Hixhreti, rrugë sakrificash
Bashkim Aliu
Çdo vit, muslimanët në katër anët e botës, e përkujtojnë ngjarjen e rëndësishme të historisë së fesë sonë, Hixhretin, i cili pati jehonë të madhe në botë, dhe pas tij jeta e muslimanëve mori formë të re të organizimit, gjegjësisht muslimanët u bënë subjekt i rëndësishëm në hartimin e historisë, ata u paraqitën faktor kyçdhe me influencë në arenën botërote dhe lanë gjurmë të thella në sfera të ndryshme të jetës njerëzore. Bota më nuk i shikonte ata vetëm si misionarë të cilët aktivitetin e tyre e kanë të kufizuar në fjalë dhe instruksione rreth nevojës së kultivimit të cilësive të bukura e humane në shpirtin e njeriut, por si subjekt serioz, me prestigj, në shoqerinë njerëzore dhe orientimin e rrjedhave të saja: politike, ekonomike, sociale, morale, shkencore etj. Pikërisht pas kësaj ngjarje, ideologjia e mbrapsht idhujtare pa se po i kanosej rrezik serioz asaj dhe se filluan të lëkunden themelet e shtetit të saj, si dhe të ngritet shoqëria e re ideale e besimit. Për këtë rendësi të madhe që ka Hixhreti në historinë islame, Omeri [radijall-llahu anhu] caktoi që ai të jetë pikënisje e kalendarit musliman, edhe pse për këtë cështje u dhanë propozime të ndryshme, si ditëlindja e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lern], zbritja e Kur’anit, Miraxhi, vdekja e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), e tjerë.
Hixhreti na flet për shumë porosi, mësime dhe të vërteta të rëndësishme për jetën tonë si individi dhe jetën e umetit, e ne me këtë rast, do të ndalemi në një mësim të rëndësishëm që nxjerrim nga Hixhreti mësimin e sakrifikimit.
Sakrifikimi flet për vetëdijen e lartë fetare e cila ekziston te një person: Kjo nuk është fjalë e thatë, e zbrazur nga realiteti, por është fakt i dëshmuar në histori nga ana e muslimanëve. Faqet e historisë janë të mbushura plot me shembuj në të cilët demonstrohet gatishmëria e besimtarëve të denjë për ta sakrifikuar veten e tyre në rrugën e jetësimit të porosive hyjnore të Allahut të madhërishëm. Ata janë njerëz të cilët me dashuri kanë pranuar që me gjakun e tyre të ujiten lulet e pranverës së Islamit, e cila do të lulëzoj shumë shpejt pas kësaj errësire të tiranisë që po sundon disa dekada me radhë pas rënies së hilafetit. Ata të cilët sakrifikojnë për qëllime madhore, ata janë njerëz të idealeve, njerëz të cilët luftojnë kundër të ligës, njerëz të cilët vetveten çdo herë e kanë pasur të lidhur me Allahun. Për ta më rëndë është ta thejnë urdhërin e Allahut, se sa t’u derdhet gjaku i tyre.
Sakrifikimi në rrugën e misionit madhështor islam ka qenë tipar i cili i ka përcjellë pejgamberët e Allahut, e shokët e të Dërguarit të fundit të Allahut, sahabet e Muhamedit s.a.v.s., dhe besimtarët e denjë të cilët i kanë pasuar sahabet. Sakrifikimi si fenomen i Da’ëvetit-Thirrjes Islame, na paraqitet i domosdoshëm në këtë aspekt, jo se nuk mund të realizohet diçka pa një dukuri të tillë, por se lufta ndaj të ligës çdo herë do të jetë prezente dhe forcat e mbrapshta satanike çdo herë do të dalin barrierë në rrugën e misionit islam dhe me çdo mjet do të mundohen ta shuajnë lëvizjen e bekuar islame. Kjo duhet të shërbej si mësim i rëndësishëm për krerët e lëvizjes islame, dhe njëkohësisht ata ta kenë të qartë se sakrifikimi do të jetë pjesë integrale komplementare e misionit të tyre madhështor, se rruga e tyre do të jetë plot telashe dhe vështirësi, gjë që do të kërkoj sakrifikim të vetvetes, pasurisë, familjes dhe të afërmve, se do t’i përcjellin presione psiqike dhe fizike, individuale dhe familjare, e prej tyre lypet vendosmëri në këtë rrugë, sepse me këtë i porosit Allahu i Madhërishëm, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e poashtu, ky është mesazh i amshueshëm që rezulton nga jeta e pejgamberëve të Allahut, besimtarëve të devotshëm të cilët e bartën thirrjen islame, dhe nga jeta e yjeve të pashuar të këtij umeti me mision të amshueshëm, sahebeve, besnikëve të shpalljes pejgamberike dhe prijësve tanë në krye me imamin e tyre më të madh që njohu historia pas Pejgamberit s.a.v.s., Ebu Bekrin r.a. Kjo, poashtu, është porosi madhështore që buron prej ndodhisë së Hixhretit, siç shihet nga leximi i rrjedhës së Hixhretit, kur sahabet e sakrifikuan tokën ku lindën, pasurinë që e fituan me djersë, si dhe më të dashurit në jetën e tyre, të gjitha këto, për hirë të Islamit.