Mehas Alija
Falënderimi i takon Zotit të gjithë botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit
“Besimtarë të vërtetë janë ata që besojnë fuqishëm në Allahun xh.sh. dhe në Pejgamberin e tij, dhe pastaj nuk dyshojnë, si dhe me pasurinë dhe jetën e tyre luftojnë në rrugën e Allahut xh.sh. Këta janë besimtarë të sinqertë.” (Huxhurat, 15).
Të dashur vëllezër, të nderuara motra, sot është e xhuma dhe ditë e madhe për muslimanët. E xhumaja është dita festive e javës, por kjo festë nuk është festë që të deh, që të përgjum, që të largon nga përgjegjësia. Xhumaja është festa e vetëdijesimit tonë, është festa e afrimit me Allahun dhe kënaqjen me Të. Në ditën e xhuma muslimanët marrin energjinë e javës dhe në këtë ditë, muslimanët e ripërtërinë besën dhënë Allahut xh.sh. dhe shoqërisë.
Të dashur xhemat, me pak rreshta dua të përcjell një mesazh në lidhje me kuptimin bashkëkohorë të Hixhretit. Në fakt, siç potencova më herët, Hixhret i thonë vitit kalenderik islamik, që në këtë të shtunë, me 01 tetor, me hyrjen e akshamit, shënojmë vitin e ri 1438 H. Por, nesër do të kemi edhe një ditë tjetër të veçantë, e ajo është dita ndërkombëtare e të moshuarve. Me këtë rast, dua të bëjë një lidhje midis Hixhretit dhe detyrave tona ndaj kësaj kategorie shoqërore.
Vëllezër dhe motra, I Dashuri ynë, Muhammedi a.s., diti t’i vlerësojë dhe t’i çmojë shumë lartë gjyshet dhe gjyshërit, nënat dhe baballarët, duke u dhënë të drejtën e respektit dhe nderimit. Ai shumë shpesh thoshte: “Nuk është prej nesh ai i cili nuk i respekton pleqtë.” Një ditë, teksa përgatiteshin muslimanët të bënin hixhret, i erdhi një djalë i ri Pejgamberit a.s., dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, dua të bëjë edhe unë hixhret, ndonëse prindërit i kam lënë duke qarë për mua. Në çka Muhammedi a.s. ia ktheu: “Kthehu tek prindërit e tu dhe qeshu atyre, ashtu siç i bëre të qajnë”.
Këto fjalë të Pejgamberit a.s. më duket sikur sot janë thënë, e ndjejë gjallërinë e tyre. Sikur sot njerëzit t’i kuptonin drejtë këto fjalë, vallë, sa prindërve të moshuar do t’u thahej loti, e do t’u kthehej buzëqeshja. Sa të moshuarve sot u mohohet e drejta e banimit me fëmijët e tyre? Sa të lënduar janë sot ata nga sjelljet e pahijshme të të rinjve? Sa të moshuar sot vdesin rrugëve, në kërkim të fatit më të mirë për jetesë, edhe pse në moshë të shtyer?! Sa të moshuar sot vdesin në rrënojat e shtëpive të bombarduara nga njerëz të djallëzuar? A nuk është koha që sot të bëjmë një hixhret, një lëvizje drejt përmirësimit tonë të raporteve midis njëri-tjetrit. Një hixhret që na bënë më shumë respektues ndaj pleqve, ndaj nënave dhe baballarëve, etj.
Kurse hixhreti i pleqve, për veten e tyre, do të ishte që të afrohen me tepër me Allahun, mbase edhe vitet i kanë afruar më shumë me takimin me Të, andaj, hixhreti i tyre është ta mbajnë, sa më shumë që është e mundur, rrugën e xhamisë dhe të njëjtën t’ua mësojnë edhe nipërve dhe mbesave të tyre.
Nëse e shikojmë periudhën e para hixhretit të Muhammedit a.s. dhe pas, do të shohim se ka, në masë të madhe, dallime në prioritetet e Islamit. Me pak fjalë mund të thuhet se Islami në Meke ishte më tepër teorik, besimor, kurse në Medine, kemi Islamin praktik, atë të dimensionit tokësor, të sistemuar me rregulla dhe ligje.
Vetë fakti që Muhammedi a.s. vendosi që të jetojë deri në fund të jetës në Medine, dëshmon për ne faktin, mendoj unë, se, nëse ne dëshirojmë të shpëtojmë, duhet të jetojmë me Islamin praktik, atë të Medines. Pa një Islam, që i ngjan atij medinas, e kemi shumë të vështirë t’i shkojmë pas ajetit kuranor i zbritur në Meke, por në etapën medinase:
“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë time dhe zgjodha për ju Islamin fe.” (El-Maide, 3).
Sot hixhreti ka po këtë kuptim: Ta jetojmë Islamin plotësisht, ose atë që pejgamberi i Zotit, Ibrahimi a.s. tha: “Unë jam muhaxhir drejt Zotit tim”. (Ankebut, 26).
(30.09.2016, hutbeja e xhumasë, Xhamia El-Hidaje në St. Gallen, Zvicër)