Dr.Bashkim Aliu
Muaji Shaban është muaji i tetë i kalendarit të Hixhretit, gjegjësisht është një muaj para muajit madhështor të Ramazanit, muajit të mëshirës dhe faljes. Pozita e tij para muajit të Ramazanit, pa dyshim se të bën të mendosh më thellë për këtë muaj dhe misionin e tij për umetin islam, gjegjësisht reflektimin e tij në jetën e gjithmbarshme të umetit. Vërtet, po të ndaleshim gjërësisht të flisnim për muajin Shaban dhe ndodhitë në të, do të shihnim se i ngjanë një dite shumë të gjatë ku dielli i urtësive perëndon vonë, por ne këtu do të mundohemi të elaborojm shkurtimisht tre segmente në të cilat reflekton ky muaj, që të shohim se njëmend është gurrë e vërtetë mesazhesh për umetin islam.
SEGMENTI I ADHURIMIT
Në segmentin e adhurimeve praktike të besimtarit, përndryshe e gjithë jeta e besimtarit duhet të jetë adhurim, dhe nocioni adhurim është shumë ma i gjërë se sa format praktike të zbatimit të detyrave, muaji Shaban është një pik e rëndësishme në hartën e pasurimit të jetës së besimtarit me adhurim dhe vepra me të cilat është i kënaqur Allahu Fuqiplotë.
Muhamedi, paqa dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, është shembulli më i shkëlqyer të cilin duhet ndjekur në mënyrën e shfrytëzimit të muajit Shaban në adhurim.
Në këtë muaj, i dërguari i Allahut ka agjëruar shumë, normalisht jo gjithë muajin, sepse këtë e ka bërë vetëm në Ramazan, por shumë ditë të tij. Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka treguar se i dërguari i Allahut jashta Ramazanit, më së tepërmi agjëronte në muajin Shaban, bile ajo shprehet se aq gjatë agjëronte, sa që mendonim se nuk do të ndalet së agjëruari. Ja si shprehet Aisheja r.a. në transmetimin vijues:”I dërguari [paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të] agjëronte, derisa mendonim se kurrë s’do ta ndërpriste atë, dhe nuk agjëronte, derisa mendonim se kurrë më s’do të agjëronte. Kurrë nuk kam parë të dërguarin e Allahut të agjërojë për një muaj të tërë, përveç në Ramazan, dhe kurrë nuk kam para atë që të agjërojë më shumë se në Shaban” “. (Hadithin e kanë shënuar:Buhariu dhe Muslimi).
Në transmetimin tjetër të Muslimit qëndron: “E agjëronte gjithë Shabanin, përveç një pjesës së vogël”. “
Agjërimi i të dërguarit të Allahut në muajin Shaban, pa dyshim se e thekson në veçanti vlerën e këtij muaji për agjërim dhe vepra tjera të mira.
Shiquar në përgjithësi, adhurimet synojnë që të formojnë personalitet të fortë të besimtarit, njeri të kompletuar me virtyte madhore dhe qenie pozitive me rol konstruktiv në shoqëri, gjegjësisht të dobishëm për vetveten dhe për të tjerët. Personalitet të gatshëm për t’i kryer detyrat ndaj Krijuesit, dhe imun ndaj lajkave të djallit dhe stuhive turbulluese të epshit që e devijojnë njeriun dhe e shpiejnë në rrugë qore.
SEGMENTI SHËNDETËSOR
Është e vërtetë e pamohueshme se adhurimet në fenë islame, krahas karakterit fetar, kanë edhe dobi tjera për njeriun që i praktikon, e në mesin e këtyre dobive, në këtë rast, do ta veçojmë dobinë shëndetësore.
Këtë të vërtetë e kanë sqaruar edhe mjekët nga këndvështrimi medicinal duke renditur disa dobi shëndetësore të agjërimit për njeriun. Normalisht, këtu nuk kemi për qëllim të ndalemi në shtjellimin e tyre, por përmes kësaj duam të dalim në mesazhin e muajit Shaban për shëndetin e njeriut.
Agjërimi në muajin Shaban, krahas dobisë shëndetësore që sjell agjërimi në veti, ka edhe mesazhin tjetër shëndetësor, gjegjësisht atë se agjërimi bëhet në muajin që është para Ramazanit.
Pjesa më e madhe e muslimanëve, normalisht duke i patur parasyshë përjashtimet, pak agjërojnë jashta muajit të Ramazanit, dhe gjatë njëmbëdhjetë muajve e mësojnë organizmin vazhdimisht me ushqim. Kështu, kur vjen Ramazani, në ditët e para, ata hasin vështirësi, për shkak se e thejnë rutinën vjetore të ushqimit, e disa prej tyre ndoshta edhe ballafaqohen me probleme shëndetësore si rezultat i dobësisë së organizmit. Për këtë, agjërimi në muajin Shaban, ka domethënie shëndetësore ngase e përgatit organizmin dhe e përshtat për muajin e Ramazanit. Kjo vlen në veçanti për ata të cilët kanë ndonji dobësi trupore. Nëse agjërojnë në mujain Shaban, si që ka vepruar edhe i dërguari i Allahut s.a.v.s., në ditët e para të Ramazanit nuk do të hasin vështirësi, ngase veç janë parapërgatitur në muajin Shaban.
Pra, muaji Shaban, krahas mesazhit parësor fetar të adhurimit, ka edhe mesazh shëndetësor për njeriun, që në veçanti duhet ta analizojnë ekspertët e mjekësisë.
DREJT REFORMIMIT TË UMETIT
Gjendja në të cilën gjindet umeti islam në këtë kohë, normalisht se nuk është mbreslënëse dhe nuk paraqet reflektim të mësimeve të Kur’anit dhe Sunetit. Ky umet madhështor që mbajti shekuj me rradhë lartë bajrakun e përparimit në të gjitha fushat e jetës, sot është në gjendje të mjerueshme në disa aspekte, bile, imagjinoni, ne si umet i fjalës “ikre”, kemi suficit të analfabetizmit në rradhët tona, në kohën kur tjerët flasin për luftë yjesh dhe postmodernizëm.
Natyrisht, shpresat nuk duhet humbur dhe nuk guxojmë të ngelim në vend, por duhet punuar për të dalë nga gjendja e palakmueshme. Në këtë drejtim mesazh të rëndësishëm jep edhe muaji Shaban.
Muaji Shaban, në cilësi të përgatitësit të besimtarit për muajin e bekuar të Ramazanit, jep mesazh se muslimani çdo herë duhet të jetë i përgatitur dhe të bëjë plane para se të niset ta bëjë një punë, e jo të niset pa plan dhe pa qëllim se ku don të arrijë. Gjërat që nisen pa përgatitje dhe pa plan, nuk sjellin rezultate të pritura, apo janë të gjykuara me humbje.
Planifikimi, programi dhe përgatitja e duhur para se të fillohet diçka, janë nocione që mungojnë përmbajtësisht në mesin e muslimanëve. Nëse marrim shembull nga përditshmëria e muslimanëve, do të shohim se njëmend përgatitja mungon dukshëm. Kështu, kur nisemi të shkojmë diku në udhëtim, deri në momentin e fundit nuk i kemi mbledhur gjërat që na duhen, dhe personi që na prêt vazhdimisht na rikujton të shpejtojmë që mos na ikë aeroplani apo autobusi, sepse jemi vonë, e ne i themi:Ja, edhe një moment dhe nisemi. Pra, paraprakisht nuk qenkemi përgatitur për udhëtim, por edhe në momentet e fundit na ka ngelur diçka që duhet ta marrim me vete.
Kjo, për fat të keq, vërehet edhe në instanca tjera. Kështu, nuk është fshehtësi se dëgjon ligjërues që thonë se deri para ditës së Xhuma nuk e di çka t’u flas xhematit. Duke shkuar në xhami do të më kujtohet diçka. Ose, nëse pyet një profesor se a përgatitet për lëndën, gjen të atillë që thonë se e kan bërë përmendsh librin, ngase disa vite me rradhë janë duke e ligjëruar të njejtin material, për atë edhe nuk ka nevojë të përgatitet. Gjegjësisht, thonë:”Besom, as që e kam prekur librin”.
Po qe se fillojmë të numërojmë raste të këtilla, lista do të na dilte bukur e gjatë, por ne nuk kemi për qëllim të zgjerohemi në këtë drejtim, vetëm deshëm që të sjellim disa shembuj sa për ilustrim.
Umeti Islam, nëse don të dalë nga gjendja e këtillë, duhet të kthehet në porositë e Kur’anit dhe Sunetit dhe t’i zbatojë ato me përpikshmëri në jetë. Allahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë na ka urdhëruar që të përgatitemi. I Lartmadhërishmit ka thënë:<> [El-Enfal, 60].
Jeta e të dërguarit të Allahut, paqa e Allahut qoftë mbi të, ka qenë përkthimi ma i mirë praktik i porosisë së Allahut të Madhërishëm për përgatitje, e ne si ndjekës të tij, duhet ta ndjekim edhe në këtë plan.
Po ashtu, agjërimi i të dërguarit të Allahut, paqa e Allahut qoftë mbi të, në muajin Shaban, një muaj para Ramazanit, flet qartë se muslimani duhet të jetë i përgatitur, t’i planifikojë gjërat para se t’i fillojë dhe të bëjë prova për të konstatuar se ku gjendet në raport me kryerjen e detyrës që e prêt.
LLOGARITJA E VETES
Një nga problemet më të mëdha të muslimanëve, jo vetëm sot, por edhe në të kaluarën, është mosllogaritja e vetes, gjegjësisht analiza e asaj që ka bërë, qoftë brenda ditës, brenda vitit, dekadës po edhe gjatë jetës. Shumë pakë musliman ulen në mbarim të ditës dhe i analizojnë veprimet e tyre gjatë asaj dite, apo në fund të vitit dhe e bëjnë bilansin e asaj që e kanë bërë deri atëherë, gjegjësisht shumë pakë nga muslimanët bëjnë llogari dhe analiza që të dalin me konkluzione se ajo që e kanë bërë a ka qenë e favorshme për ta, për fenë, moralin dhe jetën e tyre, apo e disfavorshme. Për fat të keq, shiquar në përgjithësi, te pjesa më e madhe e muslimanëve, jeta kalon pa llogaritje, i është lënë stihisë dhe fatit, apo si që thuhet shpesh:Ditë e re, nafakë e re. Me këtë rast, ata nuk mërziten për atë që u ka kaluar jo vetëm në aspektin material, por edhe në atë fetar, nuk kanë dert se u kaluan namaze dhe orë e ditë, apo javë e muaj, pa e përmendur Allahun dhe pa e shtuar konton e punëve të mira.
Islami e thërret besimtarin që ta llogarisë veten dhe të bëjë analizë dhe bilansin e asaj që e ka punuar, e jo mos të ketë qasje dhe mos t’i interesojë rezultati i mbarimit të ditës, të javës, të muajit, vitit dhe jetës në përgjithësi. Qëndrimi i këtillë negligjent ndaj kësaj çështje, reflekton negativisht si në planin shpirtëror, poashtu edhe në atë material. Bile, një nga shkaqet e prapambetjes së muslimanëve është edhe mosllogaritja e vetes dhe mosbërja e bilansit për atë që është punuar.
Në këtë kontekst, rol të rëndësishëm ka edhe muaji Shaban, i cili për çdo vit ia rikujton muslimanit se duhet ta llogarisë vete, se duhet t’i analizojë veprimet dhe duhet të bëjë bilans për atë që e ka bërë në kohën e kaluar. Kjo shihet nga fakti se me dëshminë e të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit s.a.v.s. në muajin Shaban prezantohen veprat e njerëzve para Allahut të Madhërishëm, edhe pse Allahu i Madhërishëm e di që më parë se çka ka bërë njeriu. Për këtë, Muhamedi s.a.v.s. ka agjëruar shumë në këtë muaj, edhe pse jo gjithë muajin, për atë se veprat e tij, pra edhe të gjithë njerëzve, në këtë muaj ngriten para Allahut, e ka dashur që veprat e tij të ngriten duke qenë agjërueshëm. Kështu, Usame ibn Zejd i është drejtuar të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. e i ka thënë: “O i dërguar i Allahut, s’po shoh se po agjëron në ndonjë muaj tjetër siç po agjëron në Shaban” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia ka kthyer:” Ky është një muaj mes Rexhebit dhe Ramazanit, të cilit njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje, dhe është një muaj në të cilin veprat ngrihen deri tek Zoti i botëve. Unë dua që veprat e mia të ngrihen ndërsa agjëroj” (Hadithin e ka shënuar Nesaiju).