UNIONI I IMAMËVE SHQIPTARË NË ZVICËR
Shkurt:UISHZ
S T A T U T I
1.0 EMRI, SELIA
1.1 Nën emrin „Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër“ (UISZ) ekziston një shoqatë politikisht neutrale dhe jo afariste, sipas nenit 60 ff. të Kodit Civil Zviceran.
1.2 Selia e këtij Unioni gjendet në qytetin Zürich kanton ZH .
2.0 QËLLIMET, JETËGJATËSIA DHE VEPRIMTARIA
2.1 Unioni përcjell mesazhin islam në Zvicër dhe jashtë saj sipas metodologjisë së shëndoshë islame.
2.2 Unioni përhap njohuritë fetare islame dhe ofron lehtësime në rrugën e mësimit të Islamit.
2.3 Unioni ofron dhe/ose prezanton fetvatë (përgjigjet juridike islame) duke u mbështetur në parimet bazë të njohura te dijetarët e fesë.
2.4 Unioni kontribuon në zgjidhjen e problemeve të shumta të muslimanëve në rrafshin social, psikologjik, kulturor dhe fetar si dhe ofron këshilla e sugjerime duke u mbështetur në burimet e Islamit.
2.5 Unioni merr pjesë në realitetin aktual përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të mendimeve; zhvillon një vizion të qartë mbi të ardhmen dhe prezanton zgjidhje për sfidat me të cilat ballafaqohen muslimanët.
2.6 Unioni angazhohet për integrimin e muslimanëve në shoqërinë zvicerane dhe me këtë rast ai bart qëndrimin e mesëm në interpretimin e Islamit.
2.7 Ekstremizmi dhe/ose fanatizmi i çdo lloji as nuk tolerohet e as nuk mbështetet nga ana e Unionit.
2.8 Unioni angazhohet fuqishëm për avancimin e dialogut ndërfetar dhe për këtë i merr të gjitha masat e nevojshme për sigurimin dhe ruajtjen e paqes e të bashkëjetesës në shoqërinë zvicerane.
2.9 Unioni kultivon marrëdhënie të mira me Bashkësitë Islame të vendlindjes, me lidhjet e shoqatat kulmore islame si dhe me komunitetet e tjera fetare këtu në Zvicër.
2.10 Unioni është themeluar për një kohë të pacaktuar.
2.11 Unioni zotohet të veprojë në mënyrë të pavarur. Veprimtaria e tij nuk guxon të bjerë ndesh as me qëllimet e sipërpërmendura po as edhe me parimet e fesë islame.
3.0 MJETET FINANCIARE
3.1 Unioni parimisht është i pavarur nga aspekti financiar.
3.2 Financimi i Unionit sigurohet nga burimet vijuese:
– Kontributet e anëtarësisë
– Subvencionet
– Dhuratat e pakushtëzuara
– Testamentet/Trashëgimitë
– Kontributet e bamirësve
– Të ardhurat nga organizimet dhe aktivitetet personale
3.3 Fondet dhe tepricat që ngelin nga llogaritë vjetore përdoren ekskluzivisht dhe në mënyrë të parevokueshme për qëllimet dhe synimet e Unionit.
4.0 ANËTARËT DHE ANËTARËSIMI
4.1 Anëtarë të Unionit janë të gjithë imamët, vaizet dhe vaizët (predikuesit), mual-limet dhe mual-limët (mësuesit fetarë) si dhe teologet dhe teologët muslimanë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër dhe të cilët pajtohen me këtë statut dhe me ligjet në fuqi të shtetit zviceran.
4.2 Unioni njeh:
a) Anëtarë të rregullt
b) Anëtarë jo të rregullt
c) Anëtarë nderi
4.3 Për anëtarësim në Union mund të aplikohet me shkrim në çdo kohë. Për pranimin e aplikacionit (kërkesës) vendos kuvendi i Unionit.
4.4 Ndalohet anëtarësimi i anëtarëve të Unionit në ndonjë shoqatë apo organizatë rivale me Unionin ose me ndonjë të tillë që nuk e njeh Unionin apo edhe që ka qëndrim mohues dhe kundërshtues ndaj tij.
5.0 SHUMA E ANËTARËSISË
5.1 Shumën e anëtarësisë e përcakton kuvendi i Unionit.
5.2 Shuma e anëtarësisë mund të paguhet muaj për muaji ose për një vit, me kusht që pagesa të bëhet paraprakisht.
6.0 Ç’ANËTARËSIMI, PËRJASHTIMI
6.1 Anëtarësimi shlyhet nëse:
– një anëtar përmes një poste rekomanduese ia drejton kërkesën për ç’anëtarësim kryesisë së Unionit,
– një anëtar përjashtohet për arsye të pranueshme nga ana e shumicës prej dy të tretave të kuvendit të Unionit.
6.2 Secili anëtar ka të drejtë të shtrojë ankesë kundër përjashtimit të tij me një postë rekomanduese në një afat prej dhjetë ditësh. Me këtë rast për këtë vendos këshilli mbikëqyrës i Unionit. Pas kësaj, vendimi bëhet përfundimtar.
6.3 Anëtarët që ç’anëtarësohen ose përjashtohen, nuk kanë të drejtë prone në Union.
7.0 ORGANIZIMI
7.1 Organet e Unionit janë:
– Kuvendi
– Kryesia
– Këshilli mbikëqyrës
8.0 KUVENDI
8.1 Kuvendi është organi më i lartë i Unionit. Ai punon në seanca, të cilat mbahen më së paku një herë në vit.
8.2 Kuvendi ka këto detyra:
– Zgjedh këshillin mbikëqyrës
– Fikson shumën e anëtarësisë
– Miraton plan-programin vjetor dhe raportin e punës së Kryesisë
– Miraton planin financiar dhe llogarinë përfundimtare të Kryesisë
– Miraton dhe rishikon/ndryshon statutin e Unionit
8.3 Vendimet merren me shumicën absolute të të pranishmëve.
8.4 Në mbledhjen e parë konstituive Kuvendi zgjedh kryetarin dhe nënkryetarin e vet, të cilët udhëheqin seancat e Kuvendit.
8.5 Kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit zgjidhen në çdo dy vjet. Rizgjedhja është e mundur vetëm një herë.
8.6 Kuvendi mund të marrë vendime nëse arrihet kuorumi prej dy të tretave të anëtarëve. Nëse nuk arrihet kuorumi, atëherë kuvendi thirret edhe një herë dhe në këtë rast ka fuqinë vendimmarrëse.
8.7 Kuvendi mban takimin në gjuhën shqipe; nëse kërkohet, pjesërisht edhe në ndonjë gjuhë zyrtare të vendit.
8.8 Pikat e rendit të ditës duhet të kumtohen më së paku një javë para se të mbahet kuvendi.
9.0 KRYESIA
9.1 Kryesia përbëhet nga kryetari, dy nënkryetarë, sekretari dhe arkëtari.
9.2 Kryesia zgjidhet në çdo dy vjet.
9.3 Anëtarët e rinj të zgjedhur për në kryesi, duhet të kenë qenë më së paku dy vjet anëtarë të Unionit.
9.4 Kryesia i udhëheq punët e Unionit dhe i realizon vendimet e kuvendit.
9.5 Kryesia punon vullnetarisht, pra nuk paguhet për punën që ajo e bën.
9.6 Anëtarët e kryesisë mund të japin dorëheqje në një afat prej tre muajsh përmes një poste rekomanduese drejtuar kryetarit të kryesisë së Unionit.
9.7 Me rastin e nenit 9.6 kryesia vendos thirrjen e një takimi të jashtëzakonshëm të kuvendit për të zgjedhur anëtarin/ët zëvendësues.
10.0 KËSHILLI MBIKËQYRËS
10.1 Kuvendi e zgjedh këshillin mbikëqyrës për dy vjet. Ky këshill përbëhet prej 3 personave. Rizgjedhja e tyre është e mundur vetëm një herë.
10.2 Anëtarët e zgjedhur për në këshillin mbikëqyrës duhet të kenë qenë më së paku dy vjet anëtarë të Unionit.
10.3 Detyrat kryesore të këshillit mbikëqyrës janë të llojit këshillëdhënës dhe mbikëqyrës në lidhje me kryesinë dhe me ndonjë komision ose organ tjetër.
10.4 Në qoftë se këshilli mbikëqyrës vëren mangësi në punën e kryesisë ose të ndonjë komisioni tjetër të Unionit dhe nuk arrin gjuhë të përbashkët me organin gjegjës, ai ka të drejtë ta thërrasë kuvendin dhe t’i informojë anëtarët e kuvendit për mangësitë. Më pas kuvendi vendos për hapat e mëtejmë.
11.0 KONTABILITETI
11.1 Unioni mban kontabilitetin për të gjitha fushat financiare të punës së tij.
11.2 Regjistrat e kontabilitetit duhet që më së paku një muaj para takimit të kuvendit t’u shpërndahen kontrolluesve të kontabilitetit, të cilët i zgjedh kryesia.
11.3 Kontrollimi i kontabilitetit kryhet nga ana e dy revizorëve (kontrolluesve). Këta revizorë nuk guxojnë të jenë as anëtarë kryesie po as anëtarë të këshillit mbikëqyrës.
11.4 Raporti i revizorëve duhet t’i parashtrohet kuvendit për miratim ose refuzim.
12.0 PËRFAQËSIMI NË PUBLIK
12.1 Unioni sipas rregullit përfaqësohet në jetën publike nga ana e kryetarit të Kryesisë së Unionit ose, nëse ai është i penguar, nga ana e nënkryetarëve.
12.2 Nënshkrimi i përbashkët i kryetarit dhe i sekretarit ose i ndonjërit prej nënkryetarëve dhe i sekretarit janë detyruese për punët e rregullta të Unionit.
13.0 DORËZANIA
13.1 Për borxhet dhe angazhimet tjera të Unionit dorëzanë është vetëm prona e Unionit.
13.2 Prona private e anëtarëve të Unionit nuk vlen si garanci apo dorëzani për punët e Unionit.
14.0 SHPËRBËRJA
14.1 Unioni mund të shpërbëhet me vendim të shumicës prej ¾ të anëtarëve të kuvendit në një takim të rregullt ose të jashtëzakonshëm të tij.
14.2 Në rast të shpërbërjes, aktivet e Unionit i dorëzohen ndonjë shoqate humanitare islame në Zvicër.
15.0 NDRYSHIMI I STATUTIT
15.1 Ky statut mund të ndryshohet me shumicën prej 2/3 të anëtarëve të kuvendit. Kërkesa për ndryshim të statutit mund të shtrohet ose nga shumica absolute e anëtarëve të kryesisë ose e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës. Kjo kërkesë duhet paraprakisht të jetë shënuar si pikë e rendit të ditës në kuvendin gjegjës.
15.2 Në qoftë se në kuvend nuk marrin pjesë më së paku 2/3 e anëtarëve me të drejtë vote, atëherë thirret një kuvend i jashtëzakonshëm dhe vendoset sipas procedurës së nenit 8.4.
15.3 Çdo ndryshim i statutit i ndërmarrë në kuvend hy në fuqi menjëherë.
Kryetari: Rejhan Neziri
Sekretari: Fehim Dragusha
Miratuar në Bernë, më 22. 01. 2012