Hapja solemne e Qendrës Zvicerane për Islam dhe Shoqëri në Freiburg
Publikuar më: 14 qershor 2016
Më 13 qershor 2016 në Universitetin e Freiburgut në Zvicër u bë hapja solemne e Qendrës Zvicerane për Islam dhe Shoqëri, në të cilën morën pjesë ndër të tjera, edhe kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Nehat ef. Ismaili, anëtari i këshillit konsultativ i kësaj Qendre në Freiburg Rejhan ef. Neziri, imami nga St. Galleni Fehim ef. Dragusha si dhe mysafiri nga vendlindja, myftiu i Tetovës Dr. Qani ef. Nesimi.
Pas fjalëve përshëndetëse të rektores së Universitetit të Freiburgut Prof. Dr. Astrid Epiney, sekretarit shtetëror për arsim, kërkim dhe inovacion z. Mauro Dell’Ambrogio dhe kryetarit të këshillit konsultativ të Qendrës në fjalë, z. Khaldoun Dia Eddine, pasoi një diskutim i hapur me Prof. Dr. Hansjörg Schmid, drejtor i Qendrës, Dr. Serdar Kurnaz, bashkëdrejtues i Qendrës, znj. Geraldine Cassut dhe Prof. Dr. Rene Pahud de Mortanges, nën moderimin e Farida Khali, nën temën “Muslimanët në Zvicër: Mundësitë e participimit në shoqërinë civile”.
Fjalën përfundimtare e mbajti Prof. Dr. Antonio Loprieno, nga Universiteti i Baselit dhe ish drejtor i Konferencës së Rektorëve të Universiteteve të Zvicrës (CRUS).
Kryetari i UISHZ-së, Nehat ef. Ismaili si dhe imami Rejhan ef. Neziri në fund të programit patën rastin të shkëmbejnë mendime rreth nevojës së kësaj Qendre dhe misionit që e pret këtë me të pranishëm të tjerë të shumtë në këtë ceremoni, si me drejtorin e Qendrës z. Schmid, me z. Kurnaz, me znj. Esma Isis-Arnautovic si dhe me anëtarë të tjerë të këshillit konsultativ të kësaj Qendre.
Për këtë manifestim dhe rreth kësaj qendre, imamit Neziri iu ofrua mundësia të shprehet edhe për Radion e Zvicrës e cila pritet të raportojë gjerësisht rreth kësaj ceremonie.
Për më tepër rreth kësaj Qendre, vizitoni faqen www.unifr.ch/szig