Në pasditen e së dielës, 20.11.2016, në lokalet e xhamisë në Regensdorf (Zvicër) u mbajt takimi i radhës i imamëve dhe xhamive pranë Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër(UISHZ). Në këtë takim ishin të ftuar edhe personalitete të tjera, midis të cilëve ishte përfaqësuesi për diasporë nga Bashkësia Islame e Kosovës, Ekrem ef. Simnica, drejtori i drejtorisë së diasporës pranë Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Dr. Selver Xhemaili, përfaqësues të medias, si dhe ndërmarrës dhe afaristë të ndryshim.
Në këtë mbledhje, përveç disa vendimeve që u morën, u raportua edhe për aksionin që zhvilloi UISHZ me rastin e mbledhjes së ndihmave për Shkupin, respektivisht për Hasanbegun dhe fshatrat përreth tij. Të gjitha xhamive dhe donatorëve privatë të cilët kishin marrë pjesë me donacionet e tyre, iu nda edhe nga një mirënjohje. Siç e potencoi kryetari i UISHZ-së, Nehat ef. Ismaili, këtë aksion e kanë mbështetur 27 xhami dhe 10 donatorë privatë.
Çështja tjetër e këtij takimi ka të bëjë edhe me paraqitjen e një Deklaratë, e përgatitur në dy gjuhë, shqip dhe gjermanisht, përmes së cilës hidhen poshtë të gjitha akuzat që kohëve të fundit janë plasuar nëpër disa medie të vendit, ku akuzohen xhami dhe imamëlerë të Unionit, gjoja, për lidhje me organizata radikale dhe ekstremiste të ndihmuara dhe të mbështetura financiarisht nga shtetet arabe. Deklarata në gjuhën shqipe u lexua nga vetë kryetari i Unionit, Nehat ef. Ismaili, kurse Deklaratën në gjuhën gjermane e lexoi imami nga Kreuzlingeni, Rejhan ef. Neziri. Vlen të theksohet se në këtë takim morën pjesë edhe dy mediume reprezentative në Zvicër, gazeta zvicerane NZZ (Neu Zürcher Zeitung) dhe portali shqiptar Albinfo.ch.
Ky takim ishte i veçantë dhe pati një tjetër rëndësi të madhe, për faktin se në këtë mbledhje u shtrua për miratim Rregulloja e punës së imamëve në Zvicër. Ky dokument, i përgatitur nga një komison i përbërë prej disa imamëve dhe kryetarëve të xhamive, u vlerësua lartë nga pjesa dërrmuese e të pranishmeve, sidomos nga vetë kryetarët e xhamive, ku dhe në fund, mori besimin e duhur që kjo rregullore të kalojë si një dokument i rëndësishëm në pjesën e rregulloreve të xhamive, e që rregullon shumë bukur çështjen e pranimit, detyrave, përgjegjësive, angazhimin dhe kodeksin e imamit të punësuar në Zvicër.
Si pikë e fundit e rendit të ditës ishte edhe transformimi i UISH-zë, nga një Union i imamëve në një union më gjithëpërfshirës, organizatë apo Bashkësi islame. Emri dhe të gjitha konturat e tjera të formësimit të ri, do të mbeten që të caktohen në një të ardhme të afërme, pasi, tani më, ky vendim mori bekimin absolut të të pranishmëve. Po në këtë takim u formua edhe komisioni prej nëntë anëtarësh, i përbërë sërish nga imamlerë dhe anëtarë këshillash të xhamive, me ç’rast komisioni ka për detyrë të përgatisë dhe t’i bëj rrugë platformës së re të organizatës që do të paraqitet nga transformimi i UISHZ-së.
Në fund të këtij takimi, nikoqirët nga xhamia e xhematit bujarë të Regensdorfit shtruan edhe një darkë për të gjithë mysfirët dhe pjesëmarrësit e asaj dite.