Llogaritja e 21 dhjetorit të 2012-s si fundi i botës apo fundi i kalendarit të qytetërimit Maja
Nehat Ismaili
Kohëve të fundit me të madhe spekulohet nëpër rrjetet e ndryshme sociale, se fundi i botës sipas kalendarit të qytetërimit Maja do të jetë më 21 dhjetor 2012. Para se të fillojmë me diskutimin e këtij pretendimi, fillimisht duhet të bëjmë një dallim mes konceptit “fundi i botës” – ndodhia e kijametit-sipas botëkuptimit islam dhe “fundi i botës” – përfundimi i një kalendari në të cilin do ndodhin fatkeqësi natyrore me përmasa globale.
Kjo temë “fundi i botës” diskutohet edhe në koloaret e shumicës së sekteve dhe religjioneve, duke tërhequr pas vetes lexueshmëri dhe interes të madh nga njerëzit. Në kuadër të kësaj janë shkruar libra të cilat trajtojnë këtë tematikë, madje bazuar edhe në tekstet fetare të shenjta, ku në një farë mënyre mundohen të shpjegojnë, qartësojnë ose përshpejtojnë “fundin e botës” – Kijametin. Profetizimet e mëhershme të religjioneve ose sekteve të ndryshme nënkuptojnë parashikim, paralajmërim i diçkahit që do të ndodhë në të ardhmen. Shkaku i përzierjes së analizave të parashikimeve që kanë të bëjnë me ndryshimet të cilat priten të përfshijnë rruzullin tokësor në vitet e ardhshme dhe shfaqjes së librave që paralajmërojnë për luftëra me armë të shkatërrim masiv të cilat do të përfshijnë globin në përgjithësi, jep të kuptohet se disa mundohen të lexojnë kalendarin e Majas në prizmin politik e disa në prizmin fetar metafizik.
Sa i përket “fundit të botës” apo ndodhisë së kijametit që në fillim duhet të themi qartazi dhe besojmë bindshëm në fjalët e Zotit në Kuran “Të pyesin ty (Muhammed) për çastin (katastrofën e përgjithshme) se kur do të ndodhë ai. Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush pos Tij (e sjell kijametin pa e hetuar asnjë nga krijesat). Çështja e tij (se kur do të ndodhë) është preokupim i rëndë (për krijesat) në qiej e në tokë. Ai (katastrofa) nuk ju vjen ndryshe, vetëm befas. Të pyesin ty sikur ti di për të. Thuaj: “Për të di vetëm Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë (pse është e fshehtë)”.
Islami ka trajtuar shenjat të cilat i paraprijnë ndodhisë së kijametit, duke i ndarë në shenja vogla dhe shenja të mëdha. Dijetarët muslimanë nga shenjat e vogla kanë numëruar diku afro 96 shenja të vogla bazuar në fjalët e Muhamedit (Paqa e Zotit qoftë mbi të!) , të cilat marrë në përgjithësi paralajmërojnë për degradimin moral të njerëzimit, shthurrjen e vlerave, përhapjen e prostitucinonit dhe sëmundjeve të ndryshme seksualisht të transmetueshme, ngrënien e fajdes, kamatës, përhapjen e kriminalitetit, vrasjet, korrupsioni etj.
Ndërsa për shenjat e mëdha të ndodhisë së kijametit flasin disa hadithe të Pejgamberit (Paqa e Zotit qoftë mbi të!), shenja të cilat i paraprijnë kijametit, që do të ndryshojnë rrjedhat e historisë së njerëzimit si dhe ndryshime në sistemin e kozmosit, me ç’rast do të ketë edhe ndodhi jashtëzakonisht të veçanta të pakapshme për logjikën e njeriut.
Një numër i madhë popujsh dhe qytetërimesh besojnë në “fundin e botës” apo “Ditën e fundit” pavarësisht doktrinave të tyre fetare, “Ditë” e cila asnjëherë më parë nuk ka ndodhur në historinë e njerëzimit, në të cilën do të ndodhë shkatërrim masiv në tokë dhe kosmos, që pas saj të vijë një jetë e re, ringjallje, llogari, dhe vendosje përfundimisht në Xhenet apo Xhehenem.
Dhe secili religjion apo sekt ka paraparë për këtë një skenar se si do të duket kjo përafërsisht, këtë e përshkruan edhe Kurani fisnik në detale në disa sure të caktuara, si përplasja e trupave qiellorë, tërmetet shkatërruese, uraganet e ndryshme etj. Që do të thotë që kjo temë e cila me të madhe trajtohet kohëve të fundit nuk është diç e re dhe e panjohur për njerëzit, ngaqë disa sekte okultiste kishin paraparë ndodhinë e saj edhe më herët e që përfundoi me pasoja fatale për idhtarët e sektit në fjalë, duke bërë vetëvrasje kolektive, siç është krijuar sot një pasiguri tek individë dhe sekte okultiste.
Populli majan ngritën qytetërimin e tyre në Amerikën e Mesme para 2000 e më tepër vitesh para erës sonë. Ishin të mrekullueshëm në astronomi, dispononim me kalendar astronomik i cili përfundon më 21 dhjetor 2012. Sipas disa komentuesve parashikohet se do të ndodhë kataklizmë me përmasa botërore ku do të marrë fund jeta e njeriut. Ndërsa ekspertë dhe njohës të mirë të këtyre rrethanave japin shpjegimin se kjo ka të bëjë me përfunimin e ciklit astronomik dhe fillimit e ciklit tjetër. Ose sikur që kalendari ynë në mur përfundon në fund të dhjetorit dhe zëvendësohet me një kalendar të ri me fillim të muajit janar.
Pavarësisht aftësive të tyre në ndjekjen e lëvizjes së trupave qiellorë, ata nuk kanë mundur të parashikojnë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen pas 5000 e më tepër vitesh, e aq më pak kur tani jemi në kohën e revolucuionit shkencor. Pavarsësisht se sa ka qenë i ngritur qytetërimi i tyre asnjëherë nuk mund të matet me zhvillimin e teknologjisë në shek XXI, ku njëriu vëzhgon çdo lëvizje në natyrë e kosmos duke e saktësuar dhe cilësuar çdo imtësi edhe më të voglën.
Sipas shumicës së analistëve, qëllimi i përhapjes së këtyre spekulimeve është përfitimi material dhe pas tyre qëndron Hollivudi për të prodhuar filma të ndryshëm, siç më herët kemi qenë pre e spekulimeve, hiperbolizimeve të mediumeve duke sajuar dhe trumbetuar si rasti i “Trekëndëshi i Bermudës” etj. Ne si muslimanë duhet të besojmë bindshëm se “Dijen e Gajbit” – diturinë e fshehtë, askush nuk e di pos Allahu të Lartësuar, të mos jemi pre dhe viktimë e spekulimeve qëllimkëqija.
Për në fund, të mos harrojmë se 21 dhjetori 2012 është ditë e premte, në të cilën ditë është namazi i xhumasë, namaz me të cilin obligohen muslimanët dhe që nuk do të jetë i fundit. Dhe pas kësaj vjen 22 dhjetori 2012 dhe shumë ditë tjera të bekuara të Zotit, për aq sa ka vendosur Krijuesi i Gjithësisë të zgjasë jeta e njeriut në sipërfaqen e tokës.
Aarburg, Zvicër
06.12.2012