Mesazhe në lindjen e mëshirës së botërave
Bashkim Aliu
PROLOG
Lindja e të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s. paraqet ngjarjen më të rëndësishme në mbarë historinë botërore, sepse nuk qe lindje thjesht e një individi, por lindja e një umeti dhe ere të re në histоrinë e njerëzimit, sepse që në lindjen e tij u trandën fuqishëm themelet e mosbesimit, u mbush bota me lumturi dhe drejtësi e shpëtoi njerëzimi nga privimi i njohjes së të vërtetës.
Për jetëshkrimin dhe veprimtarinë e të dërguarit të Allahut, duhet folur e shkruar vazhdimisht, ndërkaq në muajin e lindjes së tij, duhet vënë theks të veçantë në personalitetin e tij dhe të promovohet në opinionin botërorë që ta njohin, sepse tjerët e kanë traditë që gjërat t’i përkujtojnë në kohën e ndodhjes së tyre.
Në mediat tona elektronike dhe të shkruara, është bërë traditë që për personalitetin e të dërguarit të Allahut të flitet në 12 Rebiul Evvel, mirëpo, mendoj se kjo duhet të jetë në kontinuitet, e në veçanti gjatë muajit Rebiu-l-Evvel, pra gjatë gjithë muajit e jo vetëm një ditë.Për këtë, e shoh të arsyeshme që të shkruaj diç për të dërguarin e Allahut s.a.v.s. derisa jemi ende duke i numëruar ditët e muajit të lindjes së tij.
Me këtë rast, do të ishte e rrugës sikur të kishin ndarë gazetat dhe revistat islame tek ne dhe më gjërë, një rubrikë të vacantë për të dërguarin e Allahut s.a.v.s. gjatë gjithë vitit, në veçanti kur u provokuan rëndë muslimanët permes karikaturave nënçmuese.
PEJGAMBERI, PJESË E KULTURËS SONË
Shembëlltyra dhe veprimtaria e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. duhet të jetë pjesë e pandashme e kulturës dhe përditshmërisë sonë, apo thenë ndryshe, shembëlltyra e tij duhet të jetë pasqyrë ku do të shihet muslimani dhe do të përputhë me të sjelljet dhe veprimet e veta.
Të qenit e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. pjesë e kulturës sonë, nënkupton që suneti-praktika e tij të jetë themel mbi të cilën ngriten veprimet tona.
Shembëlltyra e tij duhet të jetë prezente në çdo pore të jetës sonë, në përditshmërinë dhe jetën tone, në tryezat dhe ndejet tona, në transaksionet dhe sjelljet tona.Ndërkaq kjo nënkupton që të gjitha veprimet të bëhen konform asaj që ka porositur i dërguari i Allahut.
KORREKTËSIA JONË NDAJ TË DËRGUARIT TË ALLAHUT
Gjithë muslimanët e botës u prekën rëndë kur u paraqitën karikaturat provocative dhe skajshmërisht denigruese të personalitetit të Pejgamberit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s.
Besoj se nuk ka patur asnji musliman, qoftë i devotshëm apo jo aq i përmbajtur në fe, që nuk është frustruar nga këto karikatura provokative të sponzoruara nga qarqe të caktuara plangprishëse.Kjo u pa se është tentim për t’i nënçmuar muslimanët dhe për tu marrë nëpërkëmbë figura më markante në botë, i dërguari i fundit i Allahut.
S’ka fije dyshimi se kjo është padrejtësi ndaj këtij personaliteti i cili me shpalljen e Allahut i solli paqë gjithë njerëzimit, hapi horizonte të reja dhe e çliroi botën nga prangat e idhujtarisë dhe tiranisë.
Mirëpo, ne muslimanët duhet të jemi objektiv dhe real e të sinqertë dhe të pranojmë se të padrejtë ndaj të dërguarit të Allahut së pari jemi treguar vetë ne muslimanët, duke e lënë pas dore sunetin dhe porositë e tij.
Ne e harruam të dërguarin e Allahut, i bëmë edhe fëmijët tanë që ta harrojnë apo shumë pak të njohin nga jeta dhe veprimtaria e tij, e pastaj habitemi se pse tjerët e nënçmojnë atë.
Sot, për fat të keq, bijtë dhe bijat e muslimanëve, ma tepër dijnë për jetën dhe veprimtarinë e futbollistëve, artistëve dhe këngëtarëve të njohur, se sa për të dërguarin e Allahut dhe veprimtarinë e familjen e tij.
Për atë, ne duhet të jemi korrekt ndaj të dërguarit të Allahut, duhet të ecim në rrugën të cilën e trasoi ai dhe t’u përgjigjemi thirrjeve të tij.
NEVOJA PËR UDHËZIM HYJNOR
Periudha para lindjes së të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s., paraqet fazën e devijimit dhe deformimit në fusha të ndryshme, si ajo e besimit, moralit, jetës shoqërore, etj.Injoranca qe tipari dallues substancial i kësaj periudhe, dhe kjo afirmonte nevojën e madhe të dërgimit të lajmëtarit të Zotit, i cili do t’i ndihmonte njerëzimit të dale prej kësaj krize të thellë.
Së këndejmi, shihet qartë se misioni i të dërguarit të fundit të Allahut, ka patur karakter human dhe edukativ.
Poashtu, në këtë dioptri duhet shiquar edhe të qenit e tij i dërguar i fundit i Allahut dhe të qenit e Kur’anit libër i fundit i dërguar nga Zoti, sepse librat e mëparshëm hyjnor u ndryshuan nga dora e njeriut, për atë u paraqit nevoja për mesazh të pa ndryshueshëm dhe mission mbarënjerëzor i cili do të vlejë deri në ditën e gjykimit dhe do t’u dedikohet të gjithë njerëzve dhe të gjitha kohëve.
Misoni i fundit dhe i dërguari i fundit i Allahut, sollën dinamikë të re në transformimin e shoqërisë njerëzore dhe konvertimin e mentalitetit e mendësisë së stërngarkuar me bestytni dhe paragjykime të kota.
MBROJTJA DHE NGADHNJIMI
Viti i lindjes së të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s. njihet si vit i elefantëve, sepse Allahu xh.sh. e shkatërroi ushtrinë e prijësit jemenas Ebrehës, i cili kishte ardhur me një ushtri të forte të cilës i printe një elefant që ta shkatërrojë Qaben, por Mekeja u bë varri kolektiv i kësaj ushtrie tirane dhe kryelart.
Në këtë vit lindi i dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi s.a.v.s., dhe në këtë ngjarje jepet një mesazh i qartë se këtë pejgamber do ta mbrojë Allahu, dhe misioni i tij do të jetë ngadhnjyes, pa marrë parasyshë se për opponentë të cilit caliber do të flitet në ndonji nga periudhat e historisë së ekzistimit të njeriut.