Prifti Dr. Martin Haimbucher, me nxënësit e tij, viziton xhaminë El-Hidaje në SG
Me 05.02.2014, prifti i Kishës së Reformuar Katoliko-Evangjeliste nga Abtvili / SG, Dr. Martin Haimbucher, me nxënësit e tij të rinj priftërinj dhe me dy bashkëpunëtorë të tjerë, vizituan Bashkësinë tonë Islame “El-Hidaje”.
Qëllimi i vizitës ishte që të informohen më për së afërmi me gjendjen në xhami, si funksionon ajo dhe çfarë në të vërtetë e përbën atë. Gjithashtu, qëllim i tyre ishte edhe njoftimi rreth mësimeve dhe karakteristikave themelore të Islamit.
Fillimisht, mysafirët u pritën nga imami i xhamisë, Hfz. Mehas Alija, dhe nga kryetari i Këshillit të xhamisë, Zt. Qemal Rushiti, të cilët, pas një njoftimi të shkurtër në lidhje me historikun e xhamisë, u bënë një shëtitje në hapësirat e saja, me ç’rast nxënësit u informuan për strukturën dhe funksionalitetin e objektit fetar të muslimanëve.
Në mesxhidin e xhamisë, imami foli rreth domethënies së pjesëve të caktuara që gjenden në të, ku përmendi rëndësinë e mihrabit, minberit dhe të kursisë. Ai, gjithashtu, në formë praktike, shpjegoi edhe format e lutjeve të muslimanëve, sidomos, së bashku me mysafirët, ushtruan edhe faljen e dy reqatëve të namazit të sabahut.
Më pas, në klasën e Mektebit, përreth gjysëm ore, Prof. Dr. Mahir Mustafa, përmes projektorit, elaboroi temën mbi parimet e Islamit dhe rreth idesë se si mund që muslimani, me islamin e tij, të jetë i dobishëm për të gjithë, pavarësisht fesë, racës dhe gjuhës.
Takimi zgjati rreth një ore e gjysmë.
Vizitat e këtilla, me karakter bashkëpunimi dhe njohjeje me njëri tjetrin, janë të shpeshta në xhaminë El-Hidaje dhe ato nuk përbëhen vetëm se nga shkollat, fetë, etj., por edhe nga institucione të tjera kantonale.