Në kuadër të bashkëpunimit midis Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) dhe Qendrës Zvicerane për Islam dhe Shoqëri (SZIG) më 18 mars 2017 në xhaminë shqiptare në Regensdorf u zhvillua seminari i dytë, kësaj radhe me anëtarë të kryesive të xhamive shqiptare, me mbitemën “Shoqatat muslimane si aktore shoqërore – komunikimi dhe puna me mediat”. Seminari i parë u mbajt më 21 janar 2017 me imamët që për mbi temë kishte “Magjepsja ndaj dhunës? Preventiva dhe masat parandaluese”.
Në seminar morën pjesë 30 kryetarë dhe anëtarë kryesie nga mbi 20 xhami shqiptare të Zvicrës, kryetari i UISHZ-së mr. Nehat ef. Ismaili, imami nga Kreuzlingeni, koordinator për këto seminare, mr. Rejhan ef. Neziri si dhe imami nikoqir mr. Ferit ef. Zekiri.
Në fillim punonjësja shkencore pranë SZIG, znj. Andrea Lang, e shoqëruar nga doktorantja znjsh. Arlinda Amiti, e prezantoi programin e seminarit dhe më pas kaloi në prezantimin e vetë Qendrës SZIG.
Ligjërues në këtë seminar ishin z. Simon Hehli, gazetar pranë NZZ, i angazhuar kryesisht për çështje të fesë dhe të kishës, si dhe z. Pascal Gemperli, i konvertuar në Islam qysh në rini të tij dhe i cili momentalisht është kryetar i Unionit të Organizatave Muslimane në Kanton Vaduz (UVAM), zëdhënës i FIDS-it si dhe mediator i pavarur.
Para se ligjëruesit të fillonin me ligjëratat e tyre, moderatorja znj. Lang kërkoi nga të pranishmit që në grupe brenda pesë minutave t’i diskutonin katër tezat në vijim:
1. Shoqatat islame/xhamitë nuk janë të gatshme për interesimin e mediave,
2. Shoqatat muslimane tregojnë shumë pak transparencë ndaj mediave,
3. Gazetarët janë të interesuar vetëm për çështje sensacionale,
4. Mediat shfaqin gjithnjë qëndrime armiqësore ndaj Islamit.
Më pas në një diskutim plenar u diskutuan këto teza duke shprehur mendimet e grupeve lidhur me to. Konstatimet ishin se jo të gjitha xhamitë dhe shoqatat muslimane janë të gatshme për t’u përgjigjur kërkesave të mediave, jo pse nuk duan, por pse u mungojnë kuadrat për këtë. Ndërkaq, parimisht të gjitha xhamitë janë të gatshme për kontakt dhe bashkëpunim me mediat. Ato janë transparente dhe tanimë vetëm se e bëjnë këtë në nivel lokal dhe me mediat lokale. Për mediat kantonale apo nacionale xhamitë dhe shoqatata muslimane janë interesante vetëm ose kryesisht vetëm kur janë në pyetje temat që shkaktojnë një sensacion të madh dhe kjo, ndër të tjera, edhe për shkak se mediat e printuara po humbasin gjithnjë abonuesit e tyre, të cilët kohëve të fundit në masë të madhe janë të orientuar drejt mediave online. Lidhur me këtë, në pyetje vijnë temat që kanë lidhje me Islamin dhe me muslimanët anekand botës, shpesh ndeshim në lajme apo artikuj që Islamin dhe muslimanët i paraqesin gjithnjë në fokus të së keqes. Natyrisht jo të gjitha mediat e bëjnë këtë.
Pas një diskutimi 30 minutësh lidhur me këto teza, fjala iu dha gazetarit z. Simon Hehli, i cili foli për temën “Muslimanët dhe Islami në mediat zvicerane”.
Gjatë ligjërimit dhe sidomos pas ligjëratës të pranishmit i parashtruan gazetarit Hehle pyetje të shumta lidhur me gazetarinë, funksionimin e drejtë të punës së tyre, cilat janë të drejtat e të intervistuarve etj.
Ligjëruesi i dytë ishte z. Pascal Gemperli i cili foli për temën “Puna me mediat te organizatat muslimane”.
Në sesionin e pasdites seminari vazhdoi me dy workshope. Në njërin ligjëroi z. Pascal Gemperli lidhur me temën “Përpunimi i përpjekjeve të para për një strategji me mediat”, kurse në tjetrin ligjëroi z. Simon Hehli lidhur me temën “Hartimi, përpilimi i një komunikate për mediat”.
Si për organizatorët ashtu edhe për pjesëmarrësit kjo ditë i cilësua si shumë e suksesshme me ç’rast u vu në dukje shpresa që edhe në të ardhmen të vazhdohet me trajnime të ndryshme për të cilat kanë nevojë si imamlerët ashtu edhe udhëheqësit e xhamive këtu.
Rejhan Neziri
18.03.2017