Namazi i grave me xhemat
PYETJA:
Selam alejkum i nderuari Mr.Bashkim Aliu kisha një pyetje: a lejohet namazi i grave me xhemat. Inshalla me ndihmoni me një përgjigje, dhe inshallah ZOTI ju shpërbleftë për mundin qe jepni.
Bashkim Aliu
PËRGJIGJA:Esselamu alejkum. Nëse e ke për qëllim që gratë të marrin pjesë në xhami dhe të falen me xhemat me imamin që i fal burrat, normalisht se lejohet. Nderkaq, nëse e ke për qëllim që gratë të falen vetë me xhemat, pra një grua të del imam i tjerave, më duhet të sqaroj sa vijon:
– Të katër medh’hebet janë të një mendimi se gruaja nuk mund të del imam i burrave.
– Nëse është fjala për dalje të gruas imam i grave, pra ku nuk ka burra, por vetëm gra, sipas medhhebit Hanefi falja e grave me xhemat mes veti është mekruh, por nëse falen, namazi i tyre është tamam. Me këtë rast, gruaja duhet të qëndrojë në mes të grave e jo të del para. Imam Kasani thotë:“Gruaja në përgjithësi bën për imam, e nëse u del imam grave, lejohet, por duhet të qëndrojë në mes tyre. Kjo, ngase është transmetuar prej Aishes r.a. se ajo u është bërë imam grave në namazin e Iqindisë dhe ka qëndruar në mes. Po ashtu, edhe Umu Seleme u është bërë imam disa grave dhe ka qëndruar në mes. Kjo bëhet edhe për atë se gratë duhet të jenë të mbuluara dhe të mbrojtura, dhe kjo është më mbrojtëse për gruan. Mirëpo, tubimi i tyre në namaz me xhemat, sipas nesh (Hanefive) është Mekruh.
Sipas Shafive falja e grave me xhemat është mustehab-e pëlqyer si falja e burrave me xhemat, dhe për këtë ka transmetuar disa hadithe. Mirëpo, komenti ynë është se kjo ka qenë në fillim të Islamit, e më pas është deroguar“(Bedai’i es-sanai’i, vëll.I, f.668).
Në medhhebin Hanbeli ka dy transmetime prej imam Ahmedit të cilat i përmend Ibn Kudame në veprën e tij El-Mugnij. Sipas njërit, është e preferuar që gruaja të bëhet imam i grave dhe të falen me xhemat, e sipas një transmetimi tjetër prej tij, kjo nuk është e preferuar.
Disa dijetarë si, Shaëbiju, Nehaiju dhe Katade, e kanë lejuar që gruaja të bëhet imam i grave dhe të falet me xhemat me gratë, por në namazet nafile e jo në namazet farze.
Ndërkaq, sipas medhhebit të imam Malikut, e të këtij mendimi janë edhe Haseni dhe Sulejman ibn Jesari, gruaja nuk bëhet imam i grave as në namazin farz e as në nafile.
Nga ajo që u tha shihet se më tepër dijetarë e lejojnë që gruaja të del imam i grave, por disa thonë se kjo është mekruh.
Allahu e di më së miri.