Të dashurosh dikë që nuk di të dashurojë
Një ndër temat më të shtjelluara në Kuranin fisnik, pas Njohjes së Zotit pa dyshim është dashuria. Dashuria përballë urretjes e cila prodhon zilinë, smirën, të keqen dhe të gjitha llojet e sherreve dhe telasheve.
Natyra e njeriut është e tillë, në të cilën Zoti Lavdiplotë mbolli instinktin njerëzor, dashurinë. Gjithashtu në zemrat e shpendëve dhe në zemren e çdo kafsheje mbolli këtë instinkt fisnik. Për çudi të madhe, shohim se si ato kafshë e duan jetën dhe dashurojnë të vegjëlit e tyre, aty manifestohet fuqia e Allahut Lavdiplotë. Ata në një farë mënyre kujdesen për natyrën, për bukuritë e saj. Përmes dashurisë afrohen te të dashurit që ua do zemra, shpirti mbushet përplot gëzim dhe entuziazëm, qetësi e stabilitet. Falja dhe toleranca, bashkëpunimi i ndërsjellë krijon tek njeriu ndjenjën e dashurise, e zhvillon atë duke ndier thellësisht në shpirt kënaqësinë e jetës. Njeriu si qenie fisnike kur e do dikë, atij ia dëshiron edhe të mirën. Ia fal gabimet, e ndihmon në çastet të vëshira, lufton për t’ia mbrojtur autoritetin, e mbron në raste kërcënimesh etj.
Dashuria është ndjenjë për të cilën njeriu sakrifikohet. Njeriu përmes dashurisë krijon kushte për jetë më të lumtur duke kultivuar vlerat më të përkryera të etikës dhe moralit. E do buzëqeshjen e sinqertë, fjalën e drejtë, tingujt e bukur, elokuencën e të folurit, ekuilibrin në lëvizje për t’u shkrirë në dritën e ngjyrave.
Kjo zaten ka qenë qëllimi i dërgimit të Librave të Shenjtë për të cilën profetët e Zotit çdo gjë sakrifikuan. Këtë më së miri e vërejmë tek hadithi i Muhamedit (alejhi selam): “E a nuk është feja dashuri?“
Sa fjalë të bukura të Pejgamberit (alejhi selam), i cili pasqyroi Islamin me një fjali të vetme «Islami është dashuri», koncept që sot po na mungon, si prindër, shoqëri, elitë, po madje edhe si njerëz.
Në mungesë të dashurisë, shfaqet urrjetja, zilia, sherri ne zemrat e njerezve. Zemrat bëhen të boshatisura, të dëshpëruara, gjë që vërehen në horizont pesimizmi, anksioziteti madje edhe depresioni. Shumë prej nesh fillojnë të izolohen nga të tjerët, nga vetvetja duke përfunduar jetën edhe në mënyrën më të poshtër – me vetëvrasje, fakt i cili dëshmon se sa i ligësht është njeriu.
Në shumë tekste të Kuranit fisnik flitet për dashurinë, të mirën, për atë se si Allahu Lavdiplotë e do hajrin, të mirën, e do njeriun. Dashuri e cila mbush zemrën e robit me rehati shpirtërore, lumturi dhe gëzim, dritë e udhëzim, dritë e cila drejton njeriun të njohë edhe botën metafizike, kjo është dashuri e zjarrtë hyjnore (el-ishk el-ilahij el mukades).
Këtë më së miri e pasqyron hadithi i Pejgamberit (alejhi selam) në të cilin thuhet: Lidhja më e forte e imanit është të duash për hir të Zotit dhe të urresh për hir të Zotit, të japësh për hir të Zotit dhe të mos japesh për hir të Zotit.“
Të ndjekësh rrugën e Pejgamberit (alejhi selam), do të thotë të ndjekësh të vërtetën, drejtësinë, të mirën dhe mirësinë, gjë që demonston dashurinë ndaj Zotit. Dashuria ndaj Zotit është dashuri ndaj së vërtetës, së mirës dhe së bukurës. S’do mend që bekimi i Zotit do të jetë mbi këtë njeri, vlerat dhe gradat e tij do të rriten duke qenë më afër Zotit, shpirti i tij do të mbushet me kënaqësi, besim e dashuri të zjarrte ndaj Zotit, virtyte që i do i Madhi Allah.
Ai i do njerëzit që pendohen, të cilë e braktisin jetën e shoqëruar me gjynahe, shfrenime e që jetojnë të paudhëzuar, ndërsa dashuria e flaktë ndaj Zotit bëri që këta të udhëzohen, të drejtohen kah çiltërsia, morali dhe e mira, Ai (Allahu) i do këta njerëz, duke e dëshmuar këtë dashuri me fjalët “All-llahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.“(El-bekare, 222).
Allahu i do tipat që pastrohen nga gjynahet dhe ndyrësirat “Ti mos u fal aty kurrë! Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar në respekt ndaj All-llahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit.“(Teube, 108), i do njerëzit që luftojnë për drejtësinë dhe që gjykojnë me drejtësi “Po nëse gjykon mes tyre, gjyko drejtë; All-llahu i do të drejtit.“(El-maide, 42), i do bamirësit, që bëjnë punë të hajrit, i do njerëzit që kanë durim (sabër) të cilët u përballojnë vështirësive të jetes, janë të durueshëm ndaj ofendimeve, përndjekjeve, peripecive për hir të së vërtetës, udhëzimit dhe për të mirën e njerëzve.
Ai i do të devotshmit, të cilët i frikësohen Atij me frikë-respekt, duke iu bindur urdhrave të Tij. Në të njëjtën kohë, Kurani fisnik flet për anën tjetër të medaljes, për gjërat që nuk i pëlqejnë Zotit Lavdiplotë, qofshin të manifestuara me vepra apo fjalë, dukuri të cilat shkatërrojnë jetën e njeriut dhe ulin vlerat e tij.
Ai (Allahu) nuk e do anarkin, nuk i do fesadxhinjtë, nuk i do zullumqarët e as tradhtarët e të pabesët, nuk i do mendjemëdhenjtë e as arrogantët të cilët fascinohen nga malli i tyre, nga pushteti, dituria apo pozita në shoqëri. Allahu nuk i do shpërdoruesit e pasurisë, të cilët shpërdorojnë mallin në haram e amoralitet, në kumar e lojëra të fatit, në ndërkohë që fëmijët e tyre vuajnë për gjërat elementare për jetë normale. Madje, Allahu nuk i do as ata që goja nuk u ndalet së foluri, që lëndojnë të tjerët, që i thumbojnë me fjalë e gjestikulacione, me fjale të tjera, njerëz që flasin pa pikë e presje. Këta njerëz, fatkeqësisht janë të privuar nga dashuria e Zotit, janë të privuar nga të qenët afër Madhërisë së Tij, fakti që kanë shkaktuar hidhërimin e Zotit me veprat e tyre.
Dhe krejt në fund, jo çdo dashuri është edhe pozitive. Duhet të theksoj, një prej dashurive më të rrezikshme është dashuria negative, me fjalë të tjera, dashuria ndaj dynjasë, ndaj pasioneve dhe mallit, dashuri e cila e deh mendjen e njeriut, e uzurpon zemrën e tij, i verbon sytë e tij duke e privuar nga njohja e së vërtetës absolute, duke e larguar nga rruga e hajrit për t’u mbyllur në vetvete, për t’u izoluar nga rrethi, nga feja e xhamia, shkolla e shoqëria. Kjo do ta transformojë njeriun në qenie agresive, armiqësore dhe vetjake, duke menduar vetëm për vetveten.
Islami ndalon të dashurohet personi i cili urren besimin, parimin dhe interesin e umetit, kjo dashuri është e gabuar dhe motivi i kësaj dashurie është interesi i kësaj bote që shpie në rrënimin e besimit dhe interesit të umetit. Me fjalë të tjera, “të dashurosh dikë që nuk di të dashurojë.”
Vallë, kë duhet ta dashurojmë?! Pyetje … që duhet të mendojmë mirë se kujt t’ia falim dashurinë tonë?!
Aarburg, Zvicer 15.11.2012