Thun – Nxënësit përfunduan kursin në dituri Islame
Leximi i Kuranit , adhurim ndaj Zotit
Ezani i Ikindisë, që paralajmëronte kohën e namazit, i zuri në befasi disa persona që sapo kishin filluar të provonin ëmbëlsirat. Por megjithatë, prioriteti i radhës ishte namazi dhe si rezultat i kësaj, i gjithë xhemati filloi përgatitjet për namaz
Në fundjavën e kaluar, në lokalet e xhamisë Ikre në Thun, në një atmosferë miqësore u kremtua përfundimi i kursit fetaro – islam, nga ana e tre nxënësve të kësaj Qendre Islame, filluar tre vite më parë.
Në këtë solemnitet, morën pjesë një numër i konsiderueshëm i besimtarëve, të cilët patër rastit të ndjekin nga afër, programin e larmishëm të organizuar nga nxënësit e Ikre– s.
Si në çdo manifestim fetare edhe këtu, nuk munguan recitimet kur’anore , ilahitë dhe poezitë.
Në fund të programit patëm rastin të ndjekim një garë në dituritë islame. Kuiz ky i cili nxiti një kureshtje të madhe në mes të pranishmëve.
Programin e bëri të hapur nikoqiri i xhamisë, imami Irfan Agushi, i cili ju uroj mirëseardhje mysafirëve, xhematit të xhamisë, si dhe kryetarit të UISHZ-së Mr. Rejhan Nezirit, duke i falënderuar për kohën që ata kishin ndarë për këtë eveniment.
Pjesëmarrja e kryetarit të Unionit të Imamëve në Zvicër, Mr. Rejhan Neziri, bëri që ky manifestim të marrë një rrjedhë më serioze nga ajo që dukej të ishte. Ai mori pjesë në
këtë takim në emër të Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, të cilit iu dha fjala përshëndetëse.
Në ato pak minuta që pati në disponim, z. Neziri u fokusua në rolin që ka imami në xhami dhe rëndësinë për të edukuar gjeneratat e reja në frymën Islame.
„Është kënaqësi e veçantë të jem sot në mesin tuaj, në këtë takim, në të cilin më shumë se kurdoherë, flet puna“- tha Neziri.
Më pas ai theksoi se “Leximi i Kuranit në gjuhën origjinale arabe konsiderohet adhurim ndaj All-llahut xh.sh. dhe kjo është një nga arsyet se pse duhet mësuar leximi i Kuranit në gjuhën origjinale“.
Ai mes tjerash uroi imamin, kryesinë dhe xhematin për rezultatet e arritura në rrafshin islam, duke përmendur në këtë rast xhaminë në qytet, caktimin e vendit për varreza të ndarë nga komuna e Thun-it dhe aktivitetet e ndryshme me të cilat merret kjo xhami.
Se sa e madhe është vlera në mësimin e shkronjave arabe dhe më pas leximit të Kuranit në këtë gjuhë, z. Neziri ua bëri të ditur të pranishmëve, duke u bazuar në disa thënie të profetit Muhammed a.s.
Pos një ligjërate të shkurtër dhe të qëlluar, ai kishte sjellë nga qyteti i tij, nga një kopje të librit “Islami im”, për nxënësit që kishin përfunduar kursin në leximin e Kuranit.
Pasi z. Neziri u uroi nxënësve suksese në të ardhmen, ai ua dhuroi librat që kishte sjellë si dhe ndau disa dhurata që këshilli i xhamisë i kishte përgatitur për nxënësit.
Me këndimin e duasë së hatmes përfundoi dhe programi i paraparë për atë pasdite.
Ëmbëlsirat e shumta të paraprira nga specialitetet e vendlindjes, si bakllavatë e tollumbat, bënë që të pranishmit të kalonin disa çaste të këndshme, në një atmosferë më të lirë dhe komunikuese mes njëri-tjetrit.
Ezani i ikindisë, që paralajmëronte kohën e namazit, i zuri në befasi disa persona që sapo kishin filluar të provonin ëmbëlsirat. Por megjithatë, prioriteti i radhës ishte namazi dhe si rezultat i kësaj, i gjithë xhemati filloi përgatitjet për namaz.
Pas përfundimit të namazit, turma e njerëzve filloi të shpërndahet duke përshëndetur dhe uruar njëri-tjetrin për këtë ngjarje të veçantë, që dukej se kishte zënë vend të posaçëm në zemrat e këtyre njerëzve.