
Hfz. Mehas Alija
Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.
“E për sa u përket atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre u jap shpërblim të plotë. All-llahu nuk i do të padrejtit.” [1]
“Më i miri prej jush është ai i cili është më i dobishëm për njerëzit.”[2]
I dashur xhemat,
Sot është e xhuma dhe në këtë vend është ditë pushimi, është ditë feste. Për muslimanët historia e Isait a.s. është e qartë. Sipas mësimeve të krishtera, thuhet se në ditën e xhuma është kryqëzuar Jezusi dhe se pastaj është ringjallur. Sipas mësimeve Islame, Isain a.s. nuk e kanë kryqëzuar dhe as nuk e kanë vrarë. Atë e ka shpëtuar Allahu xh.sh. Isai a.s. do të kthehet edhe njëherë në këtë jetë, dhe ai do të jetë si shenjë e Kijametit.
Tani, t’i kthemi temës së hutbes së sodit. Të dashur vëllezër e motra, nga përvoja jetësore, mund t’i njohim dhe t’i dallojmë dy grupe njerëzish:
Grupi i parë i njerëzve merret me vetveten dhe me çështjen e fesë së vetë, kurse grupi i dytë shikon besimin dhe fenë e të tjerëve.
Grupi i parë mundohet të gjejë mënyra se si vetë, por edhe me të tjerë, të hyjë në Xhennet, kurse grupi tjetër mundohet, si e si, të gjithë të tjerët t’i dërgojë në Xhehennem.
Grupi i parë në shumicën e rasteve i arsyeton dhe i falë gabimet dhe lëshimet e të tjerëve, kurse grupi tjetër hulumtojnë e hulumtojnë për të gjetur edhe gabimin më të vogël që të mund pastaj të kritikojnë, akuzojnë dhe të dënojnë.
Të parët janë të koncentruar për të gjetur dhe ofruar zgjidhje, ndërsa grupi tjetër janë të fokusuar në gabimet e të tjerëve, duke u marrë intensivisht edhe me pasojat e tyre.
Të parët mësojnë vetveten dhe të tjerët, duke i nxitur gjithmonë në punë të mira, kurse të tjerët shikojnë bidatet e tjerëve dhe akuzojnë pa mëshirë.
Të parët shikojnë të mirat e njerëzve, kurse të tjerët shikojnë të zezat e të tjerëve, madje qofshin ato edhe pika të vogla.
Të parët e duan jetën dhe njerëzit dhe, si rrjedhojë, fitojnë dashuri dhe respekt në jetë. Të tjerët ofendojnë, shtresojnë dhe nënçmojnë njerëzit, miqtë, shokët, vëllezërit dhe, si shpërblim, fitojnë mosrespektim dhe përbuzje.
Të parët këshillohen, pajtohen dhe ecin së bashku, kurse të dytët vetmohen, formojnë grupe të vogla, e shikojnë vetëm vetveten dhe nuk marrin mendimin e të tjerëve.
Të parët i mbulojnë të metat e të tjerëve dhe, kur flasin, flasin vetëm për anët pozitive të njerëzve, kurse të dytët harrojnë të mirat e bëra nga të tjerët dhe haptazi flasin për gjunahet e njerëzve.
Të parët tregojnë më të mirën e tyre, kurse të dytët tregojnë të këqijat e të tjerëve.[3]
Ndërsa tani, ngel që ne të vendosim se në cilin grup do të jemi. Do të jemi me grupin e parë të njerëzve apo në të dytin, në grupin i cili nuk sheh tjetër vetëm se zi tek të tjerët.
Hz. Aishja r.anha thotë se Muhammedi a.s. ka thënë: “Ai i cili ka një mendim të keq për vëllanë e vetë, ai mendon keq edhe për Zotin e vetë.” [4]
I dashur xhemat, nga kjo që u tha, desha të them këtë: Ne të gjithë jemi pasqyrë për njëri-tjetrin. Atë që shikojmë te tjetri, në fakt shohim vetveten, prezantojmë vetveten. Një burrë kishte filluar të dyshojë në gruan e tij, atëherë kur ai vetë e kishte tradhtuar atë.
Muhammedi a.s. në këtë kontekst thotë: “Secili prej jush është pasqyrë për vëllanë e vetë.”[5]
Për fund, porosis veten dhe juve: Është koha kur duhet të reflektojmë. Të pastrojmë vetveten dhe ta presim Ramazanin me mendime të mira, në radhë të parë, për vetveten dhe për të tjerët. Mos e harroni grupin e parë që sot e përmendem, ai është më fatlumi. Allahu na bëftë të gjithëve prej të tillëve. Amin.[6]
_______________________
[1] Kur’an, Ali Imran, 57
[2] Imam Taberani
[3] http://islambosna.ba/dijelite-li-vi-ulaznice-za-dzehennem
[4] Marrë nga: Sulejman Bugari, Mi smo jedan drugome najbolji poklon, Connectum, 2015
[5] Imam Muslimi
[6] Hutbeja e xhumasë, 14.04.2017, xhamia El-Hidaje, St. Gallen, Zvicër.