Më 03 dhjetor 2017, pasditën e së dielës, Bashkësia Islame „Al-Shems“ në Rebstein, (kantoni i St. Gallenit) të Zvicrës, organizoi një tribunë fetare, të gërshetuar me lexim Kurani, salavate, ligjerata, ilahi dhe pjesë të mevludit, kushtuar njeriut më të mirë dhe më të dashur të Allahut, Hazreti Muhammedit, s.a.v.s.
Teologët që referuan në këtë tribunë fetare ishin: Dr. Abdulxhemil ef. Nesimi, profesor i tefsirit pranë Fakultetit të Shkencave islame në Shkup dhe Dr. Selver ef. Xhemaili, drejtor për diasporë pranë Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë.
Programin e udhëhoqi imami i xhamisë, Enes ef. Koshi, i cili pas përshëndetjes së të pranishmëve dhe shprehjes së mirëseardhjes për mysafirët, theksoi se ardhja në këtë botë e Hazreti Muhammedit a.s. është ngjarja më e rëndësishme në të gjithë historinë e njerëzimit, sepse me këtë burrë, i madhi Zot do të derdhte mëshirën e Tij mbi të gjithë botët.
Referuesit shpalosën para xhematit shembuj konkret nga jeta e bekuar e Pejgamberit, a.s., duke theksuar se ai është shëmbëlltyrë për mbarë njerëzimin dhe modeli më i përkryer për secilin besimtar dhe besimtare në çdo kohë dhe në çdo vend.
I ftuar në këtë manifestim ishte edhe lexuesi i mirënjohur i Kuranit dhe ilahive, Mr. Eljesa Asani nga Gostivari, i cili me zërin e tij të ëmbël dhe leximin e tij profesionist, rrenqethi zemrat e të gjithve…
Më pastaj, u kënduan edhe dy pjesë të Mevludi Sherifit nga imamët e nderuar të Luginës së Preshevës, Abdulaziz ef. Rashiti dhe Adnan ef. Aliu.
Në vazhdim, Hfz. Mehas Alia, imami i xhamisë „El-Hidaje“ në fjalën përshëndetëse shprehu kënaqësinë e tij për organizimin e këtij tubimi, në të cilin ishin mbledhur teologë, imam, të rinj e të reja, besimtarë e besimtare…
Në fund, fjalën përshëndetëse për të pranishmit në emër të xhamisë e drejtoi kryetari i saj z. Fatmir Salihu, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, e në veçanti ligjëruesit, të cilët me kumtesat e tyre dhanë mesazhe, leksione dhe mësime të dobishme nga jeta e bekuar e Resulullahit, s.a.v.s.
Në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje, z. Salihu u dhuroi mysafirëve pjesën e parë dhe të dytë të veprës së Imam Gazalit, „Ihja ulumiddin“ (Rilindja e shkencave fetare). Ky libër madhështor është përkthyer në gjuhën shqipe nga dr. Ali Iljazi, ndërsa botimin e kësaj vepre e bëri të mundur xhemati i xhamisë „Al-Shems“ në Rebstein.
Në anën tjetër, Dr. Selver Xhemaili, në emër të Reis Ulemasë së BFI-së, Sulejman ef. Rexhepit, i dorëzoi kryetarit të xhamisë një mirënjohje për përkrahjen dhe ndihmën që xhemati i kësaj xhamie po i jep nstitucioneve edukativo arsimore të Bashkësive Islame të vendlindjes.
Po ashtu, duhet potencuar se ky manifestim, u organizua në bashkëpunim të ndërsjellë me imamin, kryesinë dhe xhematin e xhamisë „El-Hidaje“ në St. Gallen. Në shenjë falënderimi dhe nderimi për këtë bashkëpunim, kryetari i xhamisë „Al-Shems“ Fatmir Salihu, i dhuroi Librin e Ihjasë (Pjesën 1 dhe 2) kryesisë dhe xhematit të El-Hidajes, kurse këtë e pranoi kryetari i xhamisë, Ejup Emini. Lusim Allahun e Madhërishëm që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në fund, në restaurantin e xhamisë, pjesmarrësit patën rastin të shërbehen me ushqime dhe ëmbëlsira të llojllojshme të përgatitura nga kryesia dhe rinia e xhamisë.
Në vijim, mund t’i shihni disa foto nga ky aktivitet…