Rrëmbyesit e dinjitetit të muftinjve
BASHKIM ALIU
Lidhja e pushtetit me personalitetet fetare dhe raporti i shtetit dhe klasës sunduese ndaj fesë, objekteve të kultit dhe elitës fetare, paraqet temë komlekse me një lëndë interesante dhe kontraverse për nga forma, qasja, konceptimi, reflektimi, synimi dhe analiza. Kufijtë e raporteve të këtilla në historinë e mendimit njerëzor, kanë qenë variabla jo konstante për studiuesit, ngase edhe vetë interpretimi i historisë dhe rrymat filozofike, nuk kanë qenë të një natyre konstante. Si literatura fetare, poashtu edhe ajo laike e të gjitha ngjyrave, qoftë djathiste apo majtiste, e kanë trajtuar me vëmendje zhvillimin e këtyre lidhjeve, si dhe zhvillimet brenda vetë proviniencave fetare dhe laike, në kuptim të shndërrimeve që kanë pësuar në horizontin e mësimeve dhe ideve të bartësve të emrit të legjitimitetit fetar nga njëra anë, dhe mendimit përparimtar njerëzor sipas vokabullarit pasmesjetar evropian në anën tjetër, në sofistikimin e pozitës së estabilishmentit dhe elitës religjioze dhe intelektuale laike në jetën publike dhe në raport me qarqet sunduese.
Në historiografinë islame shpjegohet se shtrembërimet e futura në librat qiellorë para Kur’anit, në mes tjerash, kanë qenë edhe rrjedhojë e lidhjeve dhe influencës së pushtetit mbi klerikët, dhe në vazhdën e këtij procesi, ballafaqohemi me instrumentalizimin e klerikëve nga ana e pushtetarëve për qëllimet e veta.
Realisht, edhe në historinë islame kemi tendenca të përdorimit të dijetarëve, dhe në veçanti të muftive dhe dijetarëve me një autoritet më të gjërë në masë, për qëllimet e pushtetit. Kjo thjesht mund të ilustrohet me Haxhaxhin, por, megjithatë, dijetarët islamë kanë qenë edhe grusht i fortë kundër këtyre tendencave, dhe sa herë që ka patur tendenca të këtilla, ka patur edhe një refuzim të fortë dhe vendosmëri për mosnënshtrim ndaj pushtetarëve zullumqarë. Këtë mund ta ilustrojmë me rastin e Seid ibn Xhubejrit, i cili u sakrifikua për të vërtetën, dhe nuk pranoi të instrumentalizohet nga pushtetari zullumqar-Haxhaxhi. Po edhe në kohën më të re, veçanarisht në ndodhitë e fundit në Egjipt, kemi rikthimin e të dy tablove:edhe asaj të atyre që pranojnë të instrumentalizohen nga pushteti në emër të dijes fetare, edhe të atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë, dhe në asnjë mënyrë nuk ua puthin dorën tiranëve gjaksorë.
Ajo që ndodhi në sheshet e Egjiptit kundër protestuesve paqësor, dhe në veçanti në sheshin Rabia el-Adevije në Kajro, na flet se kemi një nostalgji të hershme te disa Egjiptasë për pushtetin e Mubarakut, kur ata bënin çka të donin dhe askujt nuk i jepnin përgjigje, nga njëra anë, dhe një nostalgji për luftimin e lëvizjeve islame nga një dorë e hekurt dhe katile, te disa regjime rajonale dhe ndërkombëtare, nga ana tjetër, që i bënin të jenë të qetë se ka kush i vret idetë dhe i frenon lëvizjet përparimtare që paraqesin një opsion ndryshe prej atij joautokton të ish pushtetit të diktatorit Mubarak, dhe pushtetit të tashëm të grabitur të huntës ushtarake.
Mirëpo, e keqja edhe më e dhimbshme në krejt këtë tragjedi është se krimet në sheshet e Egjiptit, mbulohen me figura fetare të cilat kanë patur pozita të larta në institucionet fetare në Egjipt. Bile, edhe shalli që e mbajnë hoxhallarët e diplomuar në universitetin e famshëm El-Ez’her në Kajro, instrumentalizohet nga krerët e grushtit të shtetit në Egjipt, për t’i justifikuar krimet e tyre mbi popullin egjiptas.
Në një inçizim, i cili nga mediumet i cilësua si i përvjedhur, ish muftiu i Egjiptit Ali Xhumua, në një tubim të ushtarakëve në Egjipt, u drejtohet ushtarakëve duke i thirrur që t’u mëshojnë protestuesve, t’i shpartallojnë, ngase në ëndër i është treguar atij dhe evlijave tjerë që ai i njeh, se Pejgamberi a.s. është i kënaqur me atë që bën krimineli Sisi dhe klani i tij bastard ushtarak. Ish muftiu i Egjiptit, i nxit ushtarakët të bëjnë krime mbi popullatën duke ju thënë “lum për ata nëse i vrasin ata protestues, apo vriten nga ata”. Pra, në të dy rastet, ata janë të fituar dhe kanë shpërblime të mëdha, në bazë të ëndrave që i ka parë ai dhe evlijatë tjerë të karakterit të tij.
Vërtet, kjo është lojë, nëpërkëmbje dhe tallje me njerëzit të cilët në opinion njihen si dijetarë të fesë, bile edhe kanë patur pozita të larta në institucionet fetare. Kjo është papërgjegjshmëri e llojit të vet nga njerëzit e këtillë, e bile e shpalos edhe djallëzinë e shumë personaliteteve që mbanë shalla në kokë, me të cilët simbolizohen dijetarët islam. Edhe më tepër, kjo është nëpërkëmbje e dinjitetit të diejtarit, të Ez’herit, pozitës së muftiut dhe dijes së sheriatit. Në këtë formë të lejohet vrasja e njerëzve në emër të fesë, në bazë të ëndrave, është kulmi i poshtërsisë, xhehlit, joseriozitetit dhe jostabilitetit në fe, e mos të flasim më se është veprim edhe i sanksionuar me të gjitha ligjet, ngase është nxitje për vrasje dhe krime mbi njerëzit.
Mirëpo, ajo që duhet të ndalemi për një çast është inçizimi dhe cilësimi i këtij inçizimi si i përvjedhur. Unë mendoj se ky nuk është inçizim i përvjedhur, por është i lëshuar në opinion qëllimisht nga ana e vetë puçistëve në Egjipt. Pas krimeve të cilat i bënë mbi egjiptasit, ata e lajnë veten nga fajet duke ua mveshur këtë faj vetë atyre të cilët njerëzit i njohin si dijetarë. Së pari e instrumentalizojnë ish muftiun kur e çojnë të flet para ushtarakëve se kanë të drejtë të vrasin protestues, ngase janë prej lëvizjes së Vëllezërve Muslimanë, pastaj, përsëri e instrumentalizojnë ish muftiun, duke i lëshuar bisedat e tij në opinion që t’u thonë njerëzve se ata nuk kanë vepruar kështu me kokën e vet, por kështu i kanë mësuar dijetarët e fesë, bile vetë muftiu. Po këtë nuk e bëjnë në emër të tyre, por e lëshojnë në opinion fshehtazi dhe e cilësojnë si të përvjedhur, që mos demaskohen se pikërisht ata qëndrojnë pas këtyre lojërave të fllkiqta dhe denigruese. Poashtu, mendoj se djallëzia e klanit ushtarak puçist në Egjipt nuk përfundon në nëpërkëmbjen e personalitetit të personaliteteve të cilët kanë patur pozita të larta në institucionet fetare, me veprimet e këtilla, por i insturmentalizojnë edhe për çështje tjera edhe më të rrezikshme. Me këtë veprim dinak, ata tentojnë që ta ngjallin mllefin e popullit, në veçanti atyre të cilët janë më të dhënë në fe, dhe ndoshta mos do të ndikojnë që ndonji besimtar i devotshëm të preket nga fjalët e ish muftiut, dhe të bëjë atentat ndaj tij. Me këtë, ata do ta heqnin qafe një njeri të ngarkuar me mëkate nga gabimet e qëndrimeve të tij dhe të tejkalimit të kufijve të dijes islame, si dhe pastaj, atentatin eventual, do ta venin në shërbim të kompromitimit të imazhit të njeriut të dhënë në fe dhe shpalljes së tij për renegat dhe antiatdhetar, prapanik dhe kriminel, dhe me këtë do të arrinin të marrin në qafë shumë njerëz të pafajshëm të njohur për përkushtimin e tyre fetar, duke u justifikuar me heqjen qafe eventuale të ish muftiut. Kështu veproi edhe katili i Sirisë,, krimineli biri i kriminelit, Beshar Asadi, me shejh Butin, të cilin pasi e shtrydhi mirë të flet në favor të tij, e vrau në xhami, që pastaj, t’i akuzojë opozitarët militantë se ata e kanë vrarë, të frustruar nga deklaratat e tij propushtetit alevit në Siri. Analiza e veprimeve të këtilla të nxjerr në përfundim të këtillë, që do duhej ta kishte patur parasyshë edhe Ali Xhumua, dhe mos e lejojë veten të bëhet vegël dhe monedhë për kursim ditor nga ana e pushtetit puçist, si dhe që është edhe më e madhja, mos e lejojë veten në këtë mënyrë t’i shtrembërojë dispozitat juridike në emër të Islamit. Falë Allahut, muhabetet dhe ëndrat e tij janë demantuar nga dijetarët të cilët nuk ua puthin dorën pushtetarëve, por ajo që dhemb është shndërrimi i këtij njeriu në vegël dhe lodër për lojë, në dorë të rrëmbyesve të dinjitetit të dijetarëve.