D E K L A R A T Ë
Shqiptarët si popull i lashtë në Evropë u takojnë dy besimeve fetare, atij musliman dhe të krishterë, respektivisht katër katër konfesioneve të mëdha : musliman, katolik, ortodoks dhe bektashi. Është një popull që ka kultivuar ndër shekuj respektin dhe harmoninë fetare. I vetmi popull i besimit shumicë musliman që gjatë Luftës se Dytë Botërore ka mbrojtur dhe strehuar hebrenjtë, duke bërë që Shqipëria, vendi i humanistes së madhe Nënë Tereza, të jetë vendi i vetëm në Evropë, ku pas luftës kishte me shumë hebrenjë se para luftës.
Unioni i Imamëve Shqiptarë dhe Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër që përfaqësojnë grupin më të madh të besimtarëve muslimanë në Zvicër, besimtarë që vijnë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, duke u nisur nga parimi ynë se Feja muslimane është Fe e paqes, e drejtësisë dhe në harmoni të plotë me vlerat e vendit mikpritës, Zvicrës, me përgjegjësi të plotë angazhohen për respektimin e pikave të kësaj Deklarate :
• Respektimin e laicitetit si një parim themelor për funksionimin e një shoqërie moderne dhe demokratike si dhe për ndarjen e Shtetit nga organizatat fetare.
• Respektimin e lirisë për të praktikuar ose jo fenë, si dhe parimin e barazisë të të gjithëve para ligjit pavarësisht besimit dhe bindjeve.
• Ne konsiderojmë që asnjë arsye e natyrës fetare nuk mund të evokohet për të kontestuar, kundërshtuar, ose mos pranuar funksionimin e shtetit ligjor ose rregullin kushtetues dhe ligjet zvicerane.
• Ne mendojmë se besimi është çështje individuale e çdo personi, ndaj askush nuk ka të drejtë, t’ia imponojë tjetrit pikëpamjen e tij mbi fenë ose ta detyrojë që të besojë apo frekuentojë një tempull fetar.
• Shteti i së Drejtës është mbi çdo teori, interpretim ose institucion fetar.
• Ne respektojmë thellësisht vlerat e vendit mikpritës dhe në asnjë rast predikimi ynë nuk mund të jetë në kundërshtim me vlerat e shoqërisë zvicerane. Qëllim ynë nuk është që t’ua imponojmë besimtarëve tanë një mënyrë jetese të veçantë, të ndryshme nga ajo e shoqërisë vendase zvicerane, përkundrazi ne i ftojmë besimtarët tanë që të integrohen në shoqërinë zvicerane dhe ta respektojnë modelin e saj funksionues.
• Ne angazhohemi për respektimin e plotë të të drejtave të gruas, barazisë së saj, konform ligjit dhe kushtetutës zvicerane. Ne mbështesim plotësisht integrimin e saj në shoqërinë zvicerane në respekt të plotë të vlerave të saja.
• Ne jemi shqiptarë muslimanë të Evropës dhe fenë tonë e praktikojmë në përputhje me sistemin e një shoqërie demokratike. Askush nuk mund të thirret në bindjet dhe praktikat e tij fetare si pretekst për t’u mos integruar në shoqërinë zvicerane.
• Qendrat kulturore muslimane janë të hapura për të gjithë publikun pa dallim kombësie, feje dhe gjinie.
• Qendrat tona kulturore dhe fetare angazhohen për një intensifikim të bashkëpunimit në kuadër të platformave të dialogut ndërfetar kudo në Zvicër si dhe për trajnimin e vazhdueshëm të stafit tonë. Në bashkëpunim me autoritetet zvicerane stafi ynë merr pjesë në trajnimet profesionale mbi sistemin politik, demokracinë dhe institucionet zvicerane.
• Islami ynë është fe e paqes. Ne nuk tolerojmë thirrje për dhunë, urrejtje ndërfetare, raciale ose etnike që janë në kundërshtim me vlerat e islamit. Çdo imam, apo edhe thjesht besimtar, e ka për detyrë t’i dënojë dhe denoncojë pa asnjë hezitim pranë organeve kompetente.
• Ne angazhohemi për bashkëpunim me autoritetet zvicerane dhe për një transparencë të plotë rreth financimit të qendrave tona, konform ligjit dhe procedurave përkatëse në Zvicër.
• Unioni i Imamëve Shqiptarë dhe Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër do të vazhdojnë përpjekjet për afrimin dhe bashkimin e tyre në një strukturë të vetme.
• Kjo deklaratë, e nënshkruar nga kryetari i Unionit të Imamëve shqiptarë në Zvicër dhe kryetari i Bashkësisë Islame Shqiptarë në Zvicër, do të afishohet dhe lexohet në qendrat tona kulturore-fetare në Zvicër.
Bern, 20 mars 2017, Shtëpia e Feve
Për Unionin e Imamëve Shqiptarë në Zvicër
Kryetari: Nehat Isamili
Për Bashkësinë Islame Shqiptare në Zvicër
Kryetari: Mustafa Memeti