Hfz. Mehas Alija
Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.
“E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë.” (Kur’an: Bekare, 185)
“Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.” (Buhariu – Muslimi)
Të dashur xhematlinj!
Dëshiroj ta filloj hytbenë e sodit me një transmetim të hz. Omerit r.a., prej të cilit mësohet se Muhammedi a.s. ka thënë: “Ka me ardhur një kohë kur njerëzit vetëm për nga forma do të duken si njerëz, ndërsa zemrat e tyre do të jenë si të ujqërve të shkretëtirës. Fëmijët e tyre do të jenë të paedukatë, të rinjtë të devijuar, kurse të moshuarit – të vrazhdë dhe të ashpër. Nuk do të interesohen të urdhërojnë për të mirë, e as nuk do të ndalojnë nga e keqja. Të mirët e tyre do të konsiderohen si për të humbur, kurse njerëzit e devijuar, do të shihen si të përparuar, si të mirë. Ai që do të urdhërojë për punë të mira, do të shihet me dyshim, kurse mëkatari do të promovohet si njeri ndershëm dhe fisnik. Besimtari në atë kohë do të jetë prej të shtypurve.” (Imam Sujuti).
Tek sa e shkruaja këtë hadith, e ndjeja atë dhe realiteti i tij më prekte thellë në shpirt. E shikoja atë gjithandej, madje më dukej se atë kohë e kisha parasysh, sikur një dramë e tillë po luhej, vërtetë, para syve të mi.
Besimtarë të shtrenjtë!
Jemi dëshmitar të devijimit dhe të keqorientimit të madh në botë, që për fat të keq, një gjë e tillë po ndodh edhe me fetarët dhe njerëzit e Zotit. Një gjendje e këtillë ndikon në krijimin e anomalive dhe problemeve psikike, shpirtërore dhe shoqërore, si për individin, ashtu edhe për shoqërinë.
Nëse shikojmë rreth vetes dhe në vendlindjet tona; nëse i shikojmë udhëheqësit tanë, partitë politike, shoqatat dhe organizatat, do të shohim se edhe vetë fetarët, ata që promovojnë publikisht frymën islame, janë të ndarë si mos më keq. Se çfarë është duke ndodhur me ne, vetëm Allahu xh.sh. e kupton më së miri. Vjen Ramazani, kurse ne shpresojmë se me ardhjen e tij, do të vijë edhe një klimë e re e dashurisë së ndërsjellë. Mu ashtu siç bashkohemi në agjërim, me syfir dhe iftar, të bashkohemi me fetarë dhe kombëtarë.
Nëse shikojmë disponimin dhe organizimin familjar, ai nuk është si para disa vitesh. Nuk duhemi, nuk vizitohemi dhe nuk ndihmohemi si vite më parë. Bisedat plotë të qeshura në familje janë venitur shumë, kurse zënkat dhe ndarjet janë bërë “meny” e ditës. Vjen Ramazani, kurse ne shpresojmë se me ardhjen e tij, me dritën e syfirit dhe sofrën e iftarit, do të kthehet drita dhe ngrohtësia familjare, dashuria prindërore dhe respekti vëllazëror. Mu ashtu siç larohemi nga haja dhe pija, të largohemi nga hidhërimi, urrejtja dhe hasmëria.
Vëllezër dhe motra të nderuara!
Vargun e këtij mendimi do të mund ta kisha zgjatur edhe më shumë, duke sjellë edhe aspekte të tjera nga jeta jonë, për t’i vënë përpara dritës së muajit të bëkuar të Ramazanit, por për shkak të natyrës së hutbes, do të mjaftohem edhe me këto porosi të shkurtra:
– Dijeni, të dashurit e mi, nëse shihni se u janë mbyllur dyert e tokës, të dynjasë, me ramazanin u hapen dyert e qiellit, u hapet dera e xhennetit, Rejjan. Në ramazan, hape derën e pendimit, të shpresës, derën e jetës së re, të rilindjes.
– Pasi në Ramazan, Allahu xh.sh urdhëron të lidhen shejtanët, atëherë e jona është ta lidhim çdo gjë që na e vjedh kohën tonë, që prish rahatinë, mendjen, besimin, shëndetin dhe lumturinë tonë.
– Në Ramazan mbyllen dyert e Xhehennemit, ndërsa ne duhet të mbyllim çdo derë të dështimit, të fesadit, të mëkatit, të përçarjes, të dembelizmit, etj.
– Në ramazan shtrohet sofra e Allahut xh.sh., sofër me begati të mëdha shpirtërore dhe materiale. Muhammedi a.s. thotë: “Me të vërtetë Allahu xh.sh. ka sofrën që syri se ka parë, veshi se ka dëgjuar, e as mendja se kap dot. Në atë sofër ulen vetëm agjëruesit.” (Taberani).
Xhemat i shtrenjtë!
Le ta shtrojmë sivjet edhe ne një sofër të madhe ramazani, ku aty do të jetë agjërimi, leximi i Kur’anit, namazi, sadakaja, pendimi, falja, ndihma, mirëkuptimi, toleranca, buzëqeshja, butësia, harmonia, jeta e re, fillimi i ri, ndryshimi, progresi, bashkimi, fitorja, etj.
Ramazani po vjen me favore dhe shanse të mëdha, andaj urdhëroni e bëjani vendin.
(Hutbeja e xhumasë, 19.05.2017, e xhuma, El-Hidaje, St.Gallen, Zvicër)