Tregu i letrave me vlerë dhe mallrave (bursa)
VENDIMET E AKADEMISË SË FIKHUT ISLAM PRANË LIGËS SË BOTËS ISLAME-RABITATU-L-A’LEMI-L-ISLAMI
VENDIMET E SESIONIT TË SHTATË, I MBAJTUR PREJ 11-16 REBIU-L-AHIR TË VITIT 1404H
VENDIMI I PARË
PËRKITAZI ME TREGUN E LETRAVE ME VLERË DHE MALLRAVE (BURSA)
Falënderimi plotë i takon vetëm Allahut Një, bekimi dhe paqja e Tij qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, zotëriun dhe të dërguarin tonë Muhammedin, mbi familjen dhe gjithë shkokët e tij.
Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam e shqyrtoi çështjen e tregut të letrave me vlerë dhe mallrave (bursa), si dhe kontratave të cilat lidhen në bursë për shitblerjen e kartmonedhave, aksioneve të kompanive, obligacioneve tregtare dhe qeveritare, mallrave, si dhe kontratat e këtilla të cilat zbatohen menjëherë dhe ato të cilat zbatohen me prolongim.
Po ashtu, Këshilli i Akademisë i shqyrtoi edhe anët pozitive e të dobishme të këtij tregu në këndvështrimin e ekonomistëve dhe njerëzve të cilët janë aktiv në bursë, si dhe anët negative e të dëmshme në të.
a) Anët pozitive të dobishme të bursës:
I – Bursa mundëson treg të përhershëm ku lehtësohet takimi i shitësve dhe blerësve, aty bëhen kontrata të menjëhershme dhe të prolonguara për aksionet, fletëobligacionet dhe mallrat.
II – Bursa e lehtëson financimin e kompanive industriale, tregtare dhe qeveritare përmes shpërndarjes së aksioneve dhe fletëobligacioneve për shitje.
III – Bursa e lehtëson shitjen e aksioneve dhe fletëobligacioneve, dhe shfrytëzimin e vlerës së tyre, ngase kompanitë të cilat i nxjerrin këto gjëra, nuk i pastrojnë llogaritë e tyre për pronarët.
IV – Bursa e lehtëson njohjen e çmimeve të aksioneve, fletëobligacioneve dhe mallrave dhe varietetin e tyre në sferën e transaksioneve përmes lëvizjes së ofertës dhe kërkesës.
b) Anët e dëmshme negative të bursës:
I – Kontratat e prolonguara të cilat lidhen në këtë treg, në pjesën më të madhe nuk janë shitblerje e vërtetë ngase nuk ndodh dorëzim-pranimi i menjëhershëm ndërmjet palëve kontraktuese në gjërat për të cilat është kusht fetarisht pranim-dorëzimi i menjëhershëm i çmimit dhe mallit, apo njërit prej tyre.
II – Shitësi shet në Bursë, kryesisht, gjëra të cilat nuk i posedon, qofshin valuta, aksione, fletëobligacione apo mallra, me shpresë se do ta blejë në treg dhe do ta dorëzojë në kohën e caktuar, por pa mos e marrur pagesën me rastin e lidhjes së kontratës, gjë që është kusht në shitblerjen “selem”(me dorëzim të prolonguar të mallit).
III – Blerësi, kryesisht, blen në bursë gjëra të cilat tjetri i ka blerë pa i marrë, e poashtu edhe tjetri ia shet këto gjëra një tjetri pa mos i marrë. Në këtë mënyrë përsëritet shitblerja e një gjëje pa mos u marrur nga blerësi, derisa të përfundojë shitja te blerësi i fundit, i cili mund të dojë ta merr gjëjën e blerë prej shitësit të parë, i cili ka shitur diçka që nuk e posedon, apo e llogaritë atë për dallimin e çmimit në kohën e realizimit të shitblerjes, ditën e likuidimit. Ndërkaq, roli i blerësve dhe shitësve tjerë, gjegjësisht me përjashtim të të parit dhe të fundit, ngelet vetëm në marrjen e dallimit të çmimit në rast të fitimit, apo pagesës së tij në rast se humbin, në afatin e caktuar.
IV – Financierët e ndryshëm bëjnë monpol mbi aksionet dhe fletëobligacionet në treg, me qëllim që të dirigjojnë me shitësit të cilët kanë shitur gjëra të cilat nuk i posedojnë, me shpresë se atë gjë do ta blejnë para afatit të dorëzimit me çmim më të ulët, e me këtë u shkaktojnë telashe.
V – Rreziku i këtij tregu financiar vjen nga ajo se merret si mjet për të ushtruar ndikim në tregje në përgjithësi, ngase çmimet në këto tregje nuk varen plotësisht nga oferta dhe kërkesa reale e atyre që kanë nevojë për të shitur apo për të blerë, por çmimi në këto tregje ndikohet nga faktorë të ndryshëm, disa janë të sajuar nga ana e atyre që dominojnë mbi treg, apo nga ata që kanë monopol mbi mallrat apo mbi letrat me vlerë në këto tregje, fjala vjen lansimi i propagandave të rrejshme apo gjëra tjera të ngjashme. Ky është rreziku i ndaluar fetarisht, ngase ky rrezik çon në ndryshime jonatyrore të çmimeve, gjë që ka impakt negativ në jetën ekonomike. Sa për ilustrim do të përmendim si vijon:Financuesit e mëdhej emetojnë disa letra me vlerë prej aksioneve apo fletëobligacioneve, ashtu që si rezultat i ofertës së madhe çmimet bien. Kjo bën që poseduesit e vegjël të këtyre letrave të shpejtojnë t’i shesin me çmim më të ulët nga frika se mos ulet çmimi edhe më tepër e të jetë humbja e tyre edhe më e madhe. Si rezultat i kësaj, gjegjësisht ofertës nga poseduesit e vegjël, çmimet përsëri bien. Financuesit e mëdhej kthehen dhe i blejnë këto letra me çmim më të ulët me qëllim që ta rritin çmimin e tyre me kërkesat e shumta. Kjo çështje përfundon me fitime për të mëdhejt dhe humbja të mëdha për pjesën dërmuese, gjegjësisht poseduesit e vegjël të letrave me vlerë si rezultat i mashtrimit të tyre me emetimit jo real të letrave të ngjashme. Kjo gjë ndodh edhe në tregun e mallrave.
Nisur nga kjo, bursa ka shkaktuar debate të shumta në mesin e ekonomistëve. Këto e kanë debate kanë ardhur si rezultat i humbjes së pasurive të mëdha për një kohë të shkurtër, që në periudha të caktuara ka shkaktuar bursa në historinë e botës së ekonomisë. Nga ana tjetër, bursa ka qenë shkak i pasurimit pa mund të disa tjerëve. Kjo ka qenë shkak që gjatë krizave të mëdha të cilat e kanë goditur botën, shumë vetë kanë kërkuar që bursat të shuhen, ngase për shkak tyre humen shumë pasuri dhe përkeqësohet rëndë gjendja ekonomike për një kohë të shkurtër, njejtë siç ndodh shkatërrimi në tërmete dhe shembjet e tokës.
Nisur nga e gjithë kjo që u tha, Këshilli i Fikhut Islam, pasi e shqyrtoi esencën e tregut të letrave me vlerë dhe të mallrave (bursën) dhe kontratat e menjëhershme dhe të prolonguara që bëhen në këto tregje për aksione, fletëobligacione, mallra dhe kartmonedha, dhe debatoi për këto gjëra në dritë të dispozitave të sheriatit islam, miraton si vijon:
Së pari: Qëllimi i bursës është të ofrojë treg të përhershëm dhe të vazhdueshëm ku do të takohet oferta dhe kërkesa, si dhe blerësit dhe shitësit. Kjo është gjë e mirë dhe e dobishme, ndalon që të shfrytëzohen ata që nuk kanë përvojë e kanë nevojë për shitje apo blerje, e nuk i dinë çmimet reale, dhe nuk e dinë kush ka nevojë të blejë dhe kush ka nevojë të shet, nga ana e tregtarëve me përvojë.
Mirëpo, ky interes i qartë shoqërohet në bursë nga kontrata të ndaluara fetarisht, çështje fati, shfrytëzim dhe ngrënie e pasurisë së njerëzve pa të drejtë. Së këtejmi, nuk mund të jepet një gjykim fetar i përgjithshëm për bursën, por duhet të sqarohet tretmani juridik i transaksioneve të cilat zhvillohen në bursë, çdo njëri veç e veç.
Së dyti: Kontratat për shitje pa pritje për mallra prezente që janë në pronësi të shitësit, pranim-dorëzimi i të cilave ndodh realisht, gjë që vlen për mallrat pranim-dorëzimi i të cilëve fetarisht duhet të bëhet në vendin e kontratës, janë kontrata të lejuara, me kusht që objekti i kontratës mos jetë një mall i ndaluar fetarisht. Ndërkaq, nëse gjëja e shitur nuk është në pronësi të shitësit, atëherë në këtë shitblerje duhet të plotësohen kushtet e shitjes të njohur si “selem”. Pastaj, blerësi nuk e ka të lejuar atë gjë para se t’i dorëzohet dhe ta merr.
Së treti: Kontratat pa pritje për aksionet e kompanive dhe korporatave, kur këto aksione janë në pronësi të shitësit, janë kontrata të lejuara fetarisht, me kusht që kompanitë dhe korporatat në fjalë mos të merren në veprimtarinë e tyre me gjëra të ndaluara fetarisht, siç është rasti me bankat konvencionale, fabrikat e alkoolit, etj. Në rastet e këtilla, ndalohet të bëhen kontrata për shitje apo blerje të aksioneve të tyre.
Së katërti: Kontratat me pritje dhe pa pritje për fletëobligacionet me kamatë, të ciltdo lloj qofshin këto fletëobligacione, nuk janë të lejuara fetarisht, ngase janë transaksione të cilat bëhen me kamatë, gjë që është e ndaluar.
Së pesti: Të gjitha llojet e kontratave me pritje, të cilat bëhen për aksione dhe mallra të cilat nuk janë në pronësi të shitësit, në atë formë si bëhen në bursë, nuk janë të lejuara fetarisht. Kjo, ngase këto kontrata janë të llojit:Shitje e një sendi që nuk e posedon, duke u bazuar në artë se shitësi atë gjë do ta bleje më vonë dhe do t’ia dorëzoje blerësit në afatin e caktuar. Kjo mënyrë e shitblerjes është e ndaluar fetarisht bazuar në hadithin autentik të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.: ”Mos e shit atë që nuk e ke”. Poashtu, në këtë drejtim flet edhe hadithi të cilin e kanë shënuar imam Ahmedi dhe Ebu Davudi me zinxhir autentik se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka ndaluar të shiten mallrat atje ku blehen, derisa tregtarët t’i bartin te kafshët e transportit”.
Së gjashti: Kontratat me pritje të cilat bëhen në bursë, nuk janë të llojit të shitjes së njohur si “es-selem” që është e lejuar në të drejtën islame. Kjo, ngase në mes tyre ka dallim nga dy aspekte:
a) Në bursë, pagesa në kontratat me pritje nuk bëhet në vendin e lidhjes së kontratës, por pagesa prolongohet deri në kohën e pastrimit të obligimeve në këtë kontratë. Ndërkaq, në shitblerjen “es-selem”, pagesa obligohet të bëhet në vendin e lidhjes së kontratës.
b) Në bursë, malli i kontraktuar – duke qenë në pronë të shitësit të parë – shitet disa herë para se ta merr shitësi i parë. Me këtë është për synim vetëm marrja apo pagesa e dallimit të çmimeve në mes shitësve dhe blerësve jo realë, duke u futur me këtë në rrezik nga ana e tyre për të përfituar, gjë që është e njejtë me futjen në lojë fati. Ndërkaq, në shitblerjen “es-selem” nuk lejohet të shitet një send para se me u marrur.
Bazuar në atë që u tha, Akademia e Fikhut Islam mendon se është obligim për organet përkatëse në vendet islame që mos e lënë bursën të lirë në vendet e tyre, ashtu që pjesëmarrësit në bursë të veprojnë si të duan me kontratat e shitblerjes, pa marrë parasyshë a janë të lejuara apo jo. Ata nuk duhet të lejojnë që ata që luajnë me çmimet në bursa, të bëjnë çka të duan, por duhet ta obligojnë respektimin e mënyrave të lejuara në kontratat të cilat lidhen në të, si dhe t’i ndalojnë kontratat jo të lejuara fetarisht, me qëllim që ta pengojnë lojën me këto gjëra, që për rrjedhojë shkakton katastrofa financiare, e shkatërron ekonominë e përgjithshme dhe u sjell shumë njerëzve fatkeqësi. E gjithë e mira është në ndjekjen e rrugës së sheriatit islam në çdo gjë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dhe kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni (153)” [El-En’am:153].
Allahu mundëson sukses. Ai udhëzon në rrugën e drejtë. Bekimi i Allahut dhe paqa qofshin mbi zotëriun tonë Muhammedin, familjen dhe shokët e Tij.
Nënshkruar nga:
KRYETARI I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT
Abdu-l-Aziz Abdullah ibën Baz
ZAVENDËSKRYETARI
Dr. Abdullah Omer Nesif
SEKRETAR I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT ISLAM
Muhamed Ahmed Kamer
Pasojnë nënshkrimet e anëtarëve tjerë:
Abdullah Abdurrahman El-Bessam, Salih ibën Feuzan ibën Abdullah El-Feuzan, Muhammed ibën Abdullah ibën Sebil, Mustafa Ahmed Ez-Zerka, Muhammed Mahmud Es-Savaf, Salih ibën Uthejmin, Muhammed Reshid Kabbani, Muhammed Esh-Shadhli En-Nejfer, Ebu Bekër Mahmud Xhumi, Abdu-l-Kudus El-Hashimij, Muhamed Rushejdij, Mahmud Shit Hattab (mungoi), Ebu-l-Hasen Ali El-Hasenij En-Nedvij (mungoi), Mebruk Mes’ud El-Avadi (mungoi), Hasenejn Muhamed Mahluf (mungoi), Muhammed ibën Salim ibën Abdu-l-Vedud (mungoi).
Prej arabishtes:
Bashkim Aliu