Reaksionet e muslimanëve boshnjakë dhe shqiptarë në Zvicër ndaj diskursit islam
Drejtues i projektit:
Dr. Samuel M. Behloul, Universiteti i Lucernit
Nga gjermanishtja:
Mr. Rejhan Neziri
Projekti hulumtues studion dhe analizon diskursin islam të periudhës së pas 11 shtatorit 2001 lidhur me rolin e tij konstitutiv për strategji të reja vetëprezantuese dhe komunikuese të bashkësive diasporale muslimane në Zvicër. Pikënisja e analizës qëndron në pyetjen, sa dhe si ka ndikuar tematizimi dhe problematizimi i Islamit, që pas 11 shtatorit 2001 është vënë në qendër të debateve publike dhe që praktikisht i ka kapluar të gjitha fushat e shoqërisë (politikë, edukim, imigrim, integrim, siguri), mbi strategjitë e veprimit të grupeve muslimane nga aspekti i vetëprezantimit të tyre në publikun zviceran dhe i komunikimit të tyre me publikun më të gjerë. Në debatet publike Islami nuk shihet vetëm si një fe që nuk përputhet me kornizën normative-juridike të shoqërisë perëndimore, por për më tepër, si bashkësia fetare më e madhe jo-krishtere në shoqëritë evro-perëndimore, ai perceptohet dhe interpretohet edhe si kërcënim për identitetin fetar-kulturor të Evropës po edhe si rrezik për ruajtjen e kornizës normative-juridike, respektivisht ruajtjen dhe kultivimin e ndarjes së fesë nga shteti, që është fituar me një luftë të mundimshme në të kaluarën. Kjo pamje mbi Islamin që dominon në medie dhe në shumë debate politike, në fakt ka të bëjë vetëm me një pjesë të vogël të muslimanëve. Shumica e muslimanëve ndjehen të detyruar të reagojnë dhe të marrin qëndrim publik ndaj kësaj pamjeje të krijuar për ta si një kolektiv fetar.