Ramazani, lugina e mëshirës
Hasan BAFTIJARI
“O ju që besuat,agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare: 183 )
Edhe një herë fryn era e mirësisë dhe mëshirës së Zotit, dhe freskon zemrat që presin dhe kanë dëshira. Tani ka filluar të bjerë shiu i Zotit që fal. Ejani ta ngopim shpirtin me këtë shi, se erdhi muaji i Ramazanit. Sa bukur është kur pjesët e trupit tonë mbushen me aromën e këndimeve, dhe sa e këndshme është kur nisemi drejt luginës së sigurt të mëshirës Hyjnore. Edhe një herë zemrat tona do të jenë mysafirë të ambientit hyjnor, ambient i cili do të na ballafaqojë me një lumturi dhe të vërtetë madhështore. Nga larg vjen një tingull që vendoset në zemrat e njerëzve dhe lajmëron për afrimin e muajit të madh dhe bujar. Vjen muaji i Ramazanit, si gjithmonë, me plotë bereqet dhe mëshirë. Jemi afruar muajit të bekuar të Ramazanit. Dielli i Ramazanit shndrit mbi qiellin e zemrave tona, pra ejani që të shfrytëzojmë këto rreze të kësaj mëshire. Sa kënaqësi ka kujtimi i Zotit në këto ditë dhe këto net të cilat nuk mund të gjenden në asnjë kohë tjetër. Pra të shpejtojmë që të pastrojmë zemrën dhe shpirtin tonë nga mëkatet dhe t’i mbushim ato me mirësi.
Në të njëjtën kohë me ardhjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, para nesh ndodhen ngjarje shumë me vlerë dhe të veçanta. Nga Zoti kërkojmë që të na mun¬dësojë të dimë vlerën e këtyre ditëve dhe netëve dhe t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë. Ne u urojme te gjithëve fillimin e këtij muaji të shenjtë.
Thuhet se i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kah fundi i muajit Shaban i përgatiste njerëzit për ardhjen e muajit të Ramazanit. Ai me këshilla të mira kështu i përgatiste zemrat për pranimin e miqësisë hyjnore:
“O njerëz! Drejt jush është nisur muaji plotë bereqet, mëshirë dhe falje nga Zoti, muaji i cili tek Zoti është më i dashur nga të gjithë muajt. Ditët e këtij muaji janë ditët më të mira, netët janë netët më mira dhe orët e këtij muaji janë orët më të mira. Është muaji ku jeni të ftuar në mikpritjen e Zotit, dhe jeni nderuar dhe mëshiruar nga Ai. Në këtë muaj frymëmarrja juaj ka sevapet e tërheqjes së tesbihëve dhe përmendjes se Zotit, edhe gjumi juaj në këtë muaj shpërblehet njëjtë si lutjet. Në këtë muaj, sa herë që të ktheheni drejt Zotit, lutja juaj pranohet. Me fytyrë të qeshur dhe besnike dhe me zemër të pastër kërkoni nga Zoti i madhërishëm që t’ju nderojë dhe t’ju mundësojë të agjëroni dhe lexoni Kur’an. Sepse, ai që ngelet jashtë mirësisë dhe mëshirës së Zotit në këtë muaj, është fatkeq dhe i humbur”.
Agjërimi e mëson njeriun ta respektojë gjithmonë amanetin, fshehur, apo hapur, sepse s’ka vëzhgues tjetër veç All-llahut që të sigurojë shmangien prej ngrë¬nies e pirjes së gjërave të lejuara përveç Atij. Personi që agjëron respekton kufijtë e All-llahut nga mëngjesi gjer në mbrëmje.
Era e këndshme e jetës dhe shpirtëdhënëse e Ramazanit është një nga këto çaste që i falë sërish shpirtit të njeriut aftësi. Muaji i bekuar i Ramazanit i ngjan një universiteti i cili punon vetëm një muaj gjatë vitit dhe sjell mësime shumë të dobishme, por njeriu nuk ka mundësi të ndërtojë një universitet të tillë. Mirëpo, fjala e Zotit ka ndikuar aq thellë në zemrat e musli¬manëve, sa që edhe pas kalimit te 14 shekujve nga shpallja e ajetit të agjërimit profetit Muhammed, në muajin e mëshirës ky universitet rihapet me miliona studentë në pika të ndryshme të botës.
Agjërimi është punë me shumë dobi, për të cilin ka nevojë edhe shpirti edhe trupi i njeriut. Agjërimi zbutë zemrën e njeriut, forcon vullnetin dhe kontro¬llon epshet e njeriut. Zoti urdhëroi për agjërim, në mënyrë që njeriu gjatë agjërimit të forcojë besimin dhe drejtohet drejt moralit të mirë.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Agjërimi është mbrojtje për agjëruesin, çdonjëri prej jush që është duke agjëruar të mos thotë fjalë të këqija dhe të mos ngrejë zërin nga agresioni dhe armiqësia, dhe çdoherë që dikush ta ofendojë atë ose ta ftojë që të përleshet, ai (agjëruesi) të thotë: Unë jam agjërueshëm”.
Agjërimi, së bashku me dobitë e panumërta të tij, ndi¬hmon forcimin e shpirtit dhe vullnetit dhe sjell kënaqësinë shpirtërore, pastërtinë dhe devotshmërinë e agjëruesit. Në të vërtetë, agjërimi është ushtrim i dobishëm për ndalimin e njeriut nga dëshirat e përkohshme. Si rezultat i agjërimit, tek njeriu paraqitet një lloj vetëpërmbajtje dhe fuqie për rezistencë, përballë punëve të papëlqyera dhe të kota, fuqi kjo, e cila njihet si devotshmëri.
Dijetari i shquar Muhammed Gazali thotë:
“Agjërimi është një obligim i vështirë, por rrënjos tek njeriu ideale të larta, i nxit të kryejnë vepra të mira dhe të largohen nga çdo e keqe. Agjërimi i mëson nje¬riut të vlerësojë dhe shpresojë vetëm për atë që është e lëvdueshme dhe të heq dorë nga ajo që është e ulët. I mëson si të jetë i gatshëm dhe i shpejtë për të kryer atë vepër që e kënaq Zotin e tij, dhe të braktisë gjithçka që bëhet shkak për zemërimin e Tij“.
Muaji i Ramazanit, përmes agjërimit dhe disa elementeve të tjera që janë veçori e këtij muaji, thërret në solidaritet dhe e mëson njeriun të jetë bamirës. Kështu, gjatë Ramazanit, besimtari duke agjëruar e kupton gjendjen e skamnorëve, e kupton se ç’do të thotë të mos kesh çka të fusësh në bark, për atë, ai, pas agjërimit, bëhet më solidar, më bamirës ndaj të tjerëve, më i interesuar për gjendjen ekonomike dhe materiale të vëllezërve të vet, gjë që në fakt paraqet thelbin e besimit islam.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Agjërimi është mbrojtje nga zjarri i Xhehennemit. Secili që agjëron, le të mos sillet me pakuptimësi kur agjëron, e nëse ndonjë sillet me pakuptimësi ndaj tij, ky le të mos e ofendojë e as le të mos e fyej, por le të thotë: Unë jam agjërues. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek All-llahu sesa era e miskut”. (Hadithi është i saktë, e transmeton Nesaiu).
Në këtë kontekst, dijetari me famë i shekullit të kaluar, Muhamed Gazali, thotë: “Islami e bëri të obligueshëm agjërimin, me qëllim që njerëzit të stërviten për të zotëruar epshet e tyre, të mos u nënshtrohen, por t’i kontrollojnë ato”.
Në çdo shtëpi, në çdo xhami dhe madje në mbarë popullin musliman, mbizotëron një atmosferë e veçantë. Muslimanët mezi e presin ardhjen e Ramazanit, dhe ndjejnë një lloj trishtimi kur ditëve të këtij muaji u vjen fundi. Le të fillojmë të jetojmë një muaj devotshmërie në këtë Ramazan, me qëllim që t’i shmangim gjembat që na zënë udhën në formën e tundimeve që i hasim si në mendje ashtu edhe në shoqëri. Ta shtojmë studimin e Kur’anit në këtë muaj. Thuhet se, kur do dikë, di edhe imtësitë më të hollësishme që ai thotë, se çka i pëlqen dhe çka nuk pëlqen. Kësisoj, si mund të pohojmë se e duam All-llahun e Madhërishëm, kur ende dimë shumë pak rreth mesa¬zhit të Tij dhe mirësive që na ka dhuruar?! Ramazani është një rast i rrallë për një reflektim të thellë në mesazhin e Kur’anit. Muaji i Ramazanit është moment i fillimit të shpalljes së Kur’anit, prandaj edhe quhet muaji i Kur’anit, i shpalljes, i pejgamberisë. Gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit çdo njëri mundohet që të gjej ndonjë rrugë dhe mënyrë për t’iu afruar Zotit. Muaji i Ramazanit është muaji i lutjes dhe vazhdimit të marrëveshjes me Zotin; muaj në të cilin, robi, në prezencë të Zotit, pastron zemrën dhe shpirtin nga papastërtitë, dhe me respekt dhe afrim tek Ai e shkatërron murin e mendjemadhësisë. Mjafton që njeriu të ulet në tryezën e mirësive shpirtërore të këtij muaji, dhe të përfitojë nga ajo. Tani, në muajin e bekuar të Ramazanit është shtruar tryeza e mëshirës Hyjnore, dhe Zoti i fton robërit e vet që të marrin pjesë në këtë mikpritje. O Zot, me zemër të mbushur plotë shpresë në mirësinë Tënde, jemi nisur drejt luginës së mëshirës, që të përfitojmë nga deti i pafund i mëshirës Tënde. “O Ti që ke fuqi absolute dhe dijeni mbi të gjitha gjërat; o Ti që përpos Teje nuk mund kush t’i falë mëkatet, dhe përpos teje askush nuk mund të largojë të keqen dhe shqetësi¬min; o më i mëshirshmi i mëshiruesve dhe më i Madhi i Bujarëve, dërgo mëshirë mbi Muhammedin dhe familjen e tij, dhe na prano agjërimin tonë, dhe llogarite atë ndër veprat e pranuara, si dhe vendoje atë në peshoren e veprave të mira Ditën e Gjykimit”.