
Hfz. Mehas Alija
Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.
“O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa par sy e faqe të njerëzve, e nuk e beson All-llahun dhe as botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar që mbi të ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). Ata (formalistët) nuk arrijnë asgjë nga ajo që punuan. All-llahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar.” (El-Bekare, 264)
“Veprat çmohen sipas qëllimit dhe se çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim.” (Buhari, Muslimi)
Po ashtu, në një hadith tjetër, i dërguari i Allahut, Muhammedi a.s. ka thënë:
“Allahu nuk shikon format e trupit dhe pasuritë e juaja, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.” (Muslimi)
Për t’i pasur veprat e pranuara te Zoti, duhet nijetin ta kemi të pastër dhe të drejtë. Allahu nuk e pranon një vepër, sado e madhe të jetë, nëse ajo nuk e ka një qëllim të mirë dhe vetëm për Zot.
Nga ana tjetër, ne si njerëz, nuk mund t’i vlerësojmë qëllimet (nijetet) e të tjerëve, pasi nuk mund t’i dimë. Ne vetëm mund t’i vlerësojmë veprat dhe në bazë të tyre japim vlerësimin. Vetëm Allahu xh.sh. i di qëllimet.
Një problem tjetër që na del përpara në këtë temë, është se ne, shumë shpesh, në vend se të merremi me veprat dhe rezultatet e tyre, merremi me qëllimet. Nuk themi se sa e madhe është vepra, por themi se ajo vepër është bërë për këtë qëllim apo për atë qëllim.
Me këtë rast, njeriu duhet të ketë kujdes të madh që ta përputh nijetin me veprën, fjalët me punët, si dhe rezultatin e angazhimit me qëllimin. Shumë shpesh mund të shohim vepra të mëdha të njerëzve, por pasi nuk ua shohim qëllimet, i vlerësojmë ato lartë. Por, sikur t’i shikonim qëllimet, veprat nuk do të dukeshin aspak.
Njeriu, vazhdimisht, duhet t’i shqyrtojë qëllimet dhe duhet të jep mund që t’i ruaje ato, sepse nijetet mund të prishen edhe më vonë. Mundet që nijeti që nga starti të jetë i gabuar dhe i prishur, por ka mundësi që të prishet edhe më vonë.
Xhemat i shtrenjtë
E marrim si shembull një njeri që ndihmon xhematin apo ndonjë projekt në xhami. Në fillim e bënë atë vetëm për Allahun xh.sh. dhe nuk kërkon asnjë falënderim dhe mirënjohje për punën dhe angazhimin. Shajtani nuk ka mundur assesi, direkt, me ia prish nijetin. Çfarë mund të ndodhe këtu? Tash mund të vijë në lojë një tjetër, i cili punon shumë, por që qëllimin nuk e ka për Allah. Ka ndonjë qëllim tjetër; dëshiron ta lavdërojnë, t’i japin mirënjohje, t’i thonë se sa shumë punon, apo mund të ketë ndonjë qëllim tjetër, siç është shpërblimi, pozita dhe fama. Në momentin që ai i pari e sheh këtë të dytin, fillon të mendoje se, vallë, unë përse punova? Pse ky të shpërblehet, e unë jo?! Pse atij t’i përmendet emri, e mua jo? E kështu me radhë, shajtani vazhdon përmes tjetrit me ia prish qëllimin të parit, të cilit, fillimisht, nuk pati mundësi t’i bëj dëm për t’ia humbur qëllimin e pastër që kishte për Allahun xh.sh.
Shembulli i dytë: Një njeri është duke agjëruar agjërim nafile (vullnetar). Gjatë ditës del në xhami apo shkon diku mysafir dhe me qëllim e sjell muhabetin te agjërimi, për të treguar se është agjërueshëm. Ky person, kështu, e ka prish nijetin, dhe si rrjedhojë i ka humbur edhe vepra, pra ka mbetur pa shpërblim. Një vepër që në Ahiret mund të tërheq shpërblime kapitale, prishet me ta përmendur dhe me t’u lavdëruar me të.
Shembulli i tretë: Njeriu bën vepra të mira, hajrate. Për të tilla vepra nuk janë paraparë dhurata, shpërblime, mirënjohje, medalje, etj. Nuk e pengojnë njërëzit që janë më të dobët dhe punojnë më pak se ai. Por, kur takohet me ata që janë më të mirë, punojnë dhe japin më shumë, fillon e xhelozon, fillon dhe urren, dhe kështu ndërton qëndrim negativ ndaj tyre. Në vend se t’i lutet Allahut xh.sh. që t’i shpërblejë ata që angazhohen dhe ta forcojë këtë në rrugën e mirësisë, fillon t’i urrejë ata që angazhohen dhe sakrifikojnë. Kështu, shajtani, edhe këtij ia prish nijetin dhe ia humb veprat.
Të nderuar vëllezër dhe motra
Ta ruash nijetin dhe sinqeritetin në vepra, është gjë e rëndë dhe e vështirë. Këtë më së miri e ka përshkruar Er-Rraziu: “Gjëja më e vështirë në botë është sinqeriteti. Ah, sa përpiqem që nga zemra ta hedhë këtë hipokrizi, por sikur gjithnjë nga zemra më mbinë në ndonjë formë tjetër!” (Ibn Rexhep El-Hambeli).
Allahu të na ruaje inshallah nga kurthet e shajtanit dhe të na i ruaje nijetet e mira!
(Hutbeja e xhumasë, 24.03.2017, xhamia El-Hidaje, St. Gallen)