Ramazani, muaji i dobive te shumta
Nga: Hasan BAFTIJARI
Dobitë nga agjërimi numërohen me qëllim që ato të kenë ndikim më të thellë në shpirt dhe muslimani të jetë më tepër i bindur në adhurim e në sheriat.
“Muaji i Ramazanit është (muaji) në të cilin filloi zbritja e Kur’anit, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga e pavërteta). E kush prej jush përjeton këtë muaj, le të agjërojë.” (El-Bekare: 185)
Abdullah ibni Abbasi thotë: “Dëgjova nga i Dërguari i Zotit, se Xhenneti nga viti në vit zbukurohet për shkak të ardhjes së muajit të Ramazanit”.
Mjafton t’i themi muslimanit: “Zoti urdhëron të agjërosh”, e ai të agjërojë, pa i numëruar dobitë dhe sekretet e agjërimit. Mirëpo jemi të detyruar të ndërmarrim një hap të tillë, edhe atë për shkakun se Zoti i Madhëruar na informon në shumë ajete të Kur’anit Famëlartë për dobitë dhe sekretet e sheriatit, që të mendojmë dhe të bindemi se sheriati hyjnor i përhershëm është shpallur vetëm për të realizuar interesin e njerëzve dhe për t’i mënjanuar dëmet prej tyre. Gjithashtu, edhe kur Zoti na urdhëron të agjërojmë, Ai i cekë dobitë e agjërimit dhe urtësinë e Tij me një fjalë: “O ju besimtarë, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare: 183)
Urtësia e obligimit të agjërimit, ashtu siç e potencon All-llahu i Madhërishëm, fshihet në devotshmërinë, që nënkupton çdo gjë të mirë që e do Zoti, e që falënderohet njeriu për të në këtë botë. Dobitë nga agjërimi numërohen me qëllim që ato të kenë ndikim më të thellë në shpirt dhe muslimani të jetë më tepër i bindur në adhurim e në sheriat. Një gjë e tillë është cekur edhe më parë, kur Ibrahimi [alejhis-selam] kërkoi prej Zotit që t’i tregojë se si i ringjallë të vdekurit. Kur e pyeti Zoti: “Pse, a nuk beson?!”, Ibrahimi [alejhis-selam] u përgjigj: “Po, por të qetësohet zemra ime”. Analizimi i rregullave dhe shpalimi i sekreteve të tyre, nuk kundërshtojnë imanin, e as që prezantojnë dobësinë e bindjes, ngase vetë Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i analizonte dhe i arsyetonte ato.
Agjërimi është shkolla ku muslimani edukohet, rregullon vetveten, nxitet për tek e mira dhe largohet prej shkatërrimit, forcon vendosmërinë, rezistencën e dëshirës, rregullon trupin, kuron sëmundjet, afrohet me Zotin e vet. Përmes agjërimit falen gjynahet, fshihen gabimet, shtohen të mirat dhe ngrihen shkallët. Transmetohet nga Sehli [radijall-llahu anhu], se Profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Në Xhennet ka një derë që quhet Er-Rejjan. Në ditën e Kiametit futen prej saj vetëm agjëruesit dhe nuk futet në të tjetër, veç tyre. U thuhet: ‘Ku janë agjëruesit?’ Kur futen, ajo mbyllet dhe nuk futet tjetër veç tyre”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi). Ebu Hurejre [radijall-llahu anhu] përcjell se Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhennetit”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi). Transmetohet nga Xhabir ibn Abdil-lah [radijall-llahu anhu], se Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Ummetit tim i janë dhuruar pesë gjëra në Muajin e Ramazanit, të cilat nuk i janë dhënë asnjë të Dërguari para meje. Njëra prej tyre është se, Zoti i Madhëruar i shikon ata në natën e parë të Ramazanit, e atë që e shikon Ai, nuk e dënon asnjëherë. E dyta është se era e keqe e gojës së tyre në mbrëmje është më e mirë se aroma e miskut. E treta është se engjëjt kërkojnë falje për ta çdo ditë e çdo natë. E katërta, se Zoti i Madhëruar e urdhëron Xhennetin kështu: “Përgatitu dhe zbukurohu për robërit e Mi, sepse është afruar dita e pushimit të tyre në shtëpinë dhe zemërgjerësinë Time nga lodhjet e kësaj bote”. E pesta është se Zoti i Madhëruar i falë të gjithë natën e fundit”. Njëri prej të pranishmëve e pyeti: “A është Nata e Kadrit kjo?” Ai u përgjigj: “Jo, a nuk sheh se punëtorët, kur i kryejnë punët, i marrin shpërblimet (rrogat)”. (Transmeton Bejhekiu).
Agjërimi është rregullator i mrekullueshëm për ndryshim
Prej dobive të agjërimit është se ai e përgatit muslimanin me energjinë e cila i jep atij mundësinë e ndryshimi të vetvetes. Agjërimi ditor e mëson atë që të ndalet prej të dashurave dhe dëshirave. I thotë JO dëshirës dhe epshit, dhe nuk i trembet përgjigjes kur ajo e kënaq All-llahun e Madhërishëm. Gjatë agjërimit barku ndjen uri, kurse shpirti ushqehet; pastrohet trupi, e zemra forcohet; dobësohet epshi, e lartësohet shpirti… Në këtë muaj të bekuar besimtari gjen kohë për t’iu lutur Zotit, për leximin e Kur’anit Famëlartë, i cili është Libër i përhershëm, edukativ, reformist dhe pastrues i shpirtrave.
Agjërimi ngre moralin lartë
Agjërimi është shkolla që edukon agjëruesin me moral të mirë. Morali i frikës, respektit, mirësisë, bashkëpunimit, keqardhjes, durimit dhe të tjera veç këtyre, janë gjëra prej moralit të mirë, të cilat i ndërton agjërimi te agjëruesi. Agjërimi fut te agjëruesi moralin e mbikëqyrjes dhe e mbron atë, me qëllim që të mos dalin prej tij kundërshtime të sheriatit, por të dalin prej tij vepra që i nënshtrohen këtij kontrolli. Ibn Kajmi – All-llahu e mëshiroftë – thotë: “Agjërimi ka një ndikim të madh në mbrojtjen e jashtme të gjymtyrëve dhe në forcimin e të brendshmeve nga përzierjet e gjërave shkatërruese, të cilat kur dominojnë mbi të, e shkatërrojnë. Agjërimi e ruan zemrën dhe gjymtyrët në të mirat e tyre dhe iu kthen atyre ato që u janë grabitur nga epshet. Kjo është ndihma më e madhe për përkushtimin”. (Nga libri Zadul Mead) Ai që dorëzohet në luftën disa orëshe me epshin e vet, e humbë karakteristikën kryesore të moralit të luftëtarëve, gjegjësisht burrërinë; ndërsa ai që jeton në sferën e burrërisë, del ngadhënjimtar ose dëshmor.
Ramazani është muaji në të cilin All-llahu i Lartësuar zbriti Kur’anin
Sikur të mos kishte mirësi të tjera pos kësaj, ajo do të mjaftonte. Por nuk duhet harruar që në të ka edhe dobi dhe mirësi tjera të shumta, si: falja e mëkateve, ngritja në shkallë të larta për besimtarët (në Xhennet), shumëfishimi i të mirave etj. Është muaj në të cilin hapen dyert e Xhennetit dhe mbyllen dyert e Xhehennemit, lidhen shejtanët, zbresin dy engjëj, ku i pari prej tyre thërret e thotë: “O ti që e do të mirën, pranoji të mirat!”, kurse i dyti thotë: “O ti që e do të mirën, largoju të këqijave!”
Nata më e vlefshme se një mijë muaj
Në këtë muaj është nata më e vlefshme e vitit. Kush e humb këtë natë, ka humbur shumë të mira. Natë në të cilën All-llahu i Madhërishëm shkruan (cakton) çdo send. Ajo është nata e Kadrit, vlera e të cilës është sa një mijë muaj. Me të vërtet besimtari duhet të përqendrohet në udhëzimet e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në çdo adhurim, çështje e cila meriton respektin më të madh, e veçanërisht në udhëzimet apo veprimet që ka bërë ai në këtë muaj (muajin e agjërimit).
Ramazani, muaj që i fal njeriut aftësi
Era e këndshme e jetës shpirtdhënëse të Ramazanit, është një nga ato çaste që i falë sërish shpirtit të njeriut aftësi. Ramazani është muaj i zbulesës, i qëndresës, i shpresës. Është muaji i mirësive, i begative i fshehtësive. Ramazani është muaji i barazisë, i afërsisë, i pjekurisë, i gjallërisë. Është muaj i vlerave superiore, muaj që sjellë fitore, muaj i Mëshirës Hyjnore, muaji kur bleron pranvera shpirtërore… Dhe nga kjo njeriu fiton një shpirt që ta zbulojë vetën e tij për të metat të cilat i posedon dhe fiton një kënaqësi për të ecur përpara, për të bërë ndryshime, për t’u penduar nga gabimet e të kaluarës. Dhe ta vendos vetën e tij para madhërisë së Krijuesit, e të paraqesë gjendjen dhe veprat e tij pa mbulojë.
Muaji i Ramazanit është muaji i lutjes dhe vazhdimit të marrëveshjes me Zotin
Muaji në të cilin robi, në prezencë të Zotit, pastron zemrën dhe shpirtin nga papastërtitë, dhe me respekt dhe afrim tek Ai e shkatërron murin e mendjemadhësisë. Mjafton që njeriu të ulet në tryezën e mirësive shpirtërore të këtij muaji dhe të përfitojë nga ajo.
O Ti që ke fuqi absolute dhe dijeni mbi të gjithë gjërat!
O Ti që përpos Teje nuk mund kush t’i falë mëkatet e mëdha… Dhe përpos Teje askush nuk mund të largojë të keqen dhe shqetësimin!
O më i Mëshirshmi i mëshiruesve dhe më i Madhi i bujarëve! Dërgo mëshirë mbi Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe familjen e tij. Pranoje agjërimin tonë dhe llogarite atë ndër veprat e mira. Pranoi përpjekjet tona për të arritur kënaqësinë dhe faljen Tënde.