Nga dita e premte e deri në të dielën, 23-25.02.2018, Bashkësia Islame „El-Hidaje“ në hapësirat e veta shënoi Përvjetorin e xhamisë, respektivisht 26 vjetorin e themelimit të saj.
Në këtë vit ishin paraparë disa aktivitete, duke përfshirë dy ditë me radhë, të xhumanë në drekë dhe në mbrëmje, si dhe në ditën e diel, me takimin rinor në mbrëmje.
Me datë 23 shkurt, 2018, pas namazi të xhumasë, kryesia e xhamisë bëri një aksion me zbritje të çmimit të librave që gjenden në Librarinë e xhamisë.
“Ideja e kësaj është që xhemati të nxitet për t’u furnizuar me libra, por njëkohësisht të promovohet edhe rëndësia e dijes dhe shprehisë se leximit”, u shpreh imami i xhamisë, hfz. Mehas Alija, gjatë fjalimit të tij në hutbenë e xhumasë.
Një aktivitet të tillë xhemati e mirëpriti shumë mirë dhe në mënyrë masovike iu përgjigjën thirrjes që të blejnë libra.
Në mbrëmjen e ditës së xhuma u mbajt Tribuna fetare kushtuar “Ditës së xhamisë”, ditë kjo, të cilën imami i xhamisë, e quajti edhe si “dita e falënderimit”. Në këtë mbrëmje, fillimisht, u këndua sureja e Jasinit, që iu kushtua merhumëve të xhamisë, ndërkohë që pati edhe ilahi, ligjërata dhe prezantime të tjera.
Mbrëmjen e begatuan hoxhallarë dhe kryesi të xhamive përreth, më ç’rast prezent ishte sekretari i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, Enes ef. Koshi, i cili, pos urimit të tij në emër të Unionit, foli edhe rreth vlerës së xhamisë. Po ashtu, fjalë rasti pati edhe Fatmir Azemi, imam në xhaminë e Degersheimit, ndërsa imami i xhamisë së Rorschahut, Burim ef. Sherifi interpretoi dy ilahi të bukura, me të cilat dha një ndjesi të këndshme dhe gëzimi te pjesëmarrësit. Me një tjetër ilahi të bukur, u paraqit edhe kryetari i xhamisë së Rebsteinit, Fatmir Iljazi.
Në këtë mbrëmje, pos ilahive, pati edhe interpretime nga eposi ynë kulturor i këngëve patriotike, të kënduar nga mjeshtri i Brezës së Shkupit, Zylfi Kurtishi.
Në fund, pjesëmarrësit patën mundësi që të shijojnë edhe disa gjëra ushqimore dhe ëmbëlsira tradicionale të përgatitur nga vetë xhemati i xhamisë El-Hidaje.
Aktiviteti për të shënuar përvjetorin e xhamisë vazhdoi edhe ditën e diel, me 25 shkurt 2018, ku u mbajt një takim me të rinjtë e xhamisë, me ç’rast mbas faljes së namazit të akshamit, u paraqit ligjërata e veçantë “Xhenneti nga pikëpamja e mësimit islam”, të cilën me shumë qartësi dhe kompetencë e mbajti hoxha i nderuar nga Kreuzlingeni, imami i xhamisë “Hëna e re”, Mr. Rejhan ef. Neziri. Vlen të përmendet që ligjërata u zhvillua në gjuhën gjermane, pasi në mesin e pjesëmarrësve pati edhe zviceran.
Në fund, kryetari i xhamisë, Ejup Emini, falënderoi pjesëmarrësit, xhematin, aktivistët, si dhe mysafirët për ndihmën dhe prezencën e tyre në shënimin e përvjetorit të xhamisë, gjegjësisht 26 vjetorit të saj.