Dita e hënë, 12 shtatori i vitit 2016, ishte një ditë e veçantë për muslimanët shqiptarë të qytetit të St. Gallenit në Zvicër. Në këtë ditë u festua dita e Kurban Bajramit. Ceremonia e faljes së namazit të Bajramit u zhvillua në vendin e zakonshëm të xhematit të xhamisë El-Hidaje, tanimë të njohur edhe si Musal-laja e El-Hidajes, në sallen e tenisit në Abtëil. Pjesëmarrja masovike dhe impozante e xhematit, rritën kënaqësinë dhe shtuan lumturinë e ditës së parë të Kurban Bajramit.
Dita filloi me këndimin e sures së Jasinit, e njohur ndryshe edhe nga vetë Pejgamberi a.s., si zemra e Kur’anit. Një vepër e tillë konsiderohet përkujtim për vdekurit, siç edhe imami, hfz. Mehas Alija, gjatë bërjes së duas, u lut: “O Allah, pasi që nuk mund të marrim pjesë tek varrezat në vendlindjet tona, ku i kemi paraardhësit tanë, e të lutemi për ta, sevapet dhe nijetin e këdnimit të sures së Jasinit e dedikojmë për ta.”
Suren Jasinë e kënduan, njëri talebe e xhamisë, Xhenis Elshani, dhe tjetri, xhemat i saj, haxhi Sebajdin Musliu.
Pas faljes së namazit të sabahut, të pranishmëve iu prezantua edhe një program modest me ilahije nga të rinjtë e xhamisë El-Hidaje, të cilët njihen edhe si kori i saj, e janë H. Burim Berisha, Befrim Berisha dhe Bujamin Elmazi.
Programi vijoi me ligjeratën e parë të imamit, Mehas ef. Alija, i cili kësaj rradhe, para xhematit, u paraqit me temën: “Historia e Ibrahimit a.s., si histori e familjes dhe e nënshtrimit ndaj Allahut Fuqiplotë.” Imami potencoi nevojën e madhe për ta lexuar historinë e pejgamberit Ibrahim a.s. dhe për të nxjerr mësimin e duhur prej saj, pasi, siç potencoi ai, secila histori në Kur’an ka interpretimin dhe ilaçin e kohës. Historitë e Kur’anit janë gjithëmonë aktuale dhe japin mësimin e duhur, gati për çdo situatë që mund të bie njeriu.
“Sot, bota vuan nga mungesa e familjeve të shëndosha, qofshin ato muslimane apo jomuslimane. Familja e Ibrahimit a.s., si një kujtim udhëzimi i ditëve të Kurban Bajramit, vjen me modelin e saj të përkyer prej një familje të shëndosh, të konsoliduar, të gjallë, aktive në emër të Zotit. Kujtimi i ngjarjes së familjes së Ibrahimit a.s., na flet për rolin e babës në familje, por edhe të nënës dhe fëmijës, gjithashtu.”
Falja e namazit të Bajramit u drejtua nga imami i xhamisë, i cili më pas e mbajti edhe hutben e Bajramit. Mesazhi i hutbes ishte se bajramet duhet të na ofrojnë edhe më shumë me Allahun dhe çdo problem me të, ta zgjidhim vetëm duke iu kthyer Atij.
“Përmirësimi i lidhjeve me Allahun, është faktor i zgjidhjes së problemeve të njeriut, pasi që Zoti është Ai i cili e lë njeriun të pa udhëzuar kur ai ndjehet i pavarur nga Ai, ndërkohë që e përudhë atë i cili i kthehet Atij, të Lartmadhërishmit… Problemet me të cilat sot ballafaqohet njerëzimi gati janë të pamundshme të numërohen, kurse shkaku i tërë kësaj është largimi ynë prej Allahut të Madhëruar, Zotit të gjithësisë, dhe rrugës së Tij”, tha ndër të tjerash imam Mehas ef. Alija.
Ceremonia e Bajramit u përmbyll me bërjen e duasë së Bajramit, ku të pranishmit, së bashku me imamin, u lutën për familjet e tyre dhe për të gjithë muslimanët e botës.