100 vjetori i pavarësisë në dioptrinë e hixhretit
Bashkim Aliu
Viti 2012 është i një rëndësie të veçantë për shqiptarët, ngase në këtë vit kremtohet 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Kur vehet kjo ngjarje e rëndësishme në kontekst të shqiptarëve muslimanë, ky njëqind vjetor, bie në muajin e parë të kalendarit islam, gjegjësisht përkon me fillimin e vitit të ri të Hixhretit 1434, gjë që na shtynë të bëjmë një krahasim mes të arriturave pas njëqind vjet pavarësi, dhe të arriturave të shtetit që u formua pas hixhretit-emigrimit të muslimanëve në krye me të dërguarine fundit të Allahut, Muhamedin s.a.v.s. prej Mekes në Medine. Është krejt e qartë se krahasimi në shumë çështje është joadekuat, ngase flitet pëpr dy ndodhi që dallojnë në esencë dhe formë, megjithatë, me një fleksibilitet më të madh në këtë drejtim, do të mund të nënvizonim e të rikujtonim një varg çështjes të cilat kërkojnë trajtim, për të mund të ecur me dinjitet në rrugën e popujve të cilët arritën të tregohen se janë të mëdhej. Poashtu, me këtë rast, do t’i tejkalohen edhe debatet e shumta të natyrës historike, apo të ndonjë natyre tjetër, që imponohen nga palë të ndryshme rreth kuptimit të aktit të shpalljes së pavarësisë, si dhe implikimeve doktrinare, të këtij akti, sipas disa këndvështrimeve.
HIXHRETI DHE 100 VJETORI
Po qe se analizohen këto dy ndodhi, do të shihet se të dyja janë të lidhura me shtetin. Kur jemi te kalendari islam, quhet kalendar i hixhretit, ngase hixhreti i muslimanëve në kohën e të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s., është marrë si pikënisje e numërimit të viteve. Edhe pse në kohën e Omerit r.a., kur u miratua kalendari islam, pati edhe propozime të ndryshme për atë se cila ndodhi duhet të merret si pikënisje për numërimin e viteve, sipas kalendarit islam, në fund, u miratua që kjo ndodhi të jetë hixhreti, e jo ditëlindja e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., apo ndonjë ndodhi tjetër. Kjo, në mes tjerash, edhe për atë se shënon një periudhë të re në historinë islame, si dhe shënon paraqitjen e muslimanëne në arenën botërore si fuqi serioze e konsoliduar në shtet të fortë, e jo si më parë, në periudhën e Mekes, si një komunitet i shtypur në një shoqëri që dominohej nga politeistët dhe që prezantohej si qendër e politeizmit klasik.
Nga ana tjetër, festa e madhe e 100 vjetorit, ka të bëjë poashtu me pavarësimin e shtetit shqiptar. E gjithë kjo festë bëhet për shpalljen e pavarësisë së shtetit, ngase në këtë mënyrë promovohen të arriturat e popujve, si në planin politik, ashtu edhe në fushat tjera, e nuk bëhet për ditëlindjen e ndonjë personaliteti, sa do i madh të ketë qenë dhe sa do kontribut të ketë dhënë. Pra, festohet në mënyrë kaq madhështore për kauzën, e jo për individë, të cilët megjithatë e kanë vendin e vet.
Formimi i shtetit, qoftë para njëqind vjetësh, apo me rastin e Hixhretit, na bën të prekim edhe pika neuralgjike dhe çështje mjaft të dhimbshme për popullin tonë. Kështu, me rastin e Hixhretit, muslimanët formuan shtet të fortë, i cili ata i bashkoi dhe i konsolidoi, dhe ashtu të bashkuar, e shkatërruan shtetin, që atëbotë ishte simbol dhe pirg i mentalitet të betonuar me doktrinën politeiste dhe bestytni të pakuptimta idhujtare, atë të idhujtarëve arabë në Meke.
Nga ana tjetër, shqiptarët para një shekulli shpallën pavarësinë e shtetit, por, brenda një dekade, gjegjësisht brenda dekadës së fundit të shekullit XX, dy herë e shkatërruan shtetin e tyre. Herën e parë, këtë e bënë kur u rrëzua sistemi monist, ndërkaq nuk ishte e rrugës të rrëzohet dhe të shkatërrohen të mirat materiale të cilat, edhe pse modeste, ishin të popullit. Herën e dytë, e shkatërruan të mbështetur nga agjenturat e huaja që donin ta kenë në dorë Shqipërinë, si çdo herë, ndërkaq për gjithë këtë fitili u ndez me skemat piramidale, ku shumë njerëz i humbën pasuritë, e që shihet se kanë qenë të gatuara si strategji nga qarqe famëkeqe për ta destabilizuar, e pastaj për ta kontrolluar shtetin shqiptar.
Ngritja e shtetit pas Hixhretit, qe një e një rëndësie të madhe për grumbullimin e elementit islam në një vend, dhe për mbrojtjen dhe promovimin e identitetit islam dhe të strategjisë së këtij komuniteti, që ecte me hapa gjigant drejt majes së udhëheqjes së botës. Ky shtet, u bë fole e ngrohtë dhe e sigurtë për të gjithë bijtë e besës islame, u bë kible e vërtetë për gjithë ata që duan mirëqenie në këtë botë, dhe shpëtim në botën tjetër.
Nga ana tjetër, pavarësimi i shtetit shqiptar, nuk arriti t’i grumbullojë rreth vetes dhe t’i mbajë top bijtë e vet. Shumë nga zogjtë e shqipes, nuk arritën të gjejnë ngrohtësi në folenë e mëmës Shqipëri, ngase ngelën jashtë kufijve të saj administrativ. E shumë të tjerë, nuk e gjetën veten në këtë shtet, por me çanta në dorë ia mësyen botës për të kërkuar jetë më të mirë, prosperitet dhe zgjidhje të problemeve ekonomike, ngase siç thonin dhe siç thonë edhe sot shumë prej tyre, në tokën ku lindën, nuk shohinj perspektivë, jo pse toka është e tillë, por pse udhëhiqet nga të padenjë për udhëheqje. Muslimanët me rastin e Hixhretit, emigruan për ta mbrojtur identitetin dhe për të treguar si luftohet për identitetin, e për fat të keq, shumë nga shqiptarët, me emigrim u tëhuajësuan nga e vetja dhe shkojnë drejt asimilimit. Shteti nuk arrriti ti mban bijtë e vet në gjirin e vet, e me këtë edhe ta evitojë asimilimin e tyre në vendet andej apo këndej oqeanit.
Kur jemi te emigrimi, të përmendim edhe atë se muslimanët të cilët bënë hixhret në Medine, dhanë shembull të mirë në çdo aspekt. Ndërkaq, shumë prej shqiptarëve, për fat të keq, normalisht me përjashtime, dhanë shembull të keq në vendet e emigrimit, duke i mbushur burgjet dhe duke u shndërruar në shembull se si nuk duhet vepruar.
Hixhreti i cili pati për rrjedhojë formimin e shtetit islam në Medine, solli paqë dhe stabilitet në këtë vend dhe në vendet tjera, ngase me ardhjen e muslimanëve dhe me instalimin e qeverisjes islame, u shuan armiqësitë që kishin zgjatur gati gjysëm shekulli. Fjala është për konfliktet e vazhdueshme për dyzet vite me radhë në mes fiseve Eus dhe Hazrexh, konflikte këto që kishin pasoja katastrofike dhe epilog tragjik. Me formimin e shtetit dhe të qeverisjes islame, këto armiqësi, konflikte dhe zënka u evituan, edhe pse ishin të moçme dhe të thella, e me këtë u shëruan plagë që kullonin gjak vite me radhë.
Nga ana tjetër, ngritja e shtetit të pavarur, nuk arriti t’i evitojë hasmëritë brenda shqiptare edhe pas njëqind vitesh. Kështu, në Shqipëri vazhdojnë të jenë njerëz dhe familje të ngujuara për shkak të gjakmarrjes, edhe pse ka shtet, sistem, ligj dhe organe të rendit. Kanuni i Lekës, edhe pas njëqind vjetësh i sjell kokëçarje shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Poashtu, edhe pas njëqind vjetësh, shteti nuk arriti t’i shuaj inatet politike të cilat devijuan në përleshje fizike mes oponentëve politikë të të njejtit gjak, gjatë kampanjave politike dhe zgjedhjeve. Në zgjedhje, në të gjitha viset shqiptare, edhe pas një shekulli, ka rrahje, vrasje, prishje të rendit, thyerje të kutive të votimit dhe armiqësi mbi baza partiake. Ata që japin urdhëra të bëhet çmos që të arrihet fitore në zgjedhje, bile edhe nëse duhet të shkilet shqiptari që i takon opcionit tjetër politik, të njejtët bërtasin sa të munden nëpër mitinge për rrezikun që i kanoset qenies shqiptare, ndërkaq, në fakt, rreziku më i madh për shqiptarët janë pikërisht vetë ata.
Me arritjen në Medine, një nga tre punët e para që bëri i Dërguari i Allahut s.a.v.s., qe kushtetuta, e cila i rregullonte raportet mes komuniteteve në Medine, dhe e cila u njoh si Vethikatu-l-Medine (Karta e Medines). Ky dokument, është simbol i përkthimit në ligje dhe nene pozitive të mësimeve islame për mbajtjen e rendit dhe rregullimin e marrëdhënieve në shoqëri. Me këtë, u vu rend, sistem dhe u çrrënjos anarkia, abuzimi me resurse, keqpërdorimi i pozitës dhe të gjitha format e korrupsionit dhe shpërdorimit të gjërave.
Nga ana tjetër, edhe pas një shekulli pavarësi, për fat të keq, te klasa politike shqiptare, korruspioni vazhdon të paraqesë preokupim kryesor, dhe institucionet relevante ndërkombëtare, vazhdojnë t’ia tërhekin vërejtjen klasës politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë, dhe Maqedoni e në vendet tjera, për korrupsionin. Mos të flasim më për abuzimin me resurse, keqpërdorimin e pozitave dhe shpërdorimin e gjërave në përgjithësi.
Largimi i të Dërguarit të Allahut dhe muslimanëve nga Meka, nuk u bë për shkak të frikës dhe jogatishmërisë për t’u ballafaquar me sprova, por, për t’u ballafaquar me sprova më të mëdha, si dhe për t’u riorganizuar për t’u kthyer fitimtarë në tokën e tyre. Në këtë drejtim, duhet përmendur edhe mërgatën shqiptare, gjegjësisht, shumë veprimtarë shqiptarë u detyruan të largohen nga trolli i tyre në kohën e ish sistemit komunist, ngase ndiqeshin nga pushteti. Por, ata edhe pse u largtuan në perëndim, e vazhduan aktivitetin e tyre patriotik edhe në perëndim, dhe prej atje punuan për rrënimin e sistemit komunist dhe çlirimin e shqiptarëve nga thundra sllave. Ata vërshuan me demonstrata rrugët e Gjenevës, Uashingtonit, Brukselit dhe vendeve tjera. Vazhduan të ofrojnë ndihma të formave të ndryshme për vendlindjen e tyre dhe të jenë aktiv në rrjedhat politike dhe militare në vendlindje.
Këto që u përmendën dhe shumë tjera që nuk janë përmendur, janë vërejtje jo për ta nënçmuar veten, por për ta qortuar, për t’u kthyer kah e mira, e dobishmja dhe e vërteta, për t’i evituar gabimet dhe lëshimet, dhe për të qenë më të mirët. Ka edhe të arritura që janë evidente, por edhe dështimet në fusha të ndryshme janë po aq evidente. Më e keqja është se edhe pas një shekulli, nuk është bërë sa duhet. Megjithatë, vend për pesimizëm nuk ka, duhet të ecet përpara me hapa të sigurtë dhe me vizion të shëndoshë.