Muaji i Ramazanit dëshmi e besimit të sinqertë
Nga: Hasan BAFTIJARI
Jemi në prag të muajit të Ramazanit, para muajit që gjithmonë ofron ngrohtësi dhe kënaqësi, muajit specifik që ka rregullimin, orarin dhe atmosferën e vet.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në fillim të muajit të Ramazanit iu drejtua besimtarëve:
“O njerëz! Ju ka ardhur muaji i All-llahut të Madhërishëm, muaj i begative, mëshirës dhe faljes; muaji më i lartë tek All-llahu. Ditët e këtij muaji janë më të vlefshmet e ditëve; netët e këtij muaji janë më të mirat e netëve; orët e këtij muaji janë më të bekuarat e orëve. Është muaji në të cilin jeni të ftuar tek All-llahu si miqtë më të respektuar të Tij. Është muaji në të cilin shikimi është lartësim i All-llahut dhe gjumi është adhurim, është muaji kur pranohet lutja dhe shumëfishohet shpërblimi për veprat. Kërkoni pra, me zemër të pastër dhe qëllim të sinqertë bekimet e All-llahut për mbajtjen e agjërimit gjatë këtij muaji dhe lexoni Kur’an për hir të Tij. Atij njeriu që i mohohet falja e mëkateve në këtë muaj, është njeriu më i pafat. Uria dhe etja e këtij muaji le t’ju sjellë ndërmend urinë dhe etjen e Ditës së Kijametit. Jepni lëmoshë për të varfrit dhe të vobektët, nderoni të moshuarit dhe silluni me ëmbëlsi ndaj fëmijëve, forconi lidhjet farefisnore, ruajeni gjuhën, uleni shikimin dhe ruajeni dëgjimin nga ajo që është e ndaluar, tregojuni të mëshirshëm me jetimët, që të tjerët të tregohen të mëshirshëm me ju, kthehuni tek All-llahu të penduar sinqerisht dhe ngrijini duart në lutjet tuaja dhe në namaz për të kërkuar begatitë dhe mëshirën e Tij. Ramazani është epiqendër për përforcimin e fuqive shpirtërore, psikike e morale në jetën e popullit apo të individit… Ky na rikujton të vërtetën e qiejve dhe të tokës, na armatosë me fuqi ngadhënjyese dhe na nxitë ta duam lirinë, prej së cilës varet nderi i njerëzimit. Pra, Ramazani na dhuron të vërtetën, fuqinë dhe lirinë gjatë ditëve të urisë dhe etjes. O njerëz! Shpirtrat tuaj janë peng i veprave tuaja. Shpengojini ata duke kërkuar falje. Supet ju rëndojnë nga mëkatet. Çlirojini duke u përgjunjur me ballin në tokë. All-llahu ka premtuar që nuk do të dënojë dhe as frikësojë ata që janë lutur dhe përgjunjur përpara Tij. O njerëz! Nëse nderoni një agjërues duke e ushqyer me një vakt, All-llahu do t’ju japë shpërblim sikur keni çliruar një skllav dhe do t’ju falë mëkatet”.Kur e dëgjoi këtë, një prej shokëve të Pejgamberit u ngrit e tha: “O i Dërguar i All-llahut, jo të gjithë prej nesh kanë mundësi të ushqejnë një agjërues siç thua ti”. Kësaj Pejgamberi iu përgjigj: “Ruajeni veten nga e keqja e zjarrit qoftë edhe me një copë hurmë apo me një gllënkë ujë.”
“O populli im! Nëse një prej jush ndreq karakterin e tij gjatë këtij muaji, All-llahu do ta ndihmojë që ai të kalojë urën e Siratit (urë mes zjarrit dhe kopshtit) me hapa të sigurt, në një kohë kur të tjerëve do t’u dridhen këmbët. All-llahu do ta zbutë gjykimin ndaj njerëzve që tregojnë butësi gjatë këtij muaji kundrejt atyre që kanë nën vartësi. All-llahu do ta largojë zemërimin kur të takohet me një prej robërve të Tij në Ditën e Gjykimit, i cili është larguar nga mëkatet gjatë këtij muaji. All-llahu do ta ndërpresë mëshirën e Tij për ata njerëz që i prishin lidhjet e gjakut gjatë këtij muaji. All-llahu do t’i mbajë larg zjarrit ata njerëz që me dëshirën e tyre falen më shumë se ç’ju është bërë obligim, kurse shpërblimi për faljet e obliguara këtë muaj është 70 herë më i madh se në muajt e tjerë. Shtimi i faljeve në këtë muaj do të rëndojë shumë në peshoren e Ditës së Gjykimit. Shpërblimi i atij njeriu që lexon vetëm një varg të Kur’anit këtë muaj, është i njëjtë me shpërblimin që ka sikur të ketë lexuar të tërë Kur’anin në ndonjë muaj tjetër.
O njerëz! Gjatë këtij muaji hapen dyert e Xhennetit. Lutuni All-llahut që të mos i mbyllë ato dyer përpara jush. Gjatë këtij muaji mbyllen dyert e zjarrit, ndaj lutuni All-llahut që të mos i hapë ato dyer përpara jush. Shejtanët janë të lidhur, ndaj lutuni All-llahut që të mos kenë ndikim mbi ju.”Pasi dëgjoi të gjithë këtë, Ali ibn Ebi Talib u ngrit në këmbë dhe pyeti: “Cila është vepra më e shpërblyer gjatë këtij muaji?” Pejgamberi [sal-lall-lahu alejhi ve sel-lem] u përgjigj: “Vepra më me vlerë dhe me shpërblimin më të madh gjatë këtij muaji është të qenit i kujdesshëm ndaj gjërave që All-llahu i ka ndaluar”.
Muaji i Ramazanit është moment i fillimit të shpalljes së Kur’anit, prandaj edhe quhet muaji i Kur’anit, i shpalljes, i pejgamberisë. Prej atij momenti fillon edhe formimi i një grupi islam, e më vonë edhe themelimi i Botës islame. Shikoni muslimanët e hershëm, ata të cilët në betejën e Bedrit, e cila u zhvillua në ditën e shtatëmbëdhjetë të Ramazanit, të cilët edhe pse ishin pakicë, korrën fitore bindëse kundër pabesimtarëve, fitore të cilën e përmendi edhe All-llahu në Kur’anin Famëlartë… A mendoni se do të korrnin sukses sikur të mos i kishte përforcuar agjërimi në shpirtrat e tyre fuqinë, të vërtetën dhe lirinë e plotë shpirtërore? Ata sulmonin me fuqinë e Zotit, qëllonin me fuqinë e Zotit, sulmi i tyre kishte për qëllim të vërtetën. Pastaj shikoni fitoret e muslimanëve në betejat e Jermukut, Kadisijes, Xhelules, Hit-tinit etj…! A do të mund të ndodhnin ato në atë mënyrë mahnitëse, që i habitnin edhe hulumtuesit më të mëdhenj, sikur të mos ishin fituar me karakteristikat e agjëruesve, si ndershmëria, krenaria, sakrifikimi, durimi ndaj vështirësive, nënshtrimi para Zotit dhe zhvlerësimi i fuqive destruktive? E gjithë kjo ndodhi me fuqinë e Zotit të Madhërishëm, sepse Ai është ngadhënjyesi më i madh!
Të tillëve u hapen dyert e Xhennetit në Ramazan, u mbyllen dyert e Xhehennemit, pranojnë prej engjëjve (melaikeve) në Natën e Kadrit uratë dhe paqe, u falen mëkatet e të këqijat, u mbushen zemrat me dritën e Zotit dhe e përtërijnë famën me fuqinë e besimit (imanit)…
Me të tillët fitohen luftërat, gëzohen shoqëritë…
Nevoja jonë për njerëz të tillë është shumë e madhe, sepse sot ballafaqohemi me nënshtrim, me gjëra destruktive, korrupsion dhe devijim…
Muhammedi [sal-lall-lahu alejhi ves-sel-lem] ligjëroi në ditën e fundit të Muajit Sha’ban kështu: “O ju njerëz, është afruar muaji famëlartë dhe i begatshëm, në të cilin është nata që vlerësohet më tepër se një mijë muaj, në të cilin obligohen agjërimi dhe lutja (namazi) vullnetare natën (nafile); kush vepron pak, fiton shumë dhe ai që kryen një farz në të, sikur ka kryer shtatëdhjetë farze në një kohë tjetër; ky është muaji i durimit, kurse durimi shpërblehet me Xhennet; ky është muaji i barazisë dhe i shtimit të furnizimit (rizkut) të besimtarit; ai që ushqen ndonjë agjërues, i falen mëkatet, shpëton nga zjarri dhe nuk i pakësohet shpërblimi fare”. Njerëzit i thanë: “O i Dërguar i Zotit, nuk mundet çdokush prej nesh të ushqejë ndonjë agjërues”, kurse ai u përgjigj: “Zoti e shpërblen kështu atë që ushqen ndonjë agjërues me hurmë, ujë ose qumësht”.
Fillimi i këtij muaji është mëshirë, mesi falje (ndjesë) kurse fundi shpëtim nga zjarri. Ata që japin nga pasuria e vet, Zoti i mëshiron dhe i shpëton nga zjarri.
Ramazani, muaji i lirisë
“Në liri plotësohet adhurimi, kurse me realizimin e adhurimit plotësohet liria”.
Ahmed ibn Hadravejhi thotë: “Liria nuk është ashtu siç e kuptojnë shumica e njerëzve, gjegjësisht nuk përkufizohet me përfitimin e popujve të drejtat e tyre në udhëheqje e pavarësi, sepse kjo është liri politike, e pas saj vijon liria e idologjisë, e popullit, kulturës dhe doktrinave humane fisnike”.
O besimtarë e besimtare!
Ramazani na mëson lirinë e plotë, me urinë e tij, etjen, kufizimin dhe ndalimin…
A nuk e dëshironi lirinë e tillë, që buron nga uria dhe ndalesa?
Ejani pra të fluturojmë në horizontet e lirisë! Ejani të largohemi nga bota e robërve! Ejani të shohim se si jetojnë robërit në botën e adhurimit!
A mendoni se politikanët e mëdhenj, të cilët i dirigjojnë çështjet e botës, janë të lirë? A nuk e shihni se ata janë bërë robër të ambicieve të tyre politike! E si të bëhet bota e lumtur kur robërit e udhëheqin?
A mendoni se ata të cilët e udhëheqin popullin pa dëshirën e tij janë të lirë? A nuk i shihni se ata janë robër të epsheve dhe lakmisë? Si mund të jetë populli i lumtur kur robërit e udhëheqin?
A mendoni se të gjithë popujt që anojnë nga epshet e lira janë të lirë nga çdo adhurim? A nuk e shihni se ata janë viktimë e pavetëdijes dhe shprehisë vrasëse? Si mund të zgjohet një popull që nuk është çliruar nga prangat e robërisë?
Duke iu përgjigjur urdhrit të Zotit, besimtari heq dorë nga dëshirat e veta trupore, heq dorë edhe nga gjërat të cilat jashtë muajit të Ramazanit All-llahu ia ka bërë të lejueshme. Thënë edhe më qartë: çështjet e veta ia ka besuar All-llahut, e kjo është një sprovë nëpërmjet së cilës manifestohet sinqeriteti që i fle në thellësinë e shpirtit të tij ndaj besimit, kurse dihet se vetëm nëpërmjet detyrave – obligimeve zbulohen fshehtësitë që flenë në brendinë e njeriut.
Agjërimi është një adhurim i jashtëzakonshëm, ngase është veprim i fshehtë, është një çështje që i është besuar njeriut, askush tjetër nuk di nëse është duke agjëruar apo jo. Në anën tjetër, agjërimi është një adhurim që nuk ka kurrfarë përkrahjeje nga jashtë: agjëruesit nuk i brohorit askush. Përderisa për haxhiun njerëzit thonë “ky është haxhi”, atij që jep sadaka i thonë bujar, atij që falet i thonë namazxhi etj., edhe pse këto thënie nuk duhet të peshojnë tek vepruesit, prapëseprapë ata kanë njëfarë përkrahjeje, kanë njëfarë shtytje ndaj atij personi, ndërsa tek agjëruesi mbretëron vetëm bindja e tij se Zoti është duke e përcjellë dhe vetëm ajo bindje e mban të fortë e të qëndrueshëm në vendosjen e tij për të agjëruar. Ndoshta për këtë arsye agjërimi është vlerësuar aq lart, siç thuhet në një hadith kudsij: “Çdo vepër e njeriut ka shpërblim, vepra e mirë shpërblehet me dhjetëfish e deri në shtatëqind fish, me përjashtim të agjërimit, sepse ai bëhet vetëm për hirin Tim, pra Unë vetë do ta shpërblej”. E dihet se shpërblimi nga vetë Zoti është më i madh se shumëfishet e përmendura.
Kurrë nuk është vonë për t’u kthyer në rrugën e drejtë, për të përqafuar mësimet islame, për t’iu përulur madhërisë së Mëshiruesit, në duart e të Cilit është çdo gjë, e në duart e të Cilit do ta dorëzojmë edhe shpirtin.
All-llahu na dhuroftë vërtetësi të agjërimit, na bëftë nga të dhënurit pas namazit, posedues të veçorive të të devotshmëve; na ringjalltë me të shpëtuarit dhe na mundësoftë të arrijmë gradat e njerëzve të afërt me Zotin.