Dr.Bashkim Aliu
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në këtë udhëtim nate që iu mundësua nga ana e Allahut të Madhërishëm, pa shumë gjëra të rëndësishme, e disa edhe e habitën. Bazuar në transmetimet e ndryshme që flasin për këtë udhëtim, do të përmendin disa nga ato gjëra që pa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në qiell:
Sidretu-l-munteha
Sidretu-l-munteha quhet pika më e lartë qiellore në raport me krijesat. Në fakt, në këtë vend mbaron dija dhe arritjet e krijesave. Kur thuhet krijesa, nënkuptohen të gjitha krijesat, qofshin njerëz, xhinë apo melekë. Dija e krijesave, normalisht atyre që don Allahu, mund të arrijë deri në Sidretu-l-munteha, por jo edhe më tutje. Ibn Abasi, komentatorët e Kur’anit dhe dijetarët tjerë kanë thënë:”Është quajtur Sidretu-l-munteha për shkak se dija e melekëve mbaron aty, dhe nuk ka shkuar përtej saj askush pos të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”.
Imam Muslimi ka transmetuar prej Abdullah ibn Mes’udit se ka thënë:” Kur u dërgua Pejgamberi s.a.v.s. në udhëtimin e natës (Isra), u soll deri në Sidretu-l-munteha e cila është në qiellin e gjashtë. Aty mbaron dhe mbahet çdo gjë që ngjitet prej toke, si dhe aty mbaron dhe mbahet çdo gjë që lëshohet nga lartë:<> . Tha: Aty janë Shtrojat prej floriri. Aty, dërguarit të Allahut s.a.v.s. iu dhanë tre gjëra: Pesë namazet ditore, ajetet e fundit të sures El-Bekare si dhe falja e mëkateve të mëdha për çdo një nga pjestarët e umetit të tij që nuk i bën Allahut shirk (nuk i shoqëron asgjë tjetër në adhurim)”.
Në transmetimin e imam Imam Muslimit prej Enesit r.a., qëndron se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Pastaj më dërgoi deri në Sidretu-l-munteha, e cila gjethet i kishte si veshët e elefantit, ndërkaq frutat sikur qypat. Por kur e mbuloi ajo që urdhëroi Allahu ta mbuloj, ajo ndryshoi, ashtu që asnjë nga krijesat e Allahut nuk mund ta përshkruaj bukurinë e saj”.
Në një transmetim qëndron se Sidretu-l-munteha është në qiellin e gjashtë, ndërkaq në transmetimet tjera qëndron se Sidretu-l-munteha është në qiellin e shtatë. Dijetarët kanë theksuar se nuk ka kundërshtim në mes transmetimeve për atë se ku gjendet Sidretu-l-Munteha, ngase shpjegohet se rrënja e Sidretu-l-Muntehas gjindet në qiellin e gjashtë, ndërkaq degët e saj gjinden në qiellin e shtatë.
Xhibrilin në formën e vet engjëllore
Kjo është hera e dytë që e ka parë i dërguari i Allahut s.a.v.s. Xhibrilin në formën e tij engjëllore, në të cilën e ka krijuar Allahu i Madhërishëm. Kjo ka ndodhur natën e Israsë-udhëtimit të natës në sferat qiellore. Aishja r.a. ka përcjellur prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se e ka parë vetëm dy herë Xhibrilin në formën e tij origjinale engjullore në të cilën është krijuar. E ka parë duke u lëshuar ndërmjet tokës dhe qiellit, e me krijaturën e tij madhështore e kishte zënë gjithë hapësirën ndërmjet tokës dhe qiellit”.
Ahmedi ka transmetuar prej Ibn Mes’udit se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”E pashë Xhibrilin dhe kishte gjashtëqind krahë. Nga krahët e tij binin mozaiqe margaritarësh dhe xhevahirësh”.
Malikun, rojtarin e Xhehenemit
Maliku është meleku i cili ka përgjegjësinë e rojtarit të Xhehenemit. Edhe këtë e pa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjatë këtij udhëtimi. Muslimi transmenton në Sahihun e tij prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”… Erdhi koha e namazit, dhe unë u bëra imam i tyre. Kur e mbarova namazin, njëri tha: Ky është Maliku, rojtari i Xhehenemit,[ për atë përshëndete me selam], unë ua ktheva kah ai, dhe ai i pari më përshëndeti me selam”.
Disa nga pejgamberët e mëparshëm
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në këtë udhëtim nate u takua me disa nga pejgamberët e mëparshëm. Më parë përmendëm transmetime të cilët tregonin se me cilët pejgamberë të mëparshëm është takuar Muhamedi s.a.v.s. Me këtë rast, do të tregojmë se si i ka përshkruar ata i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Ja si e përshkruan këtë Muhamedi s.a.v.s. në transmetimin vijues:
Muslimi ka shënuar prej Ebu Hurejres r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Kur isha në Isra, kam takuar Musaun a.s.”, ku i Dërguari s.a.v.s. e përshkroi:”Ai ishte njeri”, mendoj se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”I hollë, i gjatë, i dobët, hall lig, flokëkaçurrel (të dredhura), sikur të ishte nga burrat me origjinë fisnike”. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”E kam takuar Isain a.s.”, ku i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e përshkroi dhe tha:”Ishte mesatar me ngjyrë mes ngjyre të kaltër e të çelur sikur të kishte dalë nga banja”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”E kam takuar Ibrahimin a.s. që unë prej pasardhësve të tij më shumë i përngjaja”.
Në një transmetim tjetër të Muslimit prej Ebu Hurejres qëndron:”Gjithashtu jam gjendur në shoqëri me të dërguarit. E pashë Musaun a.s. në këmbë, duke u falur ishte i hedhur flokëkaçurrel si të ishte Shenuat. Kam parë Isaun a.s. në këmbë, duke u falur, atij më së shumti i përngjan Urve ibn Mes’ud eth-Thekafiut. Dhe kam parë Ibrahimin a.s. në këmbë, duke u falur, më së shumti ati i përngjante miku juaj (e kishte qëllimin për vetveten)…”.
Dëgjoi zërat e lapsave
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. arriti në një vend ku dëgjoi zërat e lapsave , me të cilët melekët kopjonin nga Leuhi Mahfudhi në fletët e tyre, caktimin e Zotit. Muslimi ka transmetuar prej Ibn Shihabit se ka thënë:Më ka lajmëruar Ibn Hazmi se Ibn Abasi dhe Ebu Habbete el-Ensariju kanë thënë:I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Pastaj u ngrita derisa arrita në një pozitë ku dëgjoja zërat e lapsave”.
Në lidhje me këtë hadith, el-Hatabi ka thënë:”Ky ka qenë zëri i vendimeve dhe shpalljes së Allahut që i shkruajnë melekët dhe atë që e kopjojnë prej Leuhi Mahfudhit-Pllakës së mbrojtur, apo atë që Allahu don të shkruhet dhe të ngritet nga urdhërat dhe vendimet e Tij”.
Xhenetin dhe shtëpitë e Xhenetit
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. me rastin e Miraxhit të tij hyri edhe në Xhenet. Këtë e vërteton ai vetë në transmetimin të cilin e shënon Muslimi dhe tjerë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Pastaj më futën në Xhenet, dhe pashë se aty kishte kupolla prej margaritari, e dheu i tij ishte prej misku”.
Imam Neveviju ka komentuar:”Ky hadith është argument për Ehli Sunetin se Xheneti dhe Xhehenemi janë të krijuar tash, dhe se Xheneti është në qiell”.
Tirmidhiju ka transmetuar prej Abdullah ibn Mes’udit r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”E takova Ibrahimin natën e Israsë, e më tha:O Muhamed, tregoi umetit tënd se toka e Xhenetit është e bukur, uji i tij është i ëmbël dhe ai është plot pemë, kurse mbjellja e tyre bëhet me fjalët:Subhanallah, ve-l-hamdulilah, ve la ilahe il-lAllah, vAllahu ekber”.
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i pa edhe shtëpitë e Xhenetit. Në pyetjen e shokëve të tij se si dukeshin ndërtesat e Xhenetit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Një tullë është prej ari e tjetra prej argjendi, mallteri është prej misku, rëra prej margaritari dhe safiri, kurse dheu prej safrani…”.
Burimi i Keutherit
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa në Miraxh edhe burimin e Keutherit. Ja si e tregon këtë vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.:”Duke ecur në Xhenet pashë një lum që brigjet e tij ishin kupolla nga margaritari i tharë. Thashë:”Ç’është ky o Xhibril?” Ai mu përgjigj:”Është burimi Keutherit të cilin Allahu ta ka premtuar. Ai i ka brigjet prej floriri”.
Bejtu-l-maëmuri
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa edhe Bejtu-l-maëmurin, apo Qaben e qiellit në katin e shtatë. Atë e bënin tavaf melekët, edhe atë, për çdo ditë nga 70 mijë melek, dhe ata që e bënin tavaf, më nuk ktheheshin përsëri. Kjo tregohet edhe në hadithin e gjatë të cilin e ka shënuar imam Ahmedi të transmetuar prej Enes ibn Malikut, i cili ka përcjellur prej të Dërguarit të Allahut përshkrimin e ngritjes së tij në qiell. Në mes tjerash, në këtë hadith qëndron:” Pastaj na ngjiti në qiellin e shtatë, e Xhibrili kërkoi të hapet. E pyetën: Kush je ti? Ai u përgjigj: Xhibrili. E pyetën përsëri: E kush është me ty? Ai u përgjigj: Muhamedi. E pyetën: A i është dhënë pejgamberia? Ai u përgjigj: Po, i është dhënë pejgamberia. Atëherë na u hap, dhe aty e takova Ibrahimin, paqa e Allahut qoftë mbi të, i cili ishte i mbështetur me shpinë për Bejtu-l-Maëmuri (Qaben e qiellit), në të cilën për çdo ditë hynin nga shtatëdhjetë mijë melek, të cilët më asnjiherë nuk ktheheshin përsëri ”.
Lumenjtë
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tregon se në sferat e larta qiellore, gjegjësisht në Miraxh, ka parë edhe katër lumenj, dy të njohur dhe dy të panjohur. Ja si e përshkruan këtë gjë në transmetimin e Malik ibn Sa’ësa’:”Aty pamë edhe katër lumenj, dy të njohur dhe dy të panjohur. Unë i thashë: Çka janë këto, o Xhibril? Tha: Dy lumenjt e panjohur, janë dy lumenj në xhenet, ndërkaq dy lumenjt e njohur janë Nili dhe Eufrati. Pastaj mua më ngriti në Bejtu-l-ma’ëmur”.
“Simbolika e këtyre lumenjve ka qenë se muslimanët do të vendosen në luginat pjellore të këtyre dy lumenjve, dhe se banorët e rrjedhave të tyre do të jenë bartës të Islamit nga gjenerata në gjeneratë”.
Në lidhje me këta lumenj, shejh Nasirudin Albani ka thënë:”Ndoshta qëllimi me këta lumenj të Xhenetit është se thelbi i tyre është prej tij, sikurse është baza e njeriut prej Xhenetit. Pra, kjo nuk bie në kundërshtim me atë që shohim se si këta lumenj rrjedhin nga burimet e tyre të njohura në tokë. Nëse ky është kuptimi, atëherë hadithi është nga fshehtësitë që duhet t’i besojmë dhe t’ia lëmë atij që lajmëroi këtë”.
Shpirtërat e xhenetlinjve dhe të xhehenmlinjve
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur u ngjit në Miraxh, në qiellin e parë i pa shpirtërat e njerëzve, edhe të atyre që ishin xhenetlinj edhe të atyre që ishin xhehenemlinj. Këta ishin në dy anët e Ademit a.s., i cili kur shiqonte nga e djathta qeshte, e kur shiqonte nga e majta, qante. Ja si përshkruhet kjo nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në transmetimin e Ebu Dherrit:”Më morri (Xhibrili) për dore dhe bashkë me mua u ngjit në qiellin e tokës. Kur arrita te qielli, Xhibrili i tha melekut rojtar të qiellit: Hape? Ai e pyeti: Kush është ? Ai ia ktheu: Xhibrili. Rojtari e pyeti: A ka kush tjetër me ty? Xhibrili i tha: Po, me mua është Muhamedi s.a.v.s. Rojtari e pyeti: A i ka arritur pejgamberia? Xhibrili tha: Po. Kur e hapi, u ngjitëm lartë në qiellin e tokës dhe aty rastisëm një njeri të ulur, edhe në anën e djathtë të tij kishte një turmë, edhe në anën e majtë kishte një turmë. Ai, kur shiqonte në anën a djathtë qeshte, e kur shiqonte në anën e majtë qante.Pastaj tha: Mirë se vjen pejgamberi i devotshëm dhe biri i devotshëm. Unë e pyeta Xhibrilin: Kush është ky? Xhibrili tha: Ky është Ademi, ndërkaq këta turma nga ana e djathtë dhe e majtë, janë shpirtërat e bijve të tij. Ata që ishin në anën e djathtë, janë banorët e Xhenetit, ndërkaq ata që ishin në anën e majtë, janë banorët e Xhehenemit. Për këtë, kur shiqonte kah ana e djathtë, qeshte, e kur shiqonte nga ana e majtë, qante ”.
Grupe njerëzish që shpërbleheshin
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në këtë udhëtim nate, pa disa grupe njerëzish të cilët shpërbleheshin për disa lloje mirësishë. Ja disa nga ato grupe:
Taberaniju dhe Bezari kanë transmetuar prej Ebu Hurejres r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në Miraxh ka kaluar pranë disa njerëzve të cilët mbillnin dhe korrnin. Sa herë që korrnin, e mbjellura kthehej si ka qenë. Xhibrili i ka thënë:”Këta janë muxhahidinët”.
Grupe njerëzish që dënoheshin
I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në këtë udhëtim nate, pa disa grupe njerëzish të cilët dënoheshin për disa lloje mëkatesh.