Dita e Ashurasë dhe Shqiptarët
Publikuar me: 23 Tetor, 2015
Ashura, pos që është ditë agjërimi vullnetar dhe ibadeti aq më tepër duhet të jetë refleksion dhe meditim i cili duhet të shtrihet përtej kohës dhe hapësirës.
Ashura është shkëndijë e shpresësës dhe bindjes së madhe në drejtësinë absolutë të madhit Allah, i cili nuk lë në harresë robërit e Tij. Në momentet më kritike të mbijetimit të një populli, kur edhe toka bëhet e ngushtë për ta, Lartëmadhëria e Tij i hap portat e qiellit, për ti dalë në ndihmë popujve të shtypur edhe atë me gjëra të paimagjinueshme për logjikën e njeriut.
Një sundimtar tiran, një perandori famëkeqe e cila shekujt të tërë ushtronte zullum ndaj Beni Israilëve ( bijve të Jakubit alejhi selam) do të rrënohet, shembet dhe agjësohet njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut por jo edhe nga kujtesa e njerëzimit.
Kërkesa e cila ishte drejtuar Faraonit nga Musa, alejhi selam, ishte që Beni Israilët (hebrenjët) të lëviznin lirëshëm nëpër tokën e Egjyptit, (krahas faktit që i kishte poshtëruar duke vrarë fëmijët meshkujt, duke keqpërdorur seksualisht femrat e tyre, shtypje etj ) por që me krekosje dhe arrogancë e kishte rrefuzuar ky tiran famëkeq. Një e drejtë elementare e garantuar në ligjet e Zotit dhe planin e tij hyjnor, që në fjalorin e sotshëm don të thotë, kufizimi i lëvizjes së lirë brenda një shteti apo edhe shteteve tjera.
E tërë kjo padrejtësi me një meditim të thellë të ngjarjeve dhe situatave politike të lëvizjes së popujve kundër padrejtësive konstatojmë që mbijetesa e njerëzve nga shtypja e tiranit dhe përmbysjet e tiranëve, eliminimi i tyre nga skena politike vjen në mënyrën më të paimagjinueshme, siç ndodhi me shkatrrimin e perandorisë më të keqe në sipërfaqen e dheut, perandorinë e Faraonit, edhe atë përmes një shkopi në të cilin mbështetej dhe shërbehej për ti ruajtur bagëtitë.
Atë shkop të gjithë e posedonin, dhe mund ta gjeje në çdo cep, fushë apo mal, ai ishte thjesht një shkop. Musa, alejhi selam, as që e kishte imagjinuar që shkopi i tij do ti jap fund sundimit të një tirani që kishte mbushur botën me zullum.
Mësimi më i madh që nxjerrim nga kjo ndodhi është fakti që duhet të kuptojmë që zgjidhja duhet të buroj nga forcat e brendshme progresive të shtypura e assesi nga jashtë, sepse çdo zgjidhje nga jashtë është gjysmake dhe e pamjfatueshme siç i varrim shpresat në ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Me vetëbesim, sinqeritet, planifikim dhe me mjetet tua do të jetë shpëtimi yt nga sundimi i tiranit e jo të menduarit vetëm me logjikën e kutisë së votimit një herë mbrenda katër viteve.