REAGIM
16 qershor 2015,Zvicër
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër ndjehet i obliguar të reagojë ndaj deklaratës së Koordinatorit të shtabit të Lagjes së Trimave në Kumanovë, zt. Shaban Demirit. Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër shumë seriozisht dhe sinqerisht e mori përsipër organizimin e grumbullimit të ndihmave për Lagjen e Trimave dhe për këtë arsye formoi komision të veçantë, i cili mban të drejtën të bashkëpunojë me të gjitha palët, mirëpo të përcaktojë vetë mënyrën e veprimit dhe strategjinë e shpërndarjes së ndihmave, duke i pasur parasysh udhëzimet e vetë donatorëve që të merret parasysh sasia dhe natyra e dëmit të personave në fjalë.
Unioni siguron bashkatdhetarët se shpërndarja e ndihmave materiale është bërë me përgjegjësinë dhe profesionalizmin më të madh, konform vullnetit dhe udhëzimeve që t‘u jepet përparësi më të dëmtuarve pas vlerësimit që do të bëjë komisioni i Unionit në teren.
Vlen të theksohet që nga Shtabi i Emergjencës së Lagjes së Trimave është kërkuar lista e vlerësimit të dëmeve të përgatitur nga komisioni shtetëror, por e njëjta listë nuk na është dhënë, dhe kjo shkaktoi pezmatim tek anëtarët e delegacionit të Imamëve Shqiptarë nga Zvicra.
Ne si Union, nëpërmjet ndihmave, nuk kemi synuar rehabilitimin psiqik, por kompenzimin e dëmeve materiale sepse vuajtjet shpirtërore nuk kompenzohen materialisht.
Apelojmë që palë të caktuara të mos e involvojnë Unionin në pakënaqësitë dhe llogaritë e tyre të brendshme, ngase kjo do të shkaktonte zhgënjim tek ata që çdo herë janë të gatshëm të shtrijnë dorën e ndihmës.
Kryetar i UAIS,
Nehat Ismaili