Festë për tetë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës
Publikuar me: 15 Shkurt, 2016
Bashkësia Islame Shqiptare në Regensdorf, ZH
Bashkësia islame e Regensdorfit pranë Cyrihut me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 14 shkurt 2016 në lokalet e saj organizoi një tryezë të rrumbullakët shkencore me temën “Sakrifikimi për pavarësi dhe rrugëtimi tetëvjeçar i Kosovës”, me ligjërues akad. prof. dr. Feti Mehdiun si dhe me dr. sc. Llukman Halilin.
Të pranishëm ishin edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih z. Islam Spahia, kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër mr. Nehat ef.Ismaili, drejtoresha e Qendrës për Kulturë në Zvicër e Republikës së Kosovës znj. Shukrije Ramadani, përfaqësues të LAPSH-it nga kantoni i Cyrihut, përfaqësues të medieve nga vendlindja dhe diaspora, imamlerë e kryetarë xhamish shqiptare nga Zvicra.
Mr. Ferit ef. Zekiri, imam i xhamisë së Regensdorfit
Fjalë përshëndetëse si dhe një ligjërim të shkurtër në fillim pati imami i kësaj xhamie mr. Ferit ef. Zeqiri, i cili i falënderoi mysafirët si dhe të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë kremte të madhe shqiptare. Ai më pas foli edhe për “Ruajtjen e identitetit”, me ç’rast ai dha një përkufizim të identitetit dhe foli për mekanizmat mbrojtës të kësaj komponente shumë qenësore të njeriut, duke e veçuar arsimimin në përgjithësi si dhe xhaminë si një institucion ku që nga fillimi kultivohet gjuha shqipe përmes ligjëratave, predikimeve, mësimit fetar e deri te bisedat e lira në lokalet e saj…
Akademik prof. dr. Feti Mehdiu nga Prishtina
Ligjëruesi i parë ishte dr. Feti Mehdiu, i cili foli shkurt për historikun e Kosovës edhe para se të ishte shteti i Kosovës; vendi, populli, Kosova ka qenë këtu ku është, tha ndër të tjera ai. Ai foli në veçanti për kontributin që ka dhënë dhe po jep akoma mërgata shqiptare si ajo në Evropë, ashtu edhe ajo në Amerikë e gjetiu.
Dr. sc. Llukman Halili nga Zvicra
Ligjëruesi i dytë u fokusua në kontributin dhe sakrificat që i kanë dhënë hoxhallarët në ndërtimin e shtetit të Kosovës së sotme, duke potencuar se 36 hoxhallarë kanë dhënë jetën në luftën e fundit. Më tepër, ai e nxori në pah figurën markante të molla Idriz Gjilanit dhe kontributin e tij në arsimimin fetar dhe kombëtar si dhe me angazhimin e tij të mëvonshëm drejtpërdrejtë në radhët luftarake të atyre që ishin kundër çizmes nënçmuese dhe shtypëse të kolonizatorëve serbë, bullgarë e grekë…
Gazetari Dashnim Hebibi
Disa nga të pranishmit
Tre nxënës të xhamisë recitojnë poezinë “Lutem për Shqipërinë”
Drejtoresha e Qendrës Kulturore për Zvicër, znj. Shukrije Ramadani
Kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, mr. Nehat ef. Ismaili
Gazetari i mirënjohur nga R. e Shqipërisë, z. Ferdinand Samarxhi
Pas recitimeve poetike të gazetarit Dashnim Hebibi si dhe të nxënësve të mejtepit të kësaj xhamie, fjalë përshëndetëse patën konsulli i Republikës së Kosovësz. Islam Spahia, drejtoresha e qendrës kulturore znj. Shukrije Ramadani, kryetari i UISHZ-së mr. Nehat ef. Ismaili, gazetari i mirënjohur nga Shqipëria z. Ferdinand Samarxhi, përfaqësuesi i LAPSH-it për në Cyrih z. Naser Ulaj etj.
Në fund të tryezës të pranishmit patën mundësinë të parashtronin pyetje ose të kontribuonin me bisedat e tyre rreth temës në fjalë.
Krejt në fund, xhamia shqiptare e Regensdorfit shtroi një koktej për hir të kësaj kremteje të madhe shqiptare.
Mr. Rejhan Neziri
Imam në Kreuzlingen