A po vdes ndërgjegjja njerëzore?
Publikuar me: 11 Shtator 2015
Mr. Rejhan Neziri
Sot të gjithë ne u tronditëm nga fotoja e një fëmije sirian të gjetur në brigjet e detit turk. S’ka zemër njerëzore që nuk është prekur nga kjo pamje.
Këtyre pamjeve u paraprinë ato të 71 personave të mbyllur në kamionë e të lënë të vdisnin në mënyrën më mizore në Austri.
Lexojmë dhe dëgjojmë komente të ndryshme, që të gjitha fokusohen në faktin që s’po u del zot kush refugjatëve sirianë, në veçanti pse Evropa po i mbyll dyert, ndërkohë që ndërgjegjja njerëzore po zgjohet me të madhe si te politikanët ashtu edhe te popullata civile në Perëndim ndaj këtyre pamjeve çnjerëzore me të cilat ballafaqohen refugjatët sirianë në veçanti.
Shtetet evropiane po ndeshen me një valë të madhe të refugjatëve sirianë dhe përkundër marrëveshjeve ndërkombëtare/ndërshtetërore për pengimin e zbarkimit të tyre në këto shtete, prapëseprapë, siç thashë, politikanë e në veçanti OJQ dhe civilë po ua hapin krahët refugjatëve dhe i presin me ujë, ushqim e lodra për fëmijë. Secili në mënyrën që mundet dhe që di.
E gjithë kjo i lë me gishta në gojë disa islamofobë shqiptarë, të cilët më shumë ia kanë gajlen Evropës sesa vetvetes, kur pohojnë se Evropa po vërshohet nga vala e islamizimit të heshtur. Këto mahlukate me biçim njeriu e me karakter as sa edhe të kafshës, harrojnë se edhe vetë populli shqiptarë jo shumë larg e përjetoi të njëjtin ekzodus, duke vërshuar nëpër tokat shqiptare fillimisht, po pastaj edhe gjetiu nëpër botë. A thua të gjithë këta shqiptarë që aso kohe kapën rrugët e Evropës dhe të mbarë botës, ishin katolikë, për të cilët s’kishte problem vajtja dhe qëndrimi i tyre atje dhe para së gjithash nuk paraqiste rrezik dekrishterizimi për këto vende? A s’ishin shumica shqiptarë muslimanë të përvuajtur nga dhuna serbo-sllave? Me këtë rol këta islamofobë po i përngjasojnë shumë Sllobodan Millosheviqit, i cili, përderisa po vriste e çnderonte myslimanët e Bosnjës dhe të Kosovës, Perëndimit i shiste pallavra kinse po e mbronte Evropën nga islamizimi dhe turqizmi.
Me shumë të drejtë habitemi nga negligjenca e shteteve arabe dhe islame ndaj situatës së refugjatëve. Një pjesë e tyre, përpos se i ndihmuan ndezjes së zjarrit në Siri, ato edhe nuk marrin kurrfarë mase për ta mbrojtur popullatën civile. Me të drejtë pyesim, a po vdes ndërgjegjja arabe dhe islame e këtyre vendeve?
Akoma më shumë më habisin pro-shiitët, të cilët në rend të parë e kritikojnë armikun e tyre të përbetuar Arabinë Saudite, pse ajo akoma nuk ka pranuar asnjë refugjat. Me këtë rast këta tipa dëshirojnë ta mjegullojnë të vërtetën e madhe se një ndër shkaktarët kryesorë të këtij gjenocidi sirian është edhe vetë Irani. Kaq për këta tipa që paraqiten kinse po u dhimbsen refugjatët sirianë!
Përtej angazhimit me gjendjen e mjerueshme të refugjatëve sirianë, fshihet e vërteta e madhe se komuniteti ndërkombëtar po dështon në ndaljen e luftës dhe në krijimin e paqes në Lindjen e Mesme. Po dështon në ngritjen e paqes dhe në sundimin e së drejtës. Besoj se termi dështim është më i buti, në qoftë se nuk bëhet fjalë për një plan të paramenduar mirë dhe i cili po realizohet pëllëmbë pas pëllëmbe. Sërish dua të besoj se pas një motivimi nga të huajt për përmbysje të tiranëve, populli i pafajshëm revolucionar u la në baltë. Atje ku luhet vallja sipas politikave të caktuara, vazhdon mbështetja e gjithanshme, madje edhe ushtarake. Aty ku vallja dëshiron të luhet sipas vlerave të popullit vendas, e jo sipas muzikës së koordinuar paraprakisht, dështon revolucioni dhe shpresa e atij populli për më tepër liri, për më tepër barazi, për më tepër të drejta njerëzore. Aty përmbyset gjithçka, vetëm pse nuk luhet sipas rregullave të dëshirueshme nga të huajt.
Prandaj, nëse vërtet na dridhet ndërgjegjja nga pamjet për çdo ditë e më trishtuese të refugjatëve sirianë, kurdë, jeziditë, myslimanë e jo-myslimanë, atëherë çfarë është duke u bërë në drejtim të shuarjes së këtij zjarri? Çfarë po kontribuojmë ne si myslimanë dhe çfarë komuniteti ndërkombëtar në drejtim të krijimit të paqes së qëndrueshme atje dhe në mbarë botën? Përderisa nuk e kemi brengë paqen botërore, nuk do të mund ta krijojmë as edhe atë rajonale dhe vendore, e lëre më paqen personale. Të zhveshur nga kjo brengë, ne do të vazhdojmë të vrasim e të vritemi, të dëbojmë e të dëbohemi, të nënçmojmë e të nënçmohemi deri në shkallën e nënkafshërisë.