Deklaratë për shtyp e UISHZ-së lidhur me pandehjen e inkuadrimit të një xhamie shqiptare në Zvicër në veprimtari xhihadiste
Deklaratë për shtyp e Unionit të Imamëve shqiptarë në Zvicër lidhur me pandehjen e inkuadrimit të një xhamie shqiptare në Zvicër në veprimtari xhihadiste.
“Unioni i Imamëve shqiptarë në Zvicër distancohet publikisht nga veprimet individuale të personave të caktuar që shkelin rendin kushtetues zviceran, veçanërisht nëse bëhet fjalë për regrutimin e të rinjve dhe dërgimin e tyre në frontet e luftës në Siri dhe Irak.
Unioni dënon ashpër këtë aktivitet si dhe aktivitete tjera që nuk përkojnë me natyrën tolerante të popullit shqiptarë musliman, që si popull historikisht ka kultivuar tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë fetar.
Unioni i Imamëve shqiptarë në Zvicër mban llogari vetëm për qendrat islame që janë pjesë e këtij Unioni dhe për imamët që janë anëtarë të rregullt të këtij Unioni, ndërsa u apelojmë të gjithë protagonistëve të jetës fetare në Zvicër që të angazhohen në edukimin e mirëfilltë të brezave të rinj, luftimin e dukurive devijuese dhe të dëmshme për të rinjtë, avancimin e vlerave universale dhe integrimin e tyre në shoqërinë zvicerane.
Besimtarët muslimanë në Zvicër vijnë nga vende të ndryshme dhe ndonjëherë vishen me rroba që nuk janë zakon dhe traditë në Evropë, por që nuk duhet drejtuar gishtin e akuzës shkaku i veshjes së tyre, që është e drejtë themelore e tyre, sepse kjo bie ndesh me të drejtat themelore të njeriut.”
Kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër
Nehat Ismaili