I dashur dhe shumë i respektuar Imam, Mr. Feim Dragusha,
Të nderuara autoritete të Kantonit St. Gallen,
Të nderuar përfaqësues të konfesioneve të ndryshme fetare,
Të nderuar përfaqësues të Zyrës së Integrimit,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Fillimisht kërkoj ndjesë që fjalimin tim më duhet ta mbajë në gjuhën shqipe. Kjo për shkak se shumica e të pranishmëve e kanë gjuhë të nënës e po ashtu për shkak se unë akoma nuk mund të flas rrjedhshëm gjermanisht.
Megjithatë, ju para vetes keni dy alternativa. Përgjatë fjalimit tim ju mund t’i qaseni kopjes suaj të përkthyer me shkrim, kurse në fund të fjalimit unë gjithashtu do të prezantojë një përmbledhje në gjuhën gjermane.
Shpresoj në mirëkuptimin tuaj.
Në emër të Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotë
وَقُلِ اعْمَلُوا فَسَيَرَى اللَّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُ وَالْمُؤْمِنُونَ ۖ وَسَتُرَدُّونَ إِلَىٰ عَالِمِ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ (105(
Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” (Teube, 105)
Të nderuar të pranishëm, vëllezër dhe motra
Jemi mbledhur sonte për një takim pak me ndryshe se herëve tjera. Para vetes në këtë eveniment kemi dy publikime, autor i së cilave është vet imami dhe aktivisti i ‘Verein Paradies Moschee’, në St. Gallen, Mag. Feim Dragusha
Libri i parë mbanë titullin Raport Vjetor, Korrik 2012 – Korrik 2013, Xhamia e Xhenetit ‘Paradies Moschee’ St. Gallen nga Imam Mr. Feim Dragusha. 71 faqe. Paradies Moschee, Paradies Strasse 2/ CH – 9000 St. Gallen, publikuar me 2013.
Të flasësh për këtë raport është një nder dhe privilegj i veçantë. Përgjatë këtij punimi autori ka përmendur ngjarjet më të rëndësishme si dhe aktivitetet e zhvilluara në këtë qendër kulturore ndërmjet viteve 2012 dhe 2013. Ky punim karakterizohet me mënyrën e klasifikimit dhe rrjedhës së ngjarjeve, e cila nga këndvështrimi im mund të ndahet në tri kategori kryesore:
E para: sfidat, vështirësitë dhe çështjet teknike të ndërtimit të ‘Paradies Moschee’
E dyta: aktivitetet edukative, kulturore dhe shpirtërore brenda këtij instituti, si dhe
E treta: fondet, donacionet dhe çështjet tjera financiare si dhe transparenca e raportimit vjetor që është karakteristikë e veçantë që e dallon këtë qendër kulturore.
Me duhet të potencoj se, sigurisht për shkak të ndikimit nga vendi dhe ambienti ku jeton, autori përgjatë punimit ka ndjekur një stil për lakmi të përshkrimit të ngjarjeve respektivisht radhitjes së tyre në raport. Kështu në fillim, autori njofton lexuesit me një historik të shkurtër të islamit në Zvicër, ku në mes tjerash potencon se islami në këtë vend modern të Evropës daton qysh herët. Autori vë në fokus kryesisht komunitetin shqiptar musliman për të cilët ai ndihet më shumë përgjegjës, komunitet ky i cili migroi nga ish-Jugosllavia për në Zvicër qysh në fillim të viteve të 60.
Meqë situata politike në Ballkanin e asaj kohe sa vinte e keqësohej, pas viteve të 80-ta e veçanërisht përgjatë të 90-ve shumica e emigrantëve ballkanas u detyruan të sjellin me vete familjet e tyre në Zvicër, ashtu që t’i shmangën çdo rreziku për jetë. Pasi që numri i emigrantëve ishte rritur konsiderueshëm, krahas nevojës së integrimit, përshtatjes dhe aftësimit gjuhësor, u shfaq edhe nevoja për rituale fetare dhe jetë shpirtërore. Kështu në vitin 1992 lindi ideja e parë për themelimin e një xhamie të përbashkët në mes të komunitetit boshnjak dhe atij shqiptar. Duke pasur në konsideratë se gjuha ishte një barrierë mjaft e madhe, sidomos për gjeneratat e reja të cilat nuk kuptonin gjuhën boshnjake, komuniteti shqiptar pa të udhës të bëjë një qendër të veten të cilën e morën me qira dhe e administruan nga 1992 deri me 2002.
Në vitin 2002 administrata përgjegjëse tashmë kuptoi se objekti me qira nuk po akomodonte sa duhet komunitetin, meqë shpenzimet ishin shumë të mëdha, andaj edhe lindi nevoja që objekti të blihet, si rrjedhojë për herë të parë në St. Gallen u themelua Xhamia e parë Shqiptare e njohur si ‘El-Hidaje’ ku shërbyen imamë të dalluar si nga Kosova, Maqedonia, po ashtu edhe nga trevat tjera shqiptare. Ndërmjet viteve 2009 dhe 2012 edhe imami Dragusha pati fatin t’i shërbej komunitetit shqiptar në atë tempull fetar.
Duke iu referuar artikullit të Lea Müller ‘Moscheen auf Vormarsch’ autori potencon se numri i muslimanëve në Kantonin e St. Gallen arrin në 8154, përfshirë këtu 121 nacionalitete të ndryshme, shifër kjo që përbën 11% të banorëve të këtij Kantoni. Edhe pse St Gallen sot numëron shtatë xhami apo qendra kulturore, përfshirë këtu dy boshnjake, dy turke, një shqiptare dhe një arabe, megjithatë, këtij kantoni i mungonte diçka që do të quhej ‘Verein Paradies Moschee’, pra Institucion me karakter ndërkombëtar.
Se këndejmi, duke parë këtë llojllojshmëri të madhe nacionalitetesh muslimane dhe nevojën e madhe të këtij komuniteti musliman për një objekt ku do të mund të ligjërohej në gjuhën e vendit dhe gjuhë tjera ndërkombëtare, autori mori vizionin dhe guximin që të themeloj ‘Verein Paradies Moschee’. Qëllimi natyrisht ishte dhe mbetet i lartë ‘të rris vetëdijen e muslimanëve, të kontribuoj në ruajtjen e identitetit të tyre si dhe të edukojë muslimanët mbi baza të shëndosha të islamit, larg nga çdo fanatizëm apo ekstremizëm. Nga emri kuptohet se kjo qendër ka synime të larta, pra Xhenetin, edhe pse emërtimi, në fakt, del të jetë një koincidencë e bukur pasi që kjo qendër mori emrin në bazë të rrugës ‘Paradies’, rrugë kjo e cila barte këtë emër shumë kohë para se të ekzistonte xhamia.
Autori pohon se ai dhe komuniteti, të cilit ai i shërben, është shumë i interesuar të ndërtojë ura komunikimi dhe jo mure të trasha. Mu për këtë ai mobilizoi të gjitha forcat në dispozicion që të vë kontakte e të bashkëpunoj me Korin Diplomatik të gjeografisë shqiptare, Bashkësitë Islame të vendlindjes, OJQ-të e ndryshme në Zvicër që synojnë forcimin dhe avancimin e çështjes shqiptare, në veçanti shkollat shqipe në mërgatë, klubet sportive si dhe Kishat vendore dhe autoritetet tjera përkatëse në Kantonin e St. Gallen.
Andaj, sa i përket sfidave dhe vështirësive të themelimit respektivisht ndërtimit të kësaj qendre, autori vë në spikamë se ‘Verein Paradies Moschee’ ka kaluar nëpër tri faza të rëndësishme.
E para; Faltorja e Improvizuar.
Kjo sipas autorit ishte koha më e shtrenjtë dhe më e shenjtë gjatë Ramazanit të vitit 2012 ku një pjesë përcjellëse e Objektit, u shndërrua në xhami. Pra një hapësirë banimi e thjeshtë vetëm prej 80m2 u adoptua në atë mënyrë sa që dhomat e banimit u improvizuan për të luajtur rolin e një tempulli të dijes dhe adhurimit. Kjo është periudha e tregtisë me Zotin, siç e quan autori, duke bërë me dije se të interesuarit edhe pse jo aq të qëndrueshëm financiarisht dhe mjaft të paorganizuar, megjithatë, ishin aq të vullnetshëm dhe entuziast sa që nuk kishin të ndalur. Ndaj edhe suksesi i tyre nuk mungoi.
Gjëja më mbresëlënëse gjatë kësaj periudhe janë fëmijët, Anjesa dhe Nehat Berisha, të cilët edhe pse akoma pa i mbushur mirë nëntë vjet, aq me seriozitet i ishin rrekur punës së xhamisë sa që kishin filluar të mbledhin fonde për ‘Verein Paradies Moschee’. Kështu nga familjarët, fqinjët dhe dashamirët e tyre, ata qysh në këtë moshë kishin arritur të grumbullojnë nga 72Chf secili, shumë të cilën e dorëzuan me një motiv shumë të lartë në xhami dhe ngritën motivin vendimtar të kontribuuesve të atëhershëm.
Faza e dytë; Xhamia në KEGELBAHN (Vendi i Birilave)
Duke parë se numri i të interesuarve rritej dita ditës, kryesia e qendrës filloi të mendoj se si do të mund të akomodojnë komunitetin në këto rrethana të reja. Me që qiraxhiu i Kegelbahn kishte kontratë për një periudhë së paku një vit e gjysmë të gjatë, këtu lindën dy problematika. E para mungesa e hapësirës për numrin e madh të të interesuarve për ‘Verein Paradies Moschee’ dhe e dyta zhurma dhe pengesat që bënin pjesëmarrësit në Kegelbahn gjatë lojës, dëfrimit dhe pijeve alkoolike që konsumonin. Me një vizion tejet largpamës z. Dragusha së bashku me bashkëpunëtorët iu rreken seriozisht çështjes se futjes se Kegelbahn nën administrimin e ‘Paradies Moschee’. Kështu atyre fillimisht iu deshtë të mbledhin një fond prej 27,500 Chf për inventarin e restorantit, ku më të paguar këtë inventar, qiraxhiu u pajtua të largohet.
Me këtë gjest human ‘Verein Paradies Moschee’ arriti tu ofroj zgjidhje dy problematikave sociale, të akomodojë besimtarët pjesëmarrës në ‘Verein Paradies Moschee’ por njëherazi të akomodoj edhe fqinjët përreth, të cilët janë shumë mirënjohës, pasi që me vendosjen e komunitetin shqiptar musliman, këtij vendbanimi iu kthye edhe njëherë qetësia dhe respekti fqinjësor, pasi që mungoi për kohë të gjatë si rezultat i lojërave, britmave dhe shqetësimeve që përjetonin banorët fqinjë nga lojtarët e Kegelbahnit, të cilët më shumë ishin nën ndikimin e alkoolit sesa pa të.
Faza e tretë; përshtatja e tërë objektit në Xhami dhe sjellja e saj në gjendjen aktuale.
Duket se sot kjo qendër tashmë i plotëson të gjitha kushtet e akomodimit për pjesëmarrësit, por deri këtu sigurisht se nuk erdhi pa mund dhe sakrificë. Karakteristika kryesore e kësaj periudhe është se i tërë renovimi, rregullimi dhe zbukurimi i xhamisë, deri në këtë gjendje, është bërë me vet-kontribut nga pjesëmarrësit dhe xhemati i kësaj xhamie. Secili në bazë të profesionit të tij, dikush merrej me tavanin, dikush me rrymën, dikush me zyrat e dikush me banjat e kështu me radhë. Autori secilin kontribuues e ka listuar me emër dhe mbiemër në raport, në pjesën që flet rreth punimeve në xhami. Unë do të dëshiroja t’i falënderoj të gjithë duke e çmuar lartë punën dhe kontributin e tyre, pa dashur të ndalem me emër për secilin veç e veç.
Pas ndërtimit të Xhamisë dhe përgatitjes së saj, z. Dragusha iu përkushtua aktivitetit edukativ, kulturor dhe shpirtëror. Kjo përbën kategorinë e dytë të aktiviteteve. Me lejoni të theksoj se, pa asnjë mëdyshje, këto aktivitete janë gjërat më të rëndësishme që një njeri aktivist mund t’i kryej.
Në këtë aspekt mund të them lirisht se në Raportin Korrik 2012 – Korrik 2013 vetëm një pjesë e vogël i është kushtuar aktiviteteve kulturore dhe edukative, pasi që një pjesë bukur të mirë të librit e zënë aktivitetet fizike të ndërtimit dhe përgatitjes se xhamisë. Kurse Vjetari i Xhamisë 2013-2014 pothuajse i tërë është aktivitete të ndryshme edukative rreth të cilave do të flasim më vonë .
Së këndejmi, në lidhje me aktivitetet kulturore dhe edukative nga Raporti vjetor 1, 2012-2013, mund të veçojmë se pas përgatitjes së kësaj qendre kulturore z. Dragusha u angazhua me pritjen e mysafirëve nga e tërë Zvicra, Evropa perëndimore, shtetet e origjinës dhe gjetiu. Njerëz nga vende të ndryshme erdhën për t’i uruar inaugurimin e kësaj qendre. Mysafirët ishin ndër më të ndryshëm duke mos përjashtuar përfaqësuesit e Bashkësisë Islame nga Kosova por as Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Naim Malaj, i cili prezantoi në aktivitete të ndryshme të këtij objekti.
‘Verein Paradies Moschee’ e vizituan edhe pjesëtarë të feve tjera prezentë në St. Gallen përfshirë edhe priftërinj të komunitetit shqiptar në këtë Kanton. Gjatë periudhës sa po meremetohej xhamia, z. Dragusha nuk kurseu as vizitat dhe pjesëmarrjet e tija në vende të ndryshme të botës. Më rëndësi të veçantë ishte pjesëmarrja e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Tolerancës dhe Pajtimit, në qytetin e Pejës në Kosovë, e cila kishte karakter ndërkombëtar dhe ishte organizuar në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. Përveç vendeve të origjinës z. Dragusha gjeti kohë të vizitonte edhe vendet fqinje në Evropë por edhe pjesë tjera të botës. Me theks të veçantë do të nënvizoja vizitat e tij në Sulltanatin e Omanit dhe në rajonin e Azisë Juglindore, Brunei, Singapor, Malajzi e vende tjera të rajonit ku autori kishte ndjekur studimet e para.
Në këto vende z. Dragusha përveç karakterit fetar me vete barte edhe mision diplomatik pasi që pothuajse çdo kund fliste për nevojën e përkrahjes së pavarësisë së Kosovës nga ajo pjesë e botës, por edhe për Zvicrën si një shtet i moderuar demokratik ku muslimanët gëzojnë të drejta të garantuara me ligj nganjëherë edhe më mirë dhe më sigurt sesa në vendet e tyre të origjinës. Në Oman sa për ilustrim z. Dragusha nuk la pa përmendur modelin e respektimit të të drejtave të njeriut në Zvicër, duke bërë me dije se këtu njerëzit trajtohen mbi bazë të statusit njeri, e jo mbi pikëpamje të përkatësisë fetare apo vendit të origjinës, duke ftuar kështu autoritet e atjeshme që të vizitojnë Zvicrën dhe të njihen për së afërmi më pakicat muslimane, jetën dhe të drejtat e tyre në këtë shtet.
Gjatë periudhës që po flasim, imam Dragusha ishte i angazhuar edhe me seminare dhe aktivitete të ndryshme pranë Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, ku luante një rol kyç. Ai për më tepër gjeti kohë edhe për intervista të ndryshme ndaj gazetave lokale por edhe televizioneve duke potencuar gjendjen e imamëve në Zvicër si dhe paragjykimet e shumta që po ndodhin ndaj komunitetit musliman pasi që disa nga mediat me ose pa qëllim po ndërlidhin raste të ndryshme të dhunës nga anekënd bota me komunitetin musliman në vend. Pra duke i ‘vendosur të gjithë në një thes’ pavarësisht se ata nuk kanë asgjë të përbashkët në mes vete.
Kështu ‘Neue Moschee in der Kegelbahn’ dhe ‘Ein Anti-Islam Film für Diskussionen’ janë vetëm disa nga titujt e gazetave të përditshme në St. Gallen ku z. Dragusha ofroi pikëpamjet e tij mbi çështjet që janë me interes të përbashkët për të gjithë.
Sa i përket aktiviteteve shpirtërore imam Feimi gjente kohë të angazhohej edhe me organizimin e haxhit dhe umrës si për vete po ashtu edhe për xhematin e interesuar. Ai edhe në vendet e shenjat shfrytëzoi rastin të promovojë punën dhe aktivitetet e ‘Verein Pardies Moschee’. Përveç kësaj ai iu përkushtua edhe nxënësve dhe të rinjve të cilët mësonin gjëra të rëndësishme mbi jetën dhe fenë, duke iu shmangur kështu çdo keqkuptimi.
Me që jemi tek aktivitetet, mendoj se do të ishte e udhës të fokusohemi tek libri i dytë pasi që, në fakt, ky vjetar është pothuajse i tëri aktivitete.
Libri i dytë titullohet VJETAR I XHAMISË ‘XHENETI’ ST. GALLEN-ZVICËR (Jahresbericht des Vereins Paradies Moschee) KORRIK 2013 – DHJETOR 2014, nga Mr. Sci. Feim DRAGUSHA. 168 faqe. Paradies Moschee, Paradies Strasse 2/ CH – 9000 St. Gallen, publikuar me 2016.
Në këtë punim autori fillimisht shpjegon motivin se çfarë e shtyri të shkruaj këtë vjetar dhe të përmbledh aktivitetet edhe për gjysmën e dytë të 2013 dhe tërë aktivitetin e vitit 2014. Motivi kryesor që shtyri autorin t’i përvishet kësaj pune të lodhshme ishte mbajtja e evidencës dhe dokumentimi i ngjarjeve, pasi që çdo gjë që nuk dokumentohet mund të harrohet shpejt dhe t’i humb vlera. Kështu ai sjelli edhe njëherë në kujtesë kontributin e jashtëzakonshëm material që dhanë xhamitë shqiptare të diasporës, në veçanti ato të Zvicrës, gjatë periudhës së paraluftës dhe veçanërisht gjatë luftës në Kosovë. Por për shkak se ky kontribut prej qindra mijëra eurosh nuk ishte dokumentuar me shkrim, për pasojë shohim sot se ky kontribut pothuajse është harruar dhe as në media e as gjetiu nuk përmendet një kontribut i këtillë i mërgimtarëve.
Një gjë tjetër që e kishte motivuar autorin, ishte edhe pretendimi i tij, kur erdhi në Zvicër, se në perëndim çdo gjë duhet të jetë e dokumentuar. Kështu kur ai filloi të shkruaj për xhaminë e parë të themeluar në Zvicër, u befasua kur pa se secili imam dhe xhemat garonte ta vendoste xhaminë e vet si të parën, pasi që nuk kishte asnjëfarë dokumenti se cila, në të vërtetë, ishte themeluar e para.
Edhe pse autori nuk është i njohur për ndonjë shkollim në administrim apo menaxhim, megjithatë, ai ka bërë një përvojë të shkëlqyer pune me njerëz e xhemat. Kështu nga përvoja e tij administrative dhe menaxhuese me xhematë, qysh në fillim të këtij punimi ndanë kategoritë e njerëzve sipas veprimeve të tyre.
Prijësit apo Liderët – janë ata që gjithmonë kanë ide kreative dhe mundohen për të mirën e xhamisë dhe komunitetit. Nuk lodhën asnjëherë dhe janë të gatshëm t’i shtyjnë proceset përpara.
Ndjekësit apo Pasuesit – janë ata që ndoshta vet nuk kanë ide por më të dëgjuar për ndonjë ide të mirë menjëherë rreshtohen prapa liderit dhe mundohen të bëjnë çmos për të realizuar idetë dhe qëllimet.
Shqetësuesit apo Telashe-bërësit – janë ata që nuk kanë as ide e as vullnet për të bërë mirë. Ata gjithmonë vijnë për të shkaktuar huti e tollovi në masë dhe sa herë që kërkohet prej tyre ndonjë ide apo t’i prijnë ndonjë procesi, ata gjithmonë arsyetohen se nuk kanë kohë apo mundësi për të vepruar diçka të atillë. Ndërsa, për dallim prej dy kategorive të para, këta të fundit janë të parët në kritika, kundërthënie dhe kundërshtime.
Përgjatë librit të dytë Vjetar 2013-2014 imam Feimin e gjejmë aktiv me tribuna të ndryshme në St. Gallen por edhe qytete tjera të Zvicrës. Ai madje ishte pjesëmarrës edhe në Iftarin e përbashkët të shtruar nga BIK për mërgimtarët. Ai pastaj shquhet me pjesëmarrjet e tij aktive në konferenca të ndryshme si në Dortmund dhe Dyseldorf. Z. Dragusha nuk kursen të deklarohet as për media në lidhje me qëndrimin ndaj shamisë në Zvicër, e po ashtu ai ofron pikëpamjet e tij mbi ‘islamofobinë’, që përkundër modernizmit dhe respektit të ndërsjellë, në këtë vend ka njerëz që nuk mund të pranojnë fatin se atdheun duhet ta ndajnë me njerëz të po kësaj bote por që kanë tjetër fe, besim dhe pikëpamje mbi jetën.
Tag der Offenen Tür – Dita e Xhamisë me Dyer të Hapura është vetëm një nga aktivitet kyçe që ka reduktuar pamasë keqkuptimet dhe ka bërë që njerëzit të informohen, të dinë e ta njohin më shumë njeri tjetrin në kantonin e St. Gallenit. Sa i përket mbulimit të medias, gjejmë se aktivitetet e ‘Verein Paradies Moschee’ shfaqen përmes TELEOSTSCHWEIZ (TVO) si dhe përmes Intervistës dhënë nga imami. Me këtë rast intervistuesi, Peter Haueis, falënderon imamin duke u shprehur ‘ju faleminderit për këtë intervistë të bukur. Asnjë religjion apo kulturë tjetër nuk është e rrezikshme për ju, por edhe islami gjithashtu nuk duhet të jetë rrezik për askënd. Ndërsa kryetituj si ‘Muslime aus vier Kulturen versammeln sich in sieben Moscheen’ gjejmë në krye të gazetave ditore nga ekspert të ndryshëm mbi islamin dhe religjionin në St. Gallen.
Meqë fundi i 2013 dhe fillimi i 2014 ishte periudha më e ndjeshme e fillimit të krizës së refugjatëve, z. Dragusha nuk kurseu bashkëpunimin e tij me personalitet të ndryshme zvicerane, aktivistë nga vendi i ngjarjes, që të i ofroj xhematit një pikëpamje reale mbi katastrofën humanitare në zonat e konfliktit.
Ndër aktivitet më të dalluar gjatë 2014 do të konsideroja themelimin e grupit ‘Ikre’ në xhami, ku më se 30 pjesëmarrës nga nacionalitete të ndryshme, kryesisht të kthyer në Islam, kishin mundësi të dëgjonin ligjërata në gjuhën angleze por edhe të diskutonin rreth tematikave të ndryshme. Pastaj shkëmbimi i imamëve nëpër xhamitë e Zvicrës, mbledhja Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës dhe përcaktimi i rregullores së brendshme të xhamive. Dora e solidaritetit të këtij unioni, anëtar i secilit ishte edhe imam Dragusha, nuk mungoi asnjëherë kur ishte nevoja. Kështu gjatë katastrofës natyrale në BiH delegacioni shqiptar nga mërgata udhëtoi për në Sarajevë ku të prekurve nga katastrofa atje ua shtriu dorën me jo më pak se 60,000 chf.
Xhami “Xheneti“ gjatë 2014 karakterizohet edhe me ligjërata në gjuhën gjermane. Madje tribuna të ndryshme me rastin e Israsë dhe Miraxhit, pritjen e Ramazanit, organizmin e Haxhit etj. Edhe gjatë këtij viti z. Dragusha nuk iu nda konferencave të ndryshme, e tillë ishte edhe Konferenca Ndërkombëtare e Dialogut Nder-fetar, në Prizren të Kosovës, ku imam Feimi mori pjesë si ligjërues dhe potencoj si shembull rolin e xhamisë ‘Paradies’. Atje bëri të ditur se për dallim prej organizatave tjera misionare në vendin tonë, xhamitë në Evropë nuk luajnë rol misionar por ato janë të kërkuara nga komuniteti, me origjinë muslimane, në rritje e sipër në këtë pjesë të botës. Ai po ashtu theksoi nevojën që imamët kosovarë të marrin pjesë në trajnime të ndryshme por edhe vazhdime të shkollimit në Evropë e gjetiu në vendet perëndimore, pasi që kjo sipas tij është një nevojë e kohës.
Imami i nderuar pastaj merr një mori vizitash duke mbajtur ligjërata në xhami të ndryshme si në Rebstein, Prateln, Aarburg e gjetiu në Zvicër. Ndërsa më karakteristikja ishte namazi i Kurban Bajramit 2014 ku në Xhaminë Xheneti falën namazin mbi 500 persona. Z. Dragusha nuk u kursye nga intervista as për çështje lokale në vend por as ato ndërkombëtare që pa dashje po afektojnë jetën e muslimanëve anekënd globit. Ai mohoi që islami dhe fanatizmi apo ekstremizmi të kenë diçka të përbashkët pavarësisht pretendimeve. Lëvizjet dhe organizatat e ndryshme me motive politike, të cilat shpesh keqpërdorin dhe keqinterpretojnë fenë, duhen medoemos të trajtohen si politike dhe të mbahen larg çdo implikimi me muslimanët normal të cilët fenë e praktikojnë dhe e shikojnë si qëllim të përmirësimit të jetës njerëzore e jo dëmtimit dhe humbjes së saj.
Iftari i përbashkët me komunitetet e ndryshme të St. Gallenit dhe Dita e Xhamisë me Dyer të Hapur për 2014 janë dy aktivitet kryesore të promovimit të vlerave të ‘Paradies Moschee’ ndaj të tjerëve. Këtu në mënyrë miqësore secili personalitet mund të merrte pjesë dhe lirshëm të pyeste në lidhje me çdo gjë që i interesonte.
‘Verein Pardies Moschee’ ishte e angazhuar edhe në shpërndarjen e literaturës dhe organizmit të ekskursioneve dhe shëtitjeve të ndryshme më fëmijë. Natyrisht se rinia është shtylla e çdo shoqërie andaj ‘Paradies Moschee’ ka pasur parasysh të ndaj kohë edhe për fatosat që janë hijeshia dhe ardhmëria e kësaj qendre.
Kështu pra shohim se aktivitet e ‘Verein Paradies Moschee’ janë të ndryshme dhe të llojllojshme. Ato përfshin aktivitetin nga mësimi me nxënës e të rinj deri të konferencat dhe akademitë universitare e globale. Gjersa po lexoja përgjatë këtyre dy VJETARËVE të Xhamisë po pyesja veten, a thua vallë si ka mundësi që një njeri i vetëm të i kryej gjithë këto punë dhe angazhime. Sigurisht se edhe ju jeni kureshtarë të dini. Mendoj se imam Feimi ka gjetur një sekret të punës që asnjëri prej nesh nuk e ka goditur. Natyrisht se ai nuk ka zbuluar asgjë të re për të zgjatur kohë, pra nuk e ka bërë 24 orë 25, e as që ka zbuluar diçka për të udhëtuar nëpër kohë, por ‘zbulimi’ i tij i vetëm është se ai e ka kuptuar se i vetëm nuk mund të realizoj shumëçka. Kështu ai për herë të parë në historikun e xhamisë në kohën moderne ka angazhuar imamë ndihmës, të cilët kryesisht ishin të angazhuar përkohësisht dhe vinin nga rajonet e ndryshme shqiptare. Për shumicën prej nesh, por edhe për vet Feimin, në fillim kjo ishte një ide e çuditshme dhe absolutisht jo e mirëpritur, por rezultatet po e dëshmojnë të kundërtën.
Imamët ndihmës përveç që kontribuuan duke freskuar xhematin me shpjegime dhe interpretime të ndryshme, ata njëherazi përfituan për vete duke u njohur me një vorbull të ri rrethanash dhe mentalitetesh në Evropën perëndimore, po ashtu ata i dhanë hapësirë imamit kryesor të xhamisë të merret me aktivitete tjera shtesë të cilat pa imamin ndihmës, nuk do të realizoheshin asnjëherë. Shpresoj që ky të jetë një rast i mirë për reflektim për të gjithë ne që jemi prezentë dhe kemi po të njëjtat halle dhe problematika me kohën dhe angazhimet e shumta.
Si përfundim dua të nënvizojë së Mr. Feim Dragusha ka menaxhuar për lakmi edhe aspektin financiar dhe administrativ të ‘Verein Paradies Moschee’. Me sa jam i njoftuar z. Dragusha nuk ka ndonjë ekspertizë në fushën e financave, por falë bashkëpunëtorëve të tij ai për lakmi ka vendosur tabela dhe evidenca mbi grumbullimin e fondeve, shpenzimin dhe menaxhimin e tyre, duke u bërë kështu shembull i transparencës dhe punës së organizuar. Mr. Feim Dragusha, ka botuar librin e dytë duke shtuar edhe listen e anëtarësisë dhe listën e hyrje daljeve, andaj mendoj se ky është edhe një rast për meditim dhe reflektim të mëtutjeshëm.
Librat Raport Vjetor Korrik 2012 – Korrik 2013 dhe Vjetari i Xhamisë Korrik 2013 – Dhjetor 2014 përveç se janë libra që në esencë përmbajnë aktivitete fetare, mendoj së ato janë edhe dëshmi dhe dokumente që do të mbetën udhërrëfyes dhe orientues për gjeneratat e ardhshme. Informatorë të këtillë mendoj se secila xhami apo qendër kulturore ka nevojë ta ketë. Krahas aspektit fetar e shpirtëror të faljes, agjërimit e haxhit aty potencohen edhe aktivitet sociale të bamirësisë, edukative të mësim-nxënies e mësimdhënies, kulturore të ruajtjes së gjuhës dhe traditës, organizative të ekskursioneve e shëtitjeve si dhe përfshirje së jetës në përgjithësi. Kur përfundova se lexuar këto dy libra, më së shumti që me erdhi në kujtesë ishte fjala e Zotit fuqiplotë:
اقْرَأْ كِتَابَكَ كَفَىٰ بِنَفْسِكَ الْيَوْمَ عَلَيْكَ حَسِيبًا (14)
“Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!“ (Isra, 14)
Të nderuar të pranishëm,
Me lejoni që këtë fjalim timin ta përmbyll me një përmbledhje të përgjithshme të librave që i promovuam sonte.
Përmbledhje mbi Raport Vjetor dhe Vjetari i Xhamisë 2012 – 2014
Raportet që i kemi para vetes ngërthejnë në vete aktivitete edukative, kulturore, fetare dhe shpirtërore përgjatë 30 muajve, të zhvilluara në ‘Verein Paradies Moschee’ nga imami i respektuar Mag. Feim Dragusha.
Duke ndjekur traditën e Profetit alejhi selam z. Dragusha iu rrek punës më të gjitha shtresat e komunitetit që nga fëmijët, të rinjtë, gratë e deri tek të moshuarit. Përhapjen e diturisë dhe kulturës nuk e kufizoi vetëm në këtë objekt por ai u zgjerua aq shumë saqë arriti edhe në konferencat ndërkombëtare dhe kuvendet universitare.
Përmes këtyre aktiviteteve ‘Verein Pardies Moschee’ po bëhet model se si duhet të ndiqet dhe pasqyrohet islami në këtë vorbull të turbullt rrethanash. Mr. Sci. Feim Dragusha me elanin e tij është shndërruar në një aktivist të dalluar e relevant për kohën që po jetojmë. Ai, kryesia dhe xhemati i kësaj xhamie po bëjnë çmos që islami, ashtu siç është mesatar dhe aktual, të zë vend edhe në shtetet më të modernizuara siç është Zvicra.
Me qenë se vet imami ishte viktimë e shprehjes së lirë, si rezultat i një keqkuptimi gjuhësor në fillim të karrierës së tij, ai shpejt e kuptoi përgjegjësinë e fjalës dhe veprimit. Kështu ai mori përsipër që ‘Verein Paradies Moschee’ ta shndërroj në një qendër studimi, angazhimi dhe aktiviteti. Ajo tashmë është një institucion ndërkombëtar i hapur për të gjithë pa dallim race, ngjyre, gjuhe, gjinie e madje edhe në shumicën e rasteve as feje. Kjo në vete ngërthen praktikisht kuptimin e fjalës së të madhit Zot në Kuran ‘… e njerëzve thoni fjalë të mira’ (Bekare, 83).
Këto dy libra që pasqyrojnë veprimtarinë e imamit Dragusha janë simbol dhe dokument në të njëjtën kohë. Janë simbol sepse ato pasqyrojnë udhëheqjen dhe mbarëvajtjen me urtësi, shkathtësi dhe mendje të ndritur. Pra pikërisht ashtu siç simbolizon çallma e bardhë më të cilën imami mbështjellë kokën. Kjo nënkupton se mendimet pozitive, paqja dhe shpirtbardhësia duhet të dominojë mbi çdo ngutje, papërgjegjësi dhe sjellje negative.
Po kështu plisi i bardhë, që është krenari e çdo shqiptari, mbulon kokën kur është nxehtë dhe ftohtë. Kjo në mënyrë figurative do të thotë se mendjen duhet kontrolluar dhe vendimet duhet marrë vetëm mbi baza të dijes, maturisë dhe gjakftohtësisë.
Këto libra janë dokument sepse ato do të mbeten arkiv dhe inkurajim për gjeneratat e ardhshme. Jam i bindur se këto libra do të jenë vlerë e shtuar në bibliotekën e secilit prej nesh.
Ju faleminderit!
Mr. Sci. Driton Morina