Miraxhi – ngritja e Muhammedit s.a.v.s. në sferat e larta qiellore
Bashkim Aliu
Rruga e udhëtimit të natës për Muhamedin s.a.v.s. nuk mbaroi në Mesxhidi Aksa, por prej atje vazhdoi në sferat e larta qiellore. Ky udhëtim vertikal në sferat e larta qiellore, është përshkruar në disa hadithe autentike, e që ne nuk kemi për qëllim t’i përmendim të gjitha këtu, por do ta përmendim vetëm një hadith i cili i përmbledh detajet e këtij udhëtimi.
Imam Ahmedi transmenton prej Enes ibn Malikut se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:” M’u dha Buraku, i cili është kafshë e bardhë më e madhe se gomari e më e vogël se mushka. Hapëronte me shpejtësi të shiqimit. Hypa në të, dhe udhëtova derisa arrita në Bejtu-l-Makdis. Me të arritur atje, e lidha kafshën për hallkën për të cilën i lidhin të dërguarit e Allahut. Pastaj hyra në faltore, fala dy rekat namaz, dhe pastaj dola përsëri. Kur dola, më erdhi Xhibrili me një enë me verë dhe një enë me qumsht. Unë e mora qumshtin. Atëherë Xhibrili më tha: E zgjodhe natyrën e pastër (Islamin). Pastaj më ngjitën në qiellin e tokës (më të ulët), dhe Xhibrili kërkoi të hapet. Atë e pyetën: Kush je ti? Ai tha: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Xhibrili tha: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia?[1] Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap dhe aty e takova Ademin[2] i cili më shprehi mirëseardhje dhe u lut për mua që të më jepen të mira. Pastaj na ngjiti në qiellin e dytë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty i takova dy djemt e tezes, Jahjanë dhe Isain, të cilët më shprehën mirëseardhje dhe u lutën për mua që të më jepen të mira. Pastaj na ngjiti në qiellin e tretë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Jusufin, paqa e Allahut qoftë mbi të. Atij i ishte dhënë gjysa e bukurisë. Ai më shprehi mirëseardhje dhe u lut për mua që të më jepen të mira. Pastaj na ngjiti në qiellin e katër, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Idrisin, i cili më shprehi mirëseardhje dhe u lut për mua që të më jepen të mira. Allahu për të ka thënë:<< Ne e ngritëm atë në një vend të lartë (57)>>[3]. Pastaj na ngjiti në qiellin e pesë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Harunin, i cili më shprehi mirëseardhje dhe u lut për mua që të më jepen të mira. Pastaj na ngjiti në qiellin e gjashtë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Musain, paqa e Allahut qoftë mbi të, i cili më shprehi mirëseardhje dhe u lut për mua që të më jepen të mira.Pastaj na ngjiti në qiellin e shtatë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Ibrahimin, paqa e Allahut qoftë mbi të, i cili ishte i mbështetur me shpinë për Bejtu-l-Maëmuri (Qaben e qiellit), në të cilin për çdo ditë hynin nga shtatëdhjetë mijë melek, të cilët më asnjiherë nuk ktheheshin përsëri. Pastaj më dërgoi deri në Sidretu-l-munteha, ecila gjethet i kishte si veshët e elefantit, ndërkaq frutat si shtambë. Por kur e mbuloi ajo që urdhëroi Allahu ta mbuloj, ajo ndryshoi, ashtu që asnjë nga krijesat e Allahut nuk mund ta përshkruaj bukurinë e saj. Allahu më shpalli atë që ma shpalli dhe m’i obligoi pesëdhjet namaze gjatë ditës dhe natës. Unë zbrita derisa arrita te Musai. Kur arrita te ai, më tha: Çka obligoi Allahu për umetin tënd? Unë ia ktheva: Pesëdhjet namaze për çdo ditë dhe natë. Musai[4] më tha: Kthehu te Zoti yt, dhe lute që ta lehtësojë umetit tënd, sepse umeti yt nuk mund ta përballojë këtë obligim, sepse unë këtë e provova dhe e testova te Beni Israilët. Unë u ktheva te Zoti, dhe e luta duke thënë: O Zoti im, lehtësova umetit tim, dhe Ai m’i pakësoi pesë namaze. Pastaj zbrita te Musai, dhe më pyeti: Çka bëre? Unë ia ktheva: Më pakësoi pesë namaze. Ai më tha: Umeti yt nuk mund t’u përballojnë këtyre, për atë, kthehu te Zoti yt dhe lute që t’ia lehtësojë umetit tënd. Unë vazhdova të kthehem mes Zotit tim dhe Musait. Zoti im më pakësonte nga pesë namaze, derisa tha: O Muhamed, ato janë pesë namaze që falen gjatë ditës dhe natës. Çdo namaz shkruhet dhjetë namaze, ashtu që përsëri plotësohen pesëdhjetë namaze. Për atë, kush don ta bëjë një vepër të mire, dhe nuk arrinë ta bëjë atë vepër, atij i shkruhet një vepër e mirë,, e nëse e bën atë vepër, i shkruhen dhjetë vepra të mira. Po kush don ta bëjë një vepër të keqe, dhe nuk e bën atë, nuk i shkruhet atij asgjë, e nëse e bën, i shkruhet vetëm një vepër e keqe. Pastaj, unë zbrita dhe shkova te Musai e i tregova për këtë. Musai më tha: Kthehu te Zoti yt, dhe lute t’ia lehtësojë umetit tënd, se ata nuk do t’ë mund t’u përballojnë këtyre namazeve. Unë i thashë: Jam kthyer te Zoti im shumë herë, sa që tash më turpërohem të kthehem”. Ky është versioni i Muslimit.[5]
Në fakt, kalimi i qiejve nga ana e Muhamedit s.a.v.s. dhe përshëndetja e tij me disa nga pejgamberët e mëparshëm[6], pastaj vazhdimi i i rrugës për në destinacionin e caktuar nga ana e Allahut të Madhërishëm, dëshmon për pozitën e lartë të Muhamedit s.a.v.s. dhe dallimin e tij nga pejgamberët tjerë. Edhe përskaj asaj se ngritja në qiej mbi pejgamberët tjerë ka kuptim hapsinor, në fakt ka edhe kuptim shpirtëror ngase Muhamedi s.a.v.s. i tejkaloi shpirtërisht gjithë pejgamberët tjerë. Kjo vlerë dhe ky liderizëm i Muhamedit s.a.v.s. ndaj pejgamberëve tjerë, u pa edhe me rastin e daljes së tij imam i tyre në Mesxhidi Aksa.[7]
Ngritja e Pejgamberit në sferat e larta qiellore, “tregon madhështinë e besimtarit dhe obligimin për t’u ngritur sipër epsheve të dynjasë, duke u dalluar nga të gjithë njerëzit e tjerë për pozitën e lartë që gëzon, për qëllimin e lartë dhe për ngritjen në shembujt më të lartë e më fisnikë”.[8]
[1] Këtu duhet të përmendim se dijetarët kanë debatuar për atë se kjo pyetje, nga rojtarët e dyerve të qiellit, ashtu siç përmendet tekstualisht në hadith, a thua ka qenë pyetje për vetë pejgamberinë, apo për atë se a i është dhënë leja për të bërë Isra dhe Miraxh në sferat e larta qiellore, e jo se a i është dhënë pejgamberia? Imam Neveviju thekson se interpretimi më i saktë për këtë është se pyetja ka qenë për lejen për të bërë Isra dhe Miraxh, e jo për pejgamberinë dhe shpalljen, ngase kjo gjë nuk ka qenë e panjohur për rojtarin e qiellit (Sahihu Muslim bi sherhi En-Nevevij, vëll.II, f.185).
[2] Ibn Ebi Xhemre ka thënë:”Urtësia e të qenit të Ademit a.s. në qiellin e dunjas-qiellin më të afërt, qëndron në atë se Ademi a.s. është pejgamberi dhe prindi I pare, ai ka qenë bazë, për atë edhe ka qenë I pari, në qiellin e parë. Urtësia e të qenit të Isait a.s. në qiellin e dytë, qëndron në atë se ai ka qenë pejgamberi më I afërt në kohë me Muhamedin s.a.v.s. Pastaj pason Jusufi a.s., ngase umeti I Muhamedit s.a.v.s. do të hyjnë në xhenet në pamjen e tij. Idrisi a.s. ka qëndruar në katin e katërt, ngase Allahu I Madhërishëm ka thënë:<<Ne e kemi ngritur në pozitë të lartë>>, ndërkaq kati I katër nga gjithsej shtatë kate, është mesi. Pastaj pason Haruni a.s., për shkak të afërsisë së tij me vëllaun e vet Musain a.s., ndërkaq Musai a.s. qëndron më lartë prej tij për shkak se foli me Allahun. Ibrahimi a.s. ishte në kain e fundit, ngase ai ka qenë babai I fundit. Pozita e halilit-mikut, dikton që të jetë pozita më e lartë, ndërkaq pozita e habibit-të dashurit, është edhe më e lartë se e halilit”.(Cituar sipas: Ibn Haxher El-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll.VII, f.251).
Ibn El-Muniri ka përmendur se ka një lidhje interesante në mes të takimit të Ibrahimit a.s. në qiellin e shtatë dhe disa ndodhive në jetën e Muhamedit s.a.v.s. Kështu, takimi me Ibrahimin në qiellin e shtatë, përputhet me hyrjen e Muhamedit s.a.v.s. në Meke në vitin e shtatë të hixhretit dhe bërjen e Umres, pasi që një vit më parë u kthye pa arritur të hyjë në Meke. ( Shih: Ibn Haxher El-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll.VII, f.251).
[3] Merjem, 57.
[4] Kurtubiju ka thënë:”Urtësia e veçimit të Musait a.s. për konsultimin e tij me Muhamedin s.a.v.s. për çështjen e namazeve, ndoshta qëndron në atë se populli i Musait a.s. u ngarkua me namaze më tepër se popujt tjerë, dhe kjo u erdhi rëndë atyre. Për këtë, Musai a.s. e mëshiroi umetin e Muhamedit s.a.v.s. që mos randohet si populli i tij”. Disa dijetarët tjerë kanë thënë se ndoshta urtësia e kësaj qëndron në atë se nuk ka ndër pejgamberët dikush që ka ithtarë më tepër se Musai a.s., dhe nuk ka pejgamber që ka libër më të madh dhe më gjithpërfshirës të dispozitave në këtë drejtim…(Shih:Ibn Haxher el-Askalani, Fet’hu-l-Bari, vëll.VII, f.252).
[5] Sahihu Muslim bi sherhi en-Nevevij, vëll.II, f.182.
[6] Nga rrëfimi i takimit të Muhamedit s.a.v.s. me pejgamberë të mëparshëm në sferat e larta qiellore, shihet se ai ai nuk është takuar me të gjithë pejgamberët, por vetëm me disa prej tyre. Për këtë, dijetarët kanë përmendur disa arsyetime. Sa për kuriozitet do t’i përmendim si vijon:”Profetët me të cilët u takua Muhamedi s.a.v.s. ishin profetë të cilët ishin marrë me ndërtimin e shoqërisë-gjë të cilët do ta bënte dhe vetë profeti Muhamed s.a.v.s- ose profetë të cilët ishin detyruar të shpërnguleshin nga vendi i tyre dhe të emigronin, si Jusufi dhe Musai- gjë të cilën do e bënte dhe vetë profeti Muhamed s.a.v.s. më vonë- dhe ose profetë që janë keqtrajtuar nga populli i tyre dhe kanë duruar” (Shih:Amër Halid, Gjurmëve të të Dashurit tonë,f.168). Ibn Haxheri për këtë çështje ka shënuar si vijon:” Takimi vetëm me këta pejgamberë, ka qenë një paralajmërim se edhe Muhamedit s.a.v.s. do t’i ndodhin ato gjëra të cilat u ndodhën këtyre pejgamberëve me popujt e tyre. Takimi me Ademin a.s. ka qenë një paralajmërim se edhe Muhamedi s.a.v.s. do të shpërngulet në Medine, ashtu siç doli edhe Ademi a.s. prej Xheneti në tokë. Emërues i përbashkët i tyre është vështirësia dhe jodisponimi për ndarjen nga vendi në të cilin ishin mësuar. Pastaj, të dy u kthen në vendet prej ku u larguan. Takimi me Jahjanë dhe Isain ka qenë paralajmërim për armiqësinë që e treguan hebrejtë kundër Muhamedit s.a.v.s. në fillim të vendosjes së tij në Medine, si dhe tentimi i tyre për ta dëmtuar. Takimi me Jusufin e paralajmëronte për armiqësinë që do ta tregojnë kundër tij vëllezërit e tij të gjakut kurejshit, si dhe dëshirën e tyre që ai të shkatërrohet, por përfundimi do të jetë në favor të Muhamedit s.a.v.s. Këtë ai e shprehi me rastin e çlirimit të Mekes kur kurejshitëve u tha:”Ju them sikur ka thënë edhe Jusufi:Nuk ka sot qortim për ju”. Takimi me Idrisin a.s. ishte dëshmi për pozitën e tij të lartë te Allahu. Takimi me Harunin e paralajmëronte se populli i tij do të kthehen përsëri ta duan pasi e ofenduan. Takimi me Musain a.s. e paralajmëronte Muhamedin a.s. për mënyrën si ta trajtojë popullin e vet, njejtë siç veproi edhe Musai a.s. më parë. Në këtë tregoi Muhamedi s.a.v.s. duke thënë:”Musai a.s. u ofendua edhe më tepër se kaq, por duroi”. Takimi me Ibrahimin a.s. i mbështetur në Bejtu-l-maëmur, ishte paralajmërim për Muhamedin s.a.v.s. se në fund të jetës së tij do ta bëjë haxhin dhe do ta madhërojë Qaben” (Fet’hu-l-Bari, vëll.VII, f.251).
[7] Shih: Dr.Abdu-l-Halim Mahmud, El-Israu ve-l-mi’raxh,f.70-71.
[8] Dr.Mustafa Sibai, Profeti Muhamed, vlera dhe urtësi, f.67.