Në kuadër të organizimit të seminareve për të rinjtë muslimanë shqiptarë Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) nën moton “Jo ekstremizmit dhe fanatizmit fetar të dëmshëm në emër të Islamit” më 30 prill 2017, pas dite, në “Xhaminë e Bardhë” në Aarburg të kantonit Aargau organizoi seminarin e parë të kësaj serie.
UISHZ synon që përmes organizimit të këtyre seminareve me të rinjtë ta ngrijë vetëdijen e kësaj grup-moshe nga rreziqet e ekstremizmit dhe fanatizmit fetar, aq të dëmshëm në rend të parë për vetë muslimanët, po edhe për mbarë shoqërinë.
Në këtë seminar morën pjesë 56 të rinj dhe aktivistë nga xhamia e Aarburgut, e Langenthalit, e Grenchenit, e Lenzburgut dhe nga dy xhamitë e Reinachut.
Për këtë UISHZ angazhoi dy imamë nga radhët e saj si ligjërues, nga arsyeja se më mirë se askush tjetër imamët e këtushëm e njohin realitetin e kësaj dukurie, respektivisht imamin e Kreuzlingenit mr. Rejhan ef. Nezirin dhe imamin e Wetzikonit dr. Bashkim ef. Aliun.
Rejhan Neziri ligjëroi në gjuhën gjermane, duke u nisur nga fakti se kështu tema mund të bëhej më e kapshme dhe më e kuptueshme. Tema e tij titullohej “Radikalisierung muslimischer Jugendlicher – Prozess und Herausforderungen”, pra “Radikalizimi i të rinjve muslimanë – procesi dhe sfidat”. Këtu ishin për qëllim në rend të parë të rinjtë muslimanë që jetojnë në Perëndim, e në veçanti në Zvicër. Në fillim ai e trajtoi luftën e koncepteve që zhvillohet nëpër media e nëpër qarqe të caktuara politike më tepër për të stigmatizuar një grup të caktuar fetar, sesa për ta sqaruar vetë dukurinë. Ai vuri në pah vështirësinë, madje edhe pamundësinë, e një përkufizimi shkencor të disa termeve që e trajtojnë këtë çështje. As ndër shkencëtarë e as ndër politikanë nuk ekzistojnë definicione të gjithëpranueshme për atë se ç’është radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi. Ai përmendi pohimin e studiuesit Mark Sedgwick që këto terme të mos merren në kuptimin e tyre absolut, porse relativ. Nga arsyeja se, sipas tij, për shembull termi “radikalizëm” përdoret në tri kontekste: në atë të sigurisë së brendshme, të integrimit dhe të politikës së jashtme. Meqë secili kontekst ka agjenda të ndryshme, ato e përdorin këtë term për të shprehur gjëra të ndryshme… Rezultati i këtij kryqëzimi të termeve është mashtrimi dhe lajthitja në përkufizimin e linjës që e ndanë “të moderuarin” nga “radikali”. Duke e pasur parasysh këtë vështirësi të definimit të qartë të koncepteve ne shpesh ndeshemi me përgjithësime nga më të ndryshmet kur është në pyetje sqarimi i motiveve dhe i kryerjes së sulmeve terroriste në vende të ndryshme perëndimore.
Më tej, Neziri vuri theksin e tij se kush mund të ishin këta të radikalizuar deri në terroristë që ushtrojnë sulme terroriste nëpër qendra të ndryshme evropiane. Gishti drejtohej te të gjithë muslimanët, pastaj te selefistët. Këtu ai, duke u mbështetur në pohimet e Quintan Wiktorovicz, bëri ndarjen treshe: në puristë, politikë dhe xhihadistë të selefistëve, dhe bazuar në Joas Wagemakers, ai bëri nënndarjen e mëtejme të selefistëve, krejt me qëllim që të identifikohen më lehtë ekstremistët dhe terroristët e vërtetë, dhe të mos futeshin në një thes të gjithë. Neziri theksoi se gjatë historisë së gjatë islame, persona apo grupe ekstremiste janë paraqitur nga shumë drejtime e shkolla, siç ishin në fillim havarixhët, pastaj në një farë mase mu’tezilët, po së fundmi edhe talibanët që vinin nga shkolla hanefite. Te të gjitha këto, vërehet shtrembërimi dhe lajthitja nga trungu i drejtimit apo shkollës së cilës në fillim i takonin.
Më pas Neziri foli për motivet e mundshme të radikalizimit të të rinjve muslimanë në Perëndim, duke i ndarë në arsye: personale a psikologjike, sociale, ideologjike dhe arsye që lidhen me ngjarjet dhe konfliktet në botën islame.
Me rëndësi ishte të përmendet se shumica e të rinjve që po radikalizohen janë të rinj të gjeneratës së dytë dhe të tretë të emigrantëve, e më pak edhe të vendasve, dhe se këta kryesisht vijnë nga familje muslimane që aspak ose shumë pak e praktikojnë Islamin.
Neziri foli edhe për mënyrën dhe modalitetet e radikalizmit të të rinjve muslimanë. Ai tha se askush nuk bëhet sot për nesër radikal apo ekstremist, porse radikalizimi duhet të kuptohet para së gjithash si një “proces eskalimi drejt dhunës”. Me këtë rast ai përmendi modalitetin e psikologut musliman nga universiteti Georgtown, Fathali Assaf Moghaddam, të njohur si “Shkallët për te terrorizmi – The Staircase to terrorism”, si dhe modalitetin e Silber & Bhatt nga SHBA-të, “Radicalisation in the West: The Homegrown Threat”, pra “Radikalizimi në Perëndim: Kërcënimi vendor, shtëpiak”.
Neziri foli edhe për pikëpamjet, qëndrimet dhe pamjen e jashtme të radikalëve dhe të ekstremistëve të rinj muslimanë, duke tërhequr vërejtjen që të rinjtë muslimanë të mos gjykohen vetëm nga pamja e jashtme e tyre, sepse pikërisht kjo mund t’i shtyjë ata drejt radikalizmit, por në radhë të parë në bazë të qëndrimeve dhe pikëpamjeve të tyre që ata i përfaqësojnë dhe i mbrojnë.
Më në fund Neziri foli edhe për sfidat e ndryshme me të cilat ballafaqohet mbarë shoqëria perëndimore, duke theksuar rolin pozitiv, dhe në rend të parë preventiv, që duhet ta luajnë politikanët, media, shoqëria civile, shkolla dhe komuniteti musliman që jeton në Perëndim. Pengimi është gjithherë më i mirë se trajtimi, prandaj përgjegjësia ndaj këtyre dukurive bie mbi të gjithë faktorët relevantë të shoqërisë njësoj dhe në mënyrë të sinkronizuar. Asgjë nuk mund të bëjë vetëm xhamia, vetëm shkolla, vetëm mediat, apo vetëm shoqëria civile. Mirëpo, gjithsesi se të gjitha këto përnjëherësh, duke bashkëpunuar, mund të bëjnë shumë. Ai theksoi se xhamitë dhe imamët nuk duhet shikuar si inkubatorë të radikalizimit porse si partnerë në luftën kundër kësaj dukurie.
Referenti i dytë ishte dr. Bashkim Aliu, i cili ligjëroi në gjuhën shqipe, në temën me titull “Ekstremizmi, shkaqet dhe evitimi. Një qasje nga këndvështrimi islam”. Fillimisht ai foli rreth asaj se çfarë duhej nënkuptuar nën termin ekstremizëm, cilat ishin kuptimet gjuhësore dhe terminologjike të tij, duke theksuar se ai do të kufizohej vetëm në trajtimin e kësaj teme nga aspekti i mësimeve bazë islame. Ai theksoi se ekstremizmi është një nocion për të cilësuar veprime ose ideologji të cilat dalin nga kornizat të cilat konsiderohen të pranuara në shoqëri, qoftë për shkaqe pragmatike apo morale, dhe se në aspektin fetar kemi ekstremizëm që çon në dy skaje: në teprim dhe vështirësim si dhe në shpërfillje e lehtësim të tepruar.
Ai përmendi se si ekuivalente të mundshme për ekstremizmin Kur’ani përmend tri nocione: “el-guluvvu”, “mutenetti’un” dhe “tesheddud”.
Më pas ai foli për refuzimin që mësimet islame të Kur’anit dhe të Sunnetit ia bëjnë teprimit të të dyja skajeve, e në veçanti të teprimit në drejtim të shtrëngimit dhe vështirësimit. Ai pohoi se Kur’ani shumë qartë e quan ummetin musliman si “ummet i mesit” dhe jo i skajshmërive, ekstremizmave; Islami kërkon në gjithçka lehtësim të punëve dhe jo shtrëngim e vështirësim. Teprimi sipas Islamit ndalohet si në planin personal ashtu edhe në atë kolektiv, si në planin real të dukshëm, ashtu edhe në atë shpirtëror dhe psikik. Për këto ai përmendi mjaft ajete kur’anore dhe shembuj praktikë nga jeta e Muhammedit a.s.
Aliu foli edhe për shkaqet e paraqitjes dhe zhvillimit të ekstremizmit, kryesisht në botën islame:
1. Plan-programet mësimore dhe edukative jo adekuate dhe të ngushta të lëndëve fetare në shumë vende ku jetojnë muslimanët ku nuk bëhet përqendrimi në pozitiven, të bukurën, atë që është e përbashkët, njerëzoren si vlerë universale.
2. Keqkuptimi i çështjeve fetare dhe fanatizmi në mendim e qëndrim dhe mos pranimi i mendimit të tjetrit. Pasojat e kësaj janë:
– mos pranimi i mendimit të tjetrit edhe në çështjet diskutabile:
– përzierja e gjërave fetare duke mos dalluar çka është e prerë dhe definitive dhe çka diskutuese dhe jo e prerë:
– tekfiri – etiketimi i muslimanëve si jo besimtar – rezulton me vrasjen e tyre, mohimi i çdo funksioni në shoqëri, nxjerrja nga feja e çdo njërit që vepron apo mbështet pushtete dhe funksione të tilla.
– akuzimi i kontributit pozitiv në shoqëri dhe përmes rrugës politike si mosbesim dhe heretizëm (zendeka), si p.sh. pjesëmarrja në parlament, qeveri, zgjedhje, etj.
– akuzimi i dijetarëve si të nënshtruar ndaj të tjerëve për shkak të fetvave që përmbajnë lehtësimin, apo kinse se haramin (të ndaluarën) e bëjnë hallall (të lejuar), apo bile duke i etiketuar ata edhe si masonë, që punojnë për synime të errëta “jo-islame”.
3. Kuptimi i devotshmërisë si ndjekje e më të vështirës dhe më të rëndës në kontinuitet. Kjo manifestohet në dy mënyra:
– personalisht ta detyrojë veten për më të rëndën edhe pse ka fakte se më e lehta nuk është mëkat,
– t’i detyrojë të tjerët ta pranojnë mendimin e tij.
4. Mosdallimi i dispozitave fetare që kanë të bëjnë me luftën dhe paqen.
5. Keqkuptimi i parimit të “urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja” që për pasojë ka: shkatërrim të pasurive, konflikte personale dhe familjare, marrje të ligjit në duar nga njerëz të papërgjegjshëm dhe jo-kompetentë;
6. Përqendrimi në diskutimin e çështjeve dytësore, periferike, me njerëzit, për të cilat ka dallime mes dijetarëve, dhe lënia pas dore e çështjeve bazike.
7. Kapja e institucioneve fetare, gjë që shkakton kundër-efekt te masa dhe rebelon një shtresë, mos liria e shprehjes së mendimit të lirë brenda institucioneve nga ana e vetë pjesëtarëve si dhe burokracia në disa institucione fetare.
8. Traditat lokale dhe rrethanat sociale.
9. Mungesa e kuadrit adekuat për shpjegimin e gjërave në disa raste.
Aliu më në fund foli edhe për mënyrën e evitimit të kësaj dukurie dhe theksoi se kjo është e mundur si vijon:
– konsultimi me institucionet relevante islame në botën islame dhe në Perëndim,
– luftimi i injorancës dhe përhapja e dijes së vërtetë islame,
– reforma në programet shkollore dhe përgatitja në mënyrë shkencore dhe edukative për natyrën e vërtetë të Islamit,
– respekti ndaj pluralizmit kulturor dhe civilizues në historinë islame,
– mësimi i drejtë i kulturës së dialogut dhe komunikimit sipas Islamit,
– forcimi kadrovik dhe programor i institucioneve fetare,
– hapësira e përshtatshme në mediume publike dhe në shkollat publike për promotorët e vijës mesatare.
Pas secilës ligjëratë pjesëmarrësit në seminar patën mundësinë të parashtronin pyetje dhe të diskutonin rreth temave të shtjelluara.
Krejt në fund, kryetari i UISHZ-së, mr. Nehat Ismaili, u ndau pjesëmarrësve nga një vërtetim për pjesëmarrje aktive në këtë seminar.
Vlen të theksohet, po ashtu, se i njëjti seminar pritet të mbahet edhe në Cyrih, me 14 maj, 2017.
Përgatiti: Mr. Rejhan Neziri