. Këtë lloj obduksioni, disa dijetarë janë përmbajtur ta lejojnë, ngase ekziston alternativë, gjegjësisht, mund të bëhet obduksion i kufomave të njerëzve, bindjet fetare të të cilëve nuk e shohin problem këtë çështje.
Departamenti për Fetva pranë UISHZ-së, duke nisur nga ajo se me këtë lloj obduksioni nuk është për qëllim nëpërkëmbja e dinjitetit të të vdekurit, as abuzimi me kufomën, si dhe duke nisur nga nevoja e mjekëve të rinj që t’i përsosin aftësitë e veta në fushën e mjekësisë, me qëllim që të jenë më efikas në kurimin e të gjallëve, në kufij të së nevojshmes, edhe këtë lloj obduksioni e konsideron të lejuar, me vërejtjen se, pasi ky lloj obduksioni i ka ndarë në mendime dijetarët, dhe nuk bën pjesë në grupin e gjërave të domosdoshme për të cilat nuk ka alternativë, pasi ekziston alternativa e obduksionit të kufomave të njerëzve besimet e të cilëve nuk e problematizojnë këtë çështje, u sugjeron institucioneve përkatëse që ta marrin në konsideratë qëndrimin më të fortë të dispozitave të të drejtës islame ndaj nështrimit të kufomës eksperimenteve, dhe këtë lloj obduksioni ta realizojnë me kufoma të pjestarëve të besimeve tjera. Me këtë, nuk pretendohet të bëhen dallime në vlerësim të qenies njeri, por për faktin e dallimit të dispozitave fetare, të feve dhe besimeve të ndryshme, për çështje të caktuara, ku bën pjesë edhe çështja në fjalë.
Allahu e di më së miri.
(DEPARTAMENTI PËR FETVA PRANË UISHZ)